Kristian Panuçi: Në Kombëtare ka rrotacion, nuk është vend pune

547
Sigal

Nga Agron KAJA

KOMBËTARJA/ Një ditë para ndeshjes miqësore me Kosovën, trajneri i Kombëtares shqiptare ka treguar planet e tij për dy miqësoret

Dje, në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore me Kosovën, trajneri i Kombëtares sonë, Kristian Panuçi, ka treguar gjithçka për grumbullimin e lojtarëve, por edhe pritshmëritë që ka për grupin në këtë dy sfida. Zgjedhja e këtyre dy ndeshjeve, sipas Panuçit, është bërë në ngjashmëri me skuadrat që do të ndeshemi në eliminatoret e Evropianit dhe në ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Kosova e Ukraina, sa ngjajnë në fizionominë e lojës me skuadrat që do të luani në kualifikueset e Evropianit dhe në Ligën e Kombeve?

Kosova ka talente, Ukraina është e fortë, ndaj ne kemi Skocinë që është e ngjashme, apo Izraelin që ka lojtarë cilësorë. Për Skocinë, zgjodha Norvegjinë që i ngjasonte shumë dhe u paraqitëm mirë. Kam besim se skuadra mund të bëjë shumë më shumë.

Në këtë grumbullim keni shumë lojtarë nga Kampionati shqiptar, pse?

Nuk është strategji, por ka futbollistë interesantë, si Guri që ka bërë mirë detyrën e tij dhe e ftova për ta vlerësuar. Nëse ka lojtarë të aftë në kampionatin shqiptar i ftoj dhe i shoh, por realiteti i fushës ndërkombëtare është ndryshe.

Sulmuesi Guri u dallua në Superiore, për ju çfarë shenje ka lënë në këtë grumbullim?

Më duket një djalë serioz, ka punuar mirë dhe është përshtatur, por ajo që i këshilloj është që, ky sezon është vetëm fillimi dhe jo se ka mbërritur lart, diku. Tani që do të shkojë në Evropë do të kuptojë se të luash aty ka shumë ndryshim nga futbolli shqiptar.

Një ditë para miqësores me Kosovën, si është gjendja e skuadrës?

Djemtë edhe janë të lodhur, por po tregojnë seriozitet dhe pres të bëjnë mirë detyrën që ka përpara. Disa nuk mund të luajnë 90 minuta, por do të bëjmë rrotacion, sepse këto janë teste të rëndësishme për të formuar grupin, për të luajtur eliminatoret e Evropianit por edhe Ligën e Kombeve.

Po alternativat si i shihni aktualisht në këtë skuadër?

Është një grup i mirë, disa kanë mbetur jashtë, por nuk do të thotë se në tetor nuk mund të jenë pjesë e jona. Në shtator kemi shanset për të fituar Ligën e Kombeve, ndërsa besoj se mund të zhvillojmë eliminatoret të rëndësishme të Euro 2018.

Kjo miqësore me Kosovën, ju shërben për të dalluar disi konkurrencën, sa i përket talenteve?

Këtë dimër isha në gjithë Evropën dhe ndoqa disa lojtarë që kanë mundësi të vishen kuqezi. Nga momenti që një “scout” më jep sinjale, shkoj i shoh, por nuk mund të them destinacionet.

Kjo miqësore me Kosovën, është detyrim për Kombëtaren shqiptare?

Natyrisht që duhet të fitojmë ndaj Kosovës dhe Ukrainës. Rëndësi ka të japësh maksimumin, pastaj se çfarë ndodh, nuk ka rëndësi. Duhet të jemi seriozë në punën që bëjmë dhe duhet ta pranojmë atë që kemi dhënë në fushë.

DY MIQËSORET

Sot, 29 maj 2018

Shqipëri-Kosovë         20:00

Stadiumi “Letzigrund”, Zyrih

Datë 3 qershor 2018

Shqipëri-Ukrainë         16:00

Stadiumi në Evian, Francë