Krenar Alimehmeti: Skënderbeu po e dominon garën, skuadrat po luajnë futboll të pastër

691
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares, ja fokusi i tij për javën e 13-të të Superiores
Si ish-futbollist e kapiten i Tiranës, sa e ndjeni mungesën e saj në Kategorinë Superiore të këtij sezoni?
Pa diskutim që jo vetëm unë, por i gjithë komuniteti bardheblu në mbarë Shqipërinë, e ndjen këtë mungesë të madhe të kësaj skuadre të madhe. Ndoshta duhej që të vinte ky “pit stop” në këtë sezon, për të kujtuar se realiteti ndryshon dhe duhet t’i përshtatesh më mirë atij.

Gjithsesi, ju e keni ndjekur ritmikën e Kategorisë Superiore të këtij sezoni?
Patjetër që po, sepse është pjesë e pasionit dhe e punës sime si specialist futbolli. Në këto 13 javë që janë luajtur, më ka bërë përshtypje dominimi i Skënderbeut, i cili veç pikëve, ka prodhuar futboll me ndeshje të mira. Gjithçka në këtë sezon e ka me meritë, dhe këtu bën shumë diferencën.

Në 13 javët e luajtur, në renditje ka dy skuadra të “stampuara” në ekstreme: Skënderbeu në krye dhe Lushnja në fund, është normale vazhdimësia?
Normaliteti nuk humbet, pse dy skuadra kanë treguar vlerat e tyre në të dy ekstremet e renditjes. Këto ndodhin në futboll, por kampionati është i gjatë dhe nuk përjashtohen të papriturat gjatë garës. 

Cilën ndeshje të kësaj jave që u mbyll dje e veçoni si më të mirën?
Në fakt, janë luajtur ndeshje të mbushura, me gola dhe me tregues të mirë në minutat e lojës. Por, Skënderbeu-Kukësi mund të quhet si më e mira e javës, sepse aty kishte futboll. E përsëris se, Skënderbeu është një ekip i mirë organizuar, me një klub po në këto standarde, dhe shpresoj që të ketë ecuri të mirë në këtë sezon, ku i kanë mbetur kampionati dhe kupa.

Sa ju tërheq fakti, se në këtë javë ishin 3 fitore të skuadrave në transfertë?
Kjo tregon futbollin e pastër dhe pa kompromis që po luhet aktualisht në Kategorinë Superiore të këtij sezoni. Kanë fituar më të mirët, skuadrat kanë marrë atë çka kanë prodhuar në fushën e lojës, dhe unë i mendoj fitore normale në transfertë.

Duke qenë se kjo javë u luajt në terrene të rënduara nga reshjet e shiut, mendoni se ka pasur ndikim në lojën dhe rezultatet e skuadrave?
Moti nuk ishte determinant në lojën e rezultat që u arritën nga të gjitha skuadrat. Te të gjitha skuadrat, përqindja e ndikimit ishte e barabartë në këto kushte moti, por rëndësi ka që kush përshtatet dhe jep më të mirën.

Janë luajtur 4 ndeshje të fazës së dytë, mendoni se skuadrat e kanë treguar të plotë portretin e tyre për çka kanë arritur?
Portreti për çdo skuadër është i momentit, sepse ka ende edhe 23 ndeshje për tu luajtur. Por, mendoj se merkatua e dimrit do të sjellë ndryshime në të gjitha skuadrat, ndaj për një portret më të përafërt mund të flasim vetëm në dy fazat e fundit: e treta dhe e katërta.

Po Tirana në Kategorinë e Parë, si është shfaqur në 9 javët e luajtura?
Me sa e kam parë në të gjitha ndeshjet, Tirana ka treguar se i mungon futbollit elitar shqiptar. Ajo po dominon në Grupin B, përpos një humbjeje aksidentale do të thosha, sepse ndodh që pas 7 fitoreve rresht, të “prishet” syri i keq.
Ndeshja Skënderbeu-Kukësi mund të quhet si më e mira e javës, sepse aty kishte futboll. Skënderbeu është një ekip i mirëorganizuar, me një klub po në këto standarde, dhe shpresoj që të ketë ecuri të mirë në këtë sezon, ku i kanë mbetur kampionati dhe kupa
31 pikë
Në 13 ndeshjet e luajtura deri më tani, skuadra e Skënderbeut ka arritur të grumbullojë 31 pikë
0 humbje
Me bilancin 9 fitore, 4 barazime dhe 0 humbje, korçarët i sfidojnë rivalët duke kryesuar renditjen
Sigal