Kriza e Tiranës, nga rezultatet te financat

529
Sigal

Fati i trajnerit Artur Lekbello varet nga ndeshjet me Skënderbeun në kampionat dhe Kukësin në Kupë

Tre barazime rresht në kampionat dhe vendi i tretë në renditje, me katër pikë më pak se Skënderbeu, kur janë luajtur vetëm shtatë javë kampionat (këtë fundjavë do të përballen në Korçë), e kombinuar dhe me humbjen e thellë 4-0 me Kukësin në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, janë të mjaftueshme për të zbuluar krizën që mbizotëron te Tirana, klubi më i titulluar në Shqipëri, e që mban tre rekorde unike në vendin tonë: 24 tituj kampionë, 10 Superkupa, 76 ndeshje ndërkombëtare, por dhe bashkërekordin me Partizanin, përsa u përket Kupës së Shqipërisë, me nga 15 trofe. Tirana është fituesja në fuqi e Kupës (e ka fituar dy vjet rresht, me dy trajnerë të huaj: kroatin Misho Krstiçeviç dhe spanjollin Hulian Rubio), por ka të ngjarë që ajo të eliminohet nga debutuesit kuksianë në një raund shumë të ulët, si asnjëherë tjetër. Në fakt, Tirana është duke përjetuar një krizë të shumëfishtë, ku spikat dhe ajo financiare.

REZULTATET – Kur mori në dorëzim bankinën bardheblu, Hulian Rubio u bë i pari trajneri spanjoll që drejton një ekip shqiptar, por dhe i pari i huaj që mundi të drejtojë një sezon nga fillimi në fund te Tirana (gjashtë të tjerët ose e kishin lënë përgjysmë, ose e kishin ardhur në mes të sezonit). Rubio, në harkun e 14 muajve te Tirana, fitoi dy Superkupa të Shqipërisë dhe një Kupë të Shqipërisë (që të tria në finale me Skënderbeun, që vinte me petkun e kampionit në fuqi). Por, Rubio nuk pranoi të firmoste edhe për një sezon tjetër, me kushtin e mbajtjes së 20 për qind të shumës së kontratës, nëse ai nuk e fitonte titullin kampion. Në fakt, Tirana nuk e fiton kampionatin qysh nga sezoni 2008-2009, kur në bankinë ishte Alban Tafaj, pasi më parë kishin drejtuar Sulejman Starova dhe Agustin Kola. Rubio nënshkroi një kontratë 40-ditore dhe e drejtoi Tiranën vetëm në ndeshjen e Ligës së Europës, ku eliminoi në turin e parë luksemburgasit e Grevenmaherit, përpara se të eliminohej nga norvegjezët e Alesundit, një ndeshje që ndolli dyshime për golat e pësuar nga bardheblutë, aq sa u depozitua edhe një kërkesë për hetim nga Federata Norvegjeze e Futbollit. Pasuesi i Rubios (aktualisht në drejtim të Flamurtarit) u bë Artur Lekbello, një ish-lojtar i Tiranës dhe i Kombëtares, por dhe me një të kaluar në Greqi, tek Arisi i Selanikut. Pa përvojë si trajner, dhe për më tepër në një klub si Tirana, ku egoizmi dhe intrigat bashkëjetojnë prej dy dekadash, Lekbello duket se i ka ditët e numëruara. Debati i tij i fundit, me mesfushorin veteran Klodian Duro (në të njëjtin stil që pati dhe Rubio), janë një shenjë e qartë se te Tirana, gjërat nuk shkojnë vaj. Salih Tagani, administratori i Tiranës, ka përdorur nuanca diplomatike në lidhje me një shkarkim të mundshëm të trajnerit Artur Lekbello, por nuk e mohoi rrezikun që ajo të ndodhë. “Të gjithë duhet të japin shpjegime mbi këtë humbje, që nuk mund të quhet veçse e turpshme. Duke filluar nga trajneri dhe i gjithë stafi teknik”, – tha Tagani. Dhe i pari që lëkundet është trajneri Artur Lekbello. Vetë tekniku e hodhi poshtë mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht pranimit të përgjegjësisë, por së bashku dhe me lojtarët. Nëse Tirana, nuk fiton me Skënderbeun në kampionat dhe nuk eliminon Kukësin në Kupën e Shqipërisë, Lekbello është i shkarkuar. Nëse nuk vjen kthesa në dy ndeshjet e radhës ekipi do të penalizohet financiarisht.

GJYQET – Administrata aktuale e Tiranës po përballet me një seri gjyqesh të hapura apo të përfunduar në FIFA, apo dhe nga gjykatat shqiptare apo ato të Dhomës së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Fubollit. Disa vendime janë të mbartura nga e kaluara, pasi tani prej një viti, klubi administrohet plotësisht nga Bashkia e Tiranës, pra nuk ka presidentë (donatorë) si dikur Metush Seferi, Lutfi Nuri, egjiptiani El-Sajed, katërshja Halili-Papuli-Nuri-Ngjela dhe në dy vitet e fundit, Refik Halili.  Në fakt, Në momentin kur Klubi i Futbolli “Tirana” është formalizuar dhe është realizuar organizimi i saj në shoqëri aksionare, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në FSHF dhe në Bashkinë e Tiranës është depozituar raporti i ekspertëve kontabël të regjistruar mbi Auditin dhe pasqyrat financiare. Në këtë raport, njihen të drejtat dhe detyrimet e klubit dhe këtu janë të listuar edhe borxhet e së kaluarës. . Pak kohë më parë, Përmbarimi i kërkoi Federatës Shqiptare të Futbollit bllokimin e të ardhurave të Tiranës që vijnë si pasojë nga pjesëmarrja në aktivitet ndërkombëtare. Sipas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, klubi bardheblu i ka 500 milionë lekë të vjetra borxh ish-presidentit Metush Seferi (1993-1998). Në fakt, shuma e pretenduar fillimisht ishte 360 milionë lekë të vjetra, por shtesa prej 140 milionë lekë të vjetra është si efekt i kamat-vonesave. Para pak javësh, Zyra e Përmbarimit në kryeqytet ka trokitur në datën 24 shtator në dyert e klubit bardheblu për të ekzekutuar Urdhrin Gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga Gjykata e Rrethit Tiranë, për shlyerjen e detyrimeve ndaj ish-futbollistit Rudi Vata. Proçesi gjyqësor ka përfunduar në vitin 2007 dhe tani, Përmbarimi ka për detyrë të ekzekutojë vendimin e marrë në vitin 2003, por që në katër vitet pasardhëse është apeluar në disa shkallë. Vata ka fituar të drejtën për t’u dëmshpërblyer për moskorrektësinë e treguar nga ish-presidenti El Sajed në sezonin 2002-2003 dhe tani ai pret të marrë 70 mijë dollarë. Në qershor të vitit 2002, Rudi Vata firmosi me Tiranën një kontratë 1-vjeçare përgjatë të cilës do të përfitonte 130 mijë dollarë. Pas pesë muajsh, mbrojtësi u largua pas një konflikti me presidentin e asaj kohe, egjiptianin El Sajed. Çështja përfundoi në gjykatë dhe mori zgjidhje në nëntor të vitit 2003, duke nxjerrë fitues futbollistin shkodran, përballë presidentit të Tiranës

DOSJET – Tirana duhet të paguajë më shumë se 93 mijë euro detyrime ndaj lojtarëve, që e kanë hedhur në gjyq klubin bardheblu në Gjykatën Sportive të FIFA-s, ndërkohë që të tjera çështje janë hapur e të tjera pritet të vijojnë për të shtuar faturat financiare që duhen paguar në një të ardhme të afërt. Kërcënimi është real dhe i frikshëm. Aktualisht, 93 mijë euro janë për t’u paguar dhe shumë shpejt kjo shifër do të zmadhohet për të rënduar arkën e klubit bardheblu. Janë të paktën pesë “dosje” me kërkesa financiare. Sulmuesi kamerunas, Esama Etogo ka fituar në gjyq të drejtën për të marrë si dëmshpërblim 33 mijë euro për prishjen e njëanshme të kontratës. Hungarezët e Debrecenit, gjithashtu kanë përfituar të drejtën për të marrë 22 mijë euro. FIFA kërcënoi Tiranën me një tjetër shkresë pak ditë më parë dhe bardheblutë paguan këstin e parë në llogarinë e lojtarit duke depozituar 8500 euro. Mesfushori nga Bahamasi i largët, Kameron Heples, e dërgoi çështjen e mospagimit në FIFA dhe ai pretendon jo pak, por 105 mijë dollarë nga prishja e njëanshme e kontratës nga bardheblutë (më saktë më ish-presidentin Refik Halili). Sulmuesi i njohur kroat, Pero Pejiç, tashmë në radhët e Skënderbeut, ka bërë padi në FIFA dhe kërkon 27 mijë euro të prapambetura që pret të marrë si dëmshpërblim nga Tirana për moskorrektësinë e treguar gjatë sezonit 2010-2011. Sulmuesi Migen Memelli pretendon të marrë rreth 30 mijë euro nga nga kontrata e tre viteve më parë. Një tjetër dosje është ajo e menaxherit Hektor Çomo, i cili ka paditur bardheblutë në Gjykatën Civile në Rrethin e Tiranës për shkelje të kontratës 2-vjeçare, ku ai kërkon  40 milionë lekë (të vjetra) dëmshpërblim. Emra të tjerë që kërkojnë dëmshpërblime nga Tirana janë kosovari Lekë Kçira, Ivan Gvozdenoviç, Zizoviç, Orjand Abazaj, Xhuljan Rrudho, të cilët edhe i kanë fituar gjyqet me ish-klubin e tyre.

_____________________________________________________________________________________

BESART BERISHA: “U BËRA SULMUES PREJ BABAIT”

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të Besart Berishës, në kampionatin australian, A-League, qëndron i ati i tij, një baba kokëfortë, autoritar dhe këmbëngulës. “Ky është dhe sekreti i Besartit”, – shkruan gazeta australiane “Herald Sun”. Selim Berisha këmbënguli fort t’ua shpjegonte trajnerëve të rinj në Berlin, se djali i tij, Besarti, mund të luante vetëm si sulmues, dhe aspak në një rol tjetër. Trajnerët e djaloshit Berisha pëlqenin tek ai energjinë e pafund dhe karakterin e fuqishëm, dhe nuk dëshironin që ta pozicionin atë në mbrojtje ose në mesfushë. Por, ishte vetëm një pozicion që atij iu lejua të luajë. “Unë kam qenë gjithmonë në sulmues dhe kjo është dhe arsyeja që babai im nuk më lejoi kurrë të luaja në ndonjë pozicion tjetër kur unë isha i vogël”, – tha Berisha për gazetën australiane. “Trajnerët e mi dëshironin që unë të luajë na mbrojtje, pasi unë isha një punëtor shumë i mirë, por babai im nuk e pëlqente këtë. Ai nuk e vriste mendjen se, çfarë thoshin të tjerët. Ai tha: ‘Jo, djali im do të luajë sulmues. Qysh atëherë, unë kam luajtur gjithmonë sulmues. Unë duhet të falënderoj babain tim, pasi unë e dua këtë pozicion dhe është bërë fiks për mua”. Por dhe Roar, duhet ta falënderojë babanë e Besartit. Berisha është bërë avokat i pasionuar për qytetin e tij të ri Brisbejn, ku është mjaft i lumtur me familjen e tij. Ai e di se babai i tij, Selimi, shikon ndeshjet dhe se ndihet krenar sa herë që realizon gol. “Ai zgjohet herët për të shikuar ndeshjet. Ai është shumë krenar, siç ishte gjithmonë. Unë e falënderoj familjen time që më ka përkrahur gjithmonë”, ka thënë Berisha. Sulmuesi i Brisbjen Roar, që tani është shënuesi më i mirë në historinë e klubit, me 26 gola në 38 ndeshje zyrtare.

_____________________________________________________________________________________

ARMANDO SADIKU BËN “LËMSH” EUROPËN

Emri i Armando Sadikut po përmendet gjithmonë e më shpesh në mediat gjermane. Sulmuesi shqiptar i Luganos në kategorinë e dytë zvicerane (Challenge League) është i lidhur me kampionen në fuqi të Bundesligës, Borusian e Dortmundit (të mërkurën në mbrëmje fitoi 2-1 me Realin e Madridit në Ligën e Kampioneve), por dhe me klubin bavarez të Bundesligës 2, TSV 1860 Munih. Sulmuesi i ri i Kombëtares shqiptare (5 ndeshje, 1 gol në fitoren 3-1 kundër Qipros), është dhe golashënuesi më i mirë i në Challenge League, ku në 12 ndeshje ka realizuar 9 gola, më shumë se çdo legjionar tjetër shqiptar në Europë dhe më gjerë. Drejtori sportiv i 1860 Munih, Florian Hinterberger, nuk ka dashur ta komentojë lajmin e përhapur gjatë javëve të fundit, por dhe nuk e hodhi poshtë mundësinë e rekrutimit të Sadikut, pavarësisht se ai konsideroi si një spekulim mediatik, me origjinë nga mediat shqiptare. Në fakt, 21-vjeçari Sadiku, sulmuesi më i mirë i Kombëtares U-21 të Shqipërisë (6 gola në eliminatoret e kaluara të Euro 2013 të asaj moshe), ndiqet vazhdimisht nga shumë ekipe, dhe një prej tyre është dhe TSV Munih. Në lojën mediatike ka hyrë dhe menaxheri i Armando Sadikut, Sokol Haxhia, i cili duke folur për portalin bavarez “TZ Online”, tha se nuk kishte pasur deri tani asnjë kontakt nga “luanët” e Munihut. Por, agjenti shqiptar i FIFA-s solli një pistë të re të zhvillimi. “Për Sadikun ka një interesim të madh nga Fiorentina, Siena dhe Borusia e Dortmundit”. “Nëse lojtari i Kombëtares shqiptare (një gol) është tashmë një temë tek Borusia e Dortmundit apo dhe te dy ekipet italiane të Serisë A, ende nuk dihet gjë”, – shkruan portali gjerman Liga-zwei.de, i specializuar per ligën e dytë.