Kreshnik Qato, kampioni që i dha fund karrierës

683
Kreshnik Qato, boksieri shqiptar i cili mban titullin e Kampionit të Europës për Bashkimin Europian, por dhe titullin Kampion Bote në versionin WBFo, dje i ka dhënë zyrtarisht fund karrierës së tij të të ngjiturit në ring. Gjithçka ka ndodhur në ambientet e hotel “Rognerit”, atje ku ka qenë të ftuar jo vetëm personalitete të sportit, por dhe të politikës, të cilët kanë nderuar kështu këtë kampion shqiptar që për vite me radhë ka mbushur pallatet e sportit, por dhe ka ngritur peshë zemrat e shqiptarëve kudo që ata kanë qenë. Sigurisht që ka një fund për gjithçka, kjo edhe për ëndrrat më të bukura. Një nga boksierët më të mirë shqiptarë të dekadës së fundit vendosi të varë dorezat në gozhdë për t’u shkëputur përfundimisht nga boksi, nga ai ring të cilin e dashuroi që në fëmijëri. Në fjalën e tij Hamdi Uka, do të vlerësonte trajnerët të cilët kanë punuar fillimisht me Qaton e më pas do të kishte një mirënjohje për durrsakun e dorezave. Më pas ishte Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla që në fjalën e saj e cilësoi Kreshnik Qaton si një shembull që duhet marrë në konsideratë nga i gjithë brezi i ri. “Vlera të mëdha dhe mëse të merituara i dha Kreshnik Qato dhe është një emblemë e boksit shqiptar. Ai është njeri që cilësohet si boksieri më i mirë i të gjitha kohërave në vendin tonë”, ka thënë ministrja Nikolla. Në lidhje me Kreshnik Qaton u shpreh personi të cilit boksieri shqiptar i dedikon të gjithë suksesin e tij, medaljet dhe arritjet, presidenti i federatës shqiptare të boksit profesionist z.Ylli Ndroqi. “Është një kohë e gjatë që jemi kemi qenë bashkë, për gati 10 vite si një familje. Ndjehem krenar, sepse ka ngritur lart flamurin kuqezi, i cili na emocionon dhe sot. Të jesh kampion botë është shumë e lehtë, por ta mbrosh atë është shumë e zorshme. Shpresojmë që të prodhojmë përsëri Kreshnik të tjerë, sepse vetëm kështu mund të kemi vazhdimësi të boksit profesionist”. Nuk kanë munguar dhe vlerësimet e Todi Jankut, ndërsa vetë Qato do të falënderonte familjen e tij, si dhe trajnerët që janë marrë e kanë punuar me të. “Pas 27 vitesh karrierë është shumë e vështirë që të ndahesh prej një sporti, të cilit i ke kushtuar gjithçka. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur, ndërsa kemi shumë dashamirës. Boksi si sport është aq i vështirë dhe i bukur, por kur merr fitoren të gjitha harrohen. Në 2004-ën kur kam nisur karrierën si boksier profesionist gjithçka ishte e panjohur për mua. Madje po tregoj diçka që nuk e kam thënë, kur kam shkuar në një ndeshje në Ukrainë kam pasur vetëm dy tifozë, trajnerin tim dhe bashkëshorten. E më pas ardhja e kompanisë Ylldon dhe presidentit Ylli Ndroqi ndryshoi gjithçka. Ndaj e falënderoj atë për mbështetjen, sikurse falënderoj dhe trajnerët e mi. Tashmë kam ngritur një ekip në Londër dhe do të vazhdoj punën si trajner”, ka përfunduar Qato, që me tërheqjen e tij ga bota e mrekullueshme, por e vështirë e boksit, Shqipëria ka një kampion më pak për t’u krenuar në arenën ndërkombëtare. Por gjithsesi ndihemi të privilegjuar që kemi qenë dëshmitarë të epokës të Kreshnik Qatos.
Karriera përmes dokumentarit
Një dokumentar i përgatitur nga Ora News ka rrëfyer karrierën e Kreshnik Qatos, që ka nisur në Durrës me trajnerin Hekuran Shkaba, ndërsa më 1992 ai do të ishte kampion i Shqipërisë për të rinj. Më 1993-1997 në Durrës nën drejtimin e trajnerit Dilaver Çoba do të regjistronte 19 ndeshje dhe 19 fitore. Më 1996 në kampionatin kombëtar të të rriturve është boksieri më luftarak. Më pas 1997 është medalist i artë në “Dorezat e Arta”në Beograd. Që nga 2000 fillon rrugën e boksit profesionist dhe më 16 tetor 2004 merr dhe titullin e parë atë të kampionit të Botës në versionin WBA International Continental, teksa mund në Ukrainë rusin Zavgorodni. Më 5 mars 2005 është Kampion Bote në versionin IBC International, teksa në Durrës do të mundte çeçenin Rizvan Magomedov. Sukseset e Qatos do të vijonin me titullin kampion i Anglisë më 2006, teksa do të fitonte në Londër ndaj Simon Koverit. Nën udhëheqjen e Ylli Ndroqit, më 2007-ën, teksa mundte në “Asllan Rusi”, rusin Zajtsev është Kampion Evrope në versionin EBU-EU. Pas një viti, duke mundur portugezin Vitor Sa, është Kampion Bote në versionin WBF. Titull që e mbron plot katër herë, ndërsa ka mundur njëri pas tjetrit amerikanin Estrada, italianin Lixhieri, argjentinasin Esteban. Dhe gjithçka e mbyll me titullin e kampionit të Anglisë duke mundur anglezin Mat Hajni. E gjithë kjo karrierë brilante e Qatos ka ardhur për të gjithë përmes dokumentarit të Ora News. Ndërkohë Qato për titujt e tij është pritur nga ish-kryeministri Berisha në 2008-ën, ndërsa më 2013-ën Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dorëzuar titullin “Mjeshtër i Madh”. 
Shqipëria U-17 barazon me Kosta Rikën
Shqipëria U-17 e trajnerit Xhemal Mustedanagiç e ka mbyllur turneun e saj miqësor në Austri me një barazim ndaj Kosta Rikës. Golin për tanët e ka shënuar Frensi Qerosi, ndërsa më parë kuqezinjtë kishin barazuar 0-0 me Meksikën dhe 1-1 me Brazilin, si dhe kishin humbur 0-2 me Austrinë. Në përgjithësi një turne pozitiv për kuqezinjtë U-17, që përgatiten për kualifikueset e Kampionatit Evropian. Më parë ata kanë luajtur dhe dy ndeshje me U-15 të Italisë, teksa janë mundur 1-3 në Tiranë dhe kanë barazuar 0-0 në Durrës. 
Xhudo në Çmimin e Madh të Zagrebit
Xhudo shqiptare, të paktën edhe sipas sekretarit të përgjithshëm Labo Çabo, do të jetë pjesëmarrëse në turneun ndërkombëtar të Zagrebit, që nis sot e përfundon të dielën. Është aktivitet i vlefshëm për kualifikueset në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, ndërsa tanët do të marrin pjesë me katër sportistë, të cilët janë Indrid Çullhaj (pesha 60 kg), Armando Mollosmani (pesha 73 kg), Igli Ramosacaj (pesha 73 kg), Ylli Ujka (pesha 81 kg). Përgjegjës ekipi do të jetë Florian Progni, kurse trajnerë Erind Cara dhe Eleina Irina Samoila. 
Partizani mund 5-0 Kevitanin
Në kuadër të përgatitjes për derbin e së hënës ndaj Tiranës, Partizani ka fituar ndeshjen e kontrollit me Kevitanin e Kategorisë së Tretë, 5-0. Kanë shënuar Vatnikaj dy gola, më pas Bylykbashi, Gjukanoviç dhe Nexhipi. Në formacionin e të kuqve nuk ka luajtur portieri Alban Hoxha, i cili ka një tërheqje muskulore, si dhe Raçiç, që ka humbur ndjenjat në stërvitjen e së mërkurës. Por që do të jetë i gatshëm për derbin. 

Kërçiku: Të hënën kryeqyteti, bardheblu
Në konferencën për shtyp, Dorian Kërçiku i Tiranës ka bërë analizën e tij në prag të derbit me Partizanin.“Ky është derbi i katërt dhe i fundit. Nuk e mendoj fare humbjen, pasi ne do të futemi në fushë për trepikëshin dhe do t’ia dalim. Ky do të jetë derbi ynë dhe qyteti do të vishet bardheblu. Do t’ia lëmë kohës, ndërsa përgjigjen Cuculit do t’ia japim në fund të 90 minutëshit. Kjo është ndeshja e radhës dhe e dimë që pritshmëria është e madhe. Do të futemi në fushë me ide të qarta për të fituar dhe për të qene sa më pranë titullit kampion. Do t’u rikthejmë buzëqeshjen tifozëve. Pres që të jenë sa më të shumtë në numër dhe të na mbështesin, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm ata. Tashmë çdo ndeshje është një finale për ne dhe e kemi të qartë se duhet maksimumi në këto 4 ndeshje që kanë mbetur. E kemi në dorë vetë dhe kjo të paktën na krijon një lloj qetësie. Nuk duhet të presim prej të tjerëve. Mjafton që të hënën të fitojmë”, ka thënë Kërçiku. 
Ngacmon Nexhipi: Nuk tolerojmë askënd
“Në këtë fund kampionati përballja derbi vjen ndryshe nga të 3 takimet e tjera duke parë edhe objektivat e të dyja ekipeve. Sigurisht nuk na intereson ambicia e Tiranës, por ne shohim vetëm objektivin tonë. Synimi ynë në këtë takim është sigurisht marrja e maksimumit dhe një fitore do na e bënte akoma më të prekshëm objektivin Evropë. Në një derbi pranohen të tria rezultatet, por i premtoj tifozëve që do japim shpirtin në fushën e lojës për ta fituar këtë përballje. Dëshira është që edhe në këtë derbi të arrij të shënoj, por sigurisht më me rëndësi është marrja e tre pikëve. Kundrejt thashethemeve të përhapura kohët e fundit nga rrjetet sociale për një tolerim të mundshëm nga ana jonë, ju premtojmë që kjo ndeshje do luhet ndershmërisht dhe do japim maksimumin në këtë takim. Në këtë përballje pres stadiumin flak të kuq”, ka thënë Nexhipi. 
Sigal