Kristian Panuçi: Roshi do të jetë kapiteni, Strakosha dhe Ramadani e nisin si titullarë

688
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA-TRAJNERI/ Një ditë para miqësores me Norvegjinë, tekniku i Kombëtares tregon risitë e formacionit
Dje, një ditë para ndeshjes së sotme miqësore Shqipëri-Norvegji, trajneri i skuadrës sonë përfaqësuese, Kristian Panuçi, ka folur për gjendjen e skuadrës dhe ecurinë e grumbullimit një javor. Njëherësh, trajneri i kuqezinjve zbuloi se, Strakosha dhe Ramadani do të jenë dy nga titullarët, teksa tha se ka ende dilema sa i përket formacionit. “Për formacionin kam idetë e mia, dhe jam i qartë mbi mënyrën se si duhet të luajmë, por ende nuk kam ndarë mendjen plotësisht. Kam dilema ende mbi sulmin, por edhe krahun e majtë, gjithsesi rëndësi ka që lojtarët i kam të gatshëm për të dhënë më të mirën. Pres shumë edhe nga lojtarët që kanë luajtur pak në skuadrat e tyre, pasi kjo është një mundësi e mirë për të rikuperuar formën e tyre. Nesër (sot) do të debutojë Ramadani, pasi është në një formë mjaft të mirë dhe na jep shumë cilësi në mesfushë”, kështu theksoi fillimisht Panuçi në deklarimin e tij, i cili më pas ju referuar emrave të veçantë që ai ka afruar, apo i ka menduar si titullarë në miqësoren e sotme me Norvegjinë. “Për mua, Ramadani ka stofin e liderit dhe meriton të nisë nga fillimi nesër (sot). Sa i përket Abazajt, ai është shumë i mirë në lojën një kundër një, por i duhet ende shumë stërvitje për të luajtur në kombëtare. Gjithsesi, në varësi të lojës, secili mund të ketë mundësitë e tij, ndërkohë që te skuadra e Shpresave, më ka pëlqyer së pari Bare, të cilin e kam ndjekur në vijimësi dhe tani e kam thirrur në ekip. E mendoj të jetë pjesë e skuadrës që do të përballojë eliminatoret”. Por për Panuçin, edhe dilema e portës dje është zbardhur, pasi ai vetë deklaroi se ka folur me të dy portierët. “Nesër (sot) do të luajë Strakosha, sepse kam folur me të dy portierët, dhe Berisha nuk ishte në maksimumin e tij. Në muajin maj 2018 ne do të kemi dy ndeshje miqësore, dhe njërën do ta luajë Berisha e tjetrën Strakosha. Ndërsa kam folur edhe me Bashën e Kukelin, pasi doja t’i jepja një shans Ramadanit. Unë kam idetë e mia, por Basha dhe të tjerë që nuk janë këtë herë, i kanë dyert e hapura dhe vijojnë të jenë pjesë e kombëtares”, i cili përfundoi se nuk do të ketë surpriza me formacionin anti-Norvegji. “Nuk kam në plan të ndryshoj, dhe nesër (sot) dua që ta mundim Norvegjinë. Nuk ka surpriza për formacionin, u dëmtua Lilaj dhe do të luajë Ramadani, një lojtar i ri me shumë personalitet, që ka stof lideri. Besoj se do të tregojë nivelin e tij. Unë iu kërkoj lojtarëve që po luajnë më pak te klubet përkatës, një përfaqësim më të mirë dhe më serioz se të tjerët”. 
Për sulmin kemi lojtarë si Cikalleshi, Sadiku e Balaj, të shohim kush do të luajë. Edhe për Lenjanin apo Alijin do të shohim, vendos në mbrëmje. Abazaj është një lojtar i mirë në lojën një kundër një dhe mund të luajë, por për të luajtur në ekipin kombëtar duhet një nivel i lartë stërvitjeje.
Sigal