Kristaq Mile: Tirana nuk e meriton atë titull, realisht Tomori është kampion

971
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Ja se si e përshkruan ish-trajneri i Tomorit të Beratit, ndeshjen e stisur për titullin kampion në sezonin 1999-2000
Java e kaluar ishte e ngarkuar edhe më një problematikë të vjetër për ndeshjen “plus”Tirana-Tomori në sezonin 1999-2000, si e përshkruani ju atë vendim të FSHF-së?
Mendoj se ajo ndeshje e shpikur nga FSHF-ja e kohës, ishte një trukim apo vjedhje që iu bë Tomorit titulli Kampion. Të gjitha kanë të drejtë të flasin, të thonë mendimet e tyre, sepse fjala është e lirë, por realiteti i asaj ndeshjeje nuk u bazua në rregulloren e kampionatit.

Si ka qenë situata sipas jush?
Jo vetëm sipas meje, por realisht Tomori ishte me pikë të barabarta me Tiranën, nga 52, dhe qëndronte në vendin e parë, sepse kishim marrë më shumë pikë në ndeshjet direkt me të. Kaq mjaftonte që ajo ndeshje e kurdisur në kancelaritë e FSHF-së të asaj kohe, të mos luhej si një një ndeshje plus, për të përcaktuar skuadrën kampione, sepse Tomori ishte i tillë.

Cili është versioni juaj për rregulloren e asaj kohe, sa i përket situatës në renditje?
Rregullorja e FSHF-së ishte e përcaktuar që në fillimin e sezonit, dhe ishte mjaft e qartë: Në dy takime të luajtura (luhej me dy faza), ekipi që grumbullonte më shumë pikë shpallej kampioni i Kategorisë së Parë( sot Superiore). Mirëpo, në rastin tonë, kur të dyja ekipet ishin me pikë të barabarta, atëherë do të merrej në konsideratë golavarazhi dhe minutazhi i golit të parë, të dytë e me radhë.

Diçka më konkrete për zhvillimin e atij takimi të kontestuar prej jush?
Kjo ndeshje shtesë që u zhvillua në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, u luajt pas një vendimi absurd në fund të fazës së dytë, por që në asnjë mënyrë nuk ishte përcaktuar në rregullore. Konkretisht, ndeshja e parë e Tirana-Tomori ka dalë 1- 1, ndërsa Tomori-Tirana 1-0, dhe normalisht Tomorit i takonte titulli. 

Në FIFA dhe UEFA ishte Tomori ekipi kryesues në renditje, këtë ju e keni parasysh?
Po, në atë kohë, si në UEFA apo në FIFA, Tomori mbante vendin e parë dhe jo Tirana. Kishte edhe një kuptim të tillë, ku në ndeshjen finale që u zhvillua në Elbasan ishin dy kupa. Një për ne që ishte nga FSHF-ja dhe një për Tiranën që e kishin sjellë ata vetë.

Kanë folur për këtë ndeshje edhe ish-trajnerë e protagonistë të Tiranës, të cilët e quajnë të rregullt, jo vjedhje prej tyre. Ju si ju “kundërviheni”?
Unë i respektoj maksimalisht të gjithë ata persona, që nga Tirana kanë folur për këtë ndeshje. Por, atje ku u gatua mashtrimi, nuk mund të kërkosh drejtësinë, ndaj do ‘i ftoja të gjithë që të jenë më gjakftohtë në gjykimin e tyre. Kanë kaluar më shumë se 17 vite, dhe gjithkush që flet sot, duhet ta ketë një reflektim serioz për atë ndeshje të vjedhur nga Tirana.

Atëherë, pse u zhvillua ajo finale, dhe pse juve duhet t’ua mohonin titullin?
Nuk e di pse, ndaj po flasim sot së bashku. Drejtuesit që kanë qenë përgjatë asaj kohe në krye të Tomorit, dhe ata që janë aktualisht, duhet të interesohen pranë institucioneve më të larta, me drejtësi ai titull i takon Tomorit, dhe nuk duhet ta lëmë në këtë mënyrë. 

Ndoshta kjo ndjesi vjen edhe nga fakti që ju atëherë ishit trajneri i skuadrës së Tomorit?
Jo pse në atë sezon kam qenë unë trajneri i Tomorit, por për djersën dhe shpirtin që kanë dhënë ata djem të mrekullueshëm, si Muzhaj, Fani, Lako, Deliu, Maloku, Arbri, dhe shumë të tjerë. Nëse drejtuesit e Tomorit janë të përshtatshëm për atë pozicion që mbajnë, pa diskutim që duhet ta kërkojnë atë titull, ashtu siç i kërkojnë të gjithë klubet e tjera.

Nga sa biseduam, duket se juve Mile ju paska mbetur peng ai titull kampion, i mohuar sipas jush?
Normalisht që po. Dhe jo vetëm mua, por të gjithë qytetit, i cili në javën e kaluar hyri në këtë atmosferë. Ndoshta edhe i ndikuar nga ndeshja me Tiranën, e cila e fitoi me meritë 2-0, por unë përsëri duhet të falënderoj të gjithë ata djem të mrekullueshëm, një grup i bukur që përkrahej nga një tifozeri e jashtëzakonshme, që asnjëherë nuk ka ndodhur në Berat. 

Dhe ky peng që ju e quani të të gjithë beratasve, mendoni se do të zgjidhet me drejtësi?
Kohë ka për të reflektuar. Ajo ishte një kënaqësi që ne e menduam, luftuam dhe gjithnjë po ëndërronim për atë ditë. Por, gjithçka u vyshk në fund, sepse na u mohua. FSHF-ja është e ndërgjegjshme që ai titull i takon Tomorit, megjithëse nuk dua të merrem shumë me këtë institucion.
Unë i respektoj maksimalisht të gjithë ata persona, që nga Tirana kanë folur për këtë ndeshje. Por, atje ku u gatua mashtrimi, nuk mund të kërkosh drejtësinë, ndaj do t’i ftoja të gjithë që të jenë më gjakftohtë në gjykimin e tyre. Kanë kaluar më shumë se 17 vite, dhe gjithkush që flet sot, duhet ta ketë një reflektim serioz për atë ndeshje të vjedhur nga Tirana
E diel, datë 28 maj 2000, ora 15:00 në stadiumin “Ruzhdi Buzhuta”në Elbasan
TIRANA-TOMORI 1-1
Shënues: Rizvanolli 57’/ Dede (aut) 88’
(Me penallti 5-4)
TIRANA; Nallbani; Sina, Dabulla, Dede, Alimehmeti; Tafaj, E. Bulku (Memishi 57’), Kenesei, Driza, Vito (Sulori 100’), Rizvanolli (Riza 62’). Trajner: Sh. Muça
TOMORI: Muzhaj; Dino, Fani (Gega 76’), Deliu, Aliaj; Lako, Rustami, Jahja (tabaku 60’); K. Arbri, Gjata (Hasa 60’), Maloku. Trajner: K. Mile
KV: Nallbani, Rizvanolli/ Fani, Aliaj (2)
KK: Aliaj 2 kv
Gjyqtarë: B. Pregja (Tiranë), E. Pjetrushi (Lezhë), A. Mali (Patos)
Shikues: Rreth 10 mijë

RENDITJA
Skuadrat Nd F B H G P
1.Tomori 26 15 7 4 35:22 52
2.Tirana 26 16 4 6 40:14 52
Sigal