Krenar Alimehmeti: Po zhvillohet garë e pastër dhe me rivalitet, në fazën e katërt priten surpriza

616
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e ish-trajneri i Tiranës, ja si e përshkruan situatën në këto 27 javë
Si i vlerësoni rezultatet e javës së 27-të, të pritshme apo edhe me surpriza?
Të pritshme ishin fitoret e Luftëtarit me Lushnjën dhe ajo e Partizanit në Kamzë. Ndeshjet e tjera dhanë rezultate interesante, sepse nuk mendohej humbja e Flamurtarit në Vlorë me Kukësin, apo edhe fitorja e Vllaznisë me Skënderbeun. Rëndësi ka që po zhvillohet një garë me rivalitet dhe shumë e pastër.

Cilën ndeshje e veçoni për këtë javë dhe pse?
Po e përsëris, ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu 2-1, për vetë pozitat e të dyja skuadrave. Po kështu edhe ndeshjen Kamza-Partizani 0-1 apo edhe fitoren e Teutës me Laçin. Në letër, vetëm fitorja e Luftëtarit ka qenë e tillë, ndërsa ajo e Kukësit në Vlorë ishte me shumë vlera për kuksianët.

Dënimi që iu dha Skënderbeut nga UEFA, ka ndikuar te skuadra korçare te humbja në Shkodër?
Unë mendoj se ka pasur ndikim psikologjik te futbollistët e te stafi i Skënderbeut, por duke qenë se ai ka treguar se është një ekip solid dhe ka dhuruar emocione me ndeshje të bukura, edhe këtë situatë duhet ta kalojë. Impakti që u ndje me Vllazninë, ndoshta në vazhdimësi do të jetë ndryshe.

Nëse dënimi i UEFA-s për Skënderbeun do të mbetet në fuqi, do të ketë ndikim në futbollin tonë?
Kjo është një humbje e madhe për futbollin shqiptar. Është një dënim shumë i rëndë që nuk ka ndodhur asnjëherë në këtë atmosferë që akuzohet Skënderbeu. Unë do të uroja që KAS-i të bëjë një amnisti në të mirën e futbollit tonë, sepse ky është një vendim shumë i rëndë.

Kësisoj, në Kategorinë Superiore do të ketë luftë sportive e rivalitet për vendin e dytë që të çon në Ligën e Kampioneve?
Gara është e hapur, por rivaliteti për këtë vend duket se ka marrë formë. Kukësi duket më afër vendit të dytë në renditje, pra më afër vendit që do të luajë në Ligën e Kampioneve. Nga Laçi, Partizani e Luftëtari, mendoj se do të dalin dy skuadrat që do të luajnë në UEFA Evropa Ligë.

Si i përshkruani rezultatet e dobëta të Flamurtarit gjatë fazës së tretë?
Çdo ekip e kalon një cikël, pozitiv ose negativ. Fati i keq për Flamurtarin që ai është negativ, por jo i pashpresë. Lojtarët dhe drejtuesit kanë qenë në presion psikologjik për mungesë rezultati dhe e kanë humbur besimin, por kemi të bëjmë me një skuadër që ka elementë të cilët do ta sjellin ndryshimin, së bashku me trajnerin e drejtuesit. Unë gjithsesi ende besoj.

Me humbjen që pësoi dje ndaj Partizanit, Kamza e rrezikon mbijetesën?
Kamza ka bërë një hap fals me humbjen ndaj Partizanit. Duhet të kishte luftuar qoftë edhe për barazimin, e tani duhet t’i bëjë mirë llogaritë me Vllazninë e Teutën. Mbetet shumë e rrezikuar për mbijetesë, sepse janë 9 ndeshje me 27 pikë në lojë. Gjithçka mund të ndodhë.

Java e ardhshme është e 28-ta dhe e para e fazës së katërt, si i shikon ndeshjet e saj?
Është një garë e hapur, dhe e fortë. Duke përjashtuar Skënderbeun që do të jetë në krye, si dhe Lushnjën e vendit të fundit, të gjitha skuadrat e tjera do të jenë pjesë e rivalitetit. Më e vështirë do të jetë lufta e skuadrave që kërkojnë mbijetesën. Duke qenë një garë e pastër, mendoj se në fazën e katërt mund të kemi edhe ndonjë surprizë.
Duke përjashtuar Skënderbeun që do të jetë në krye, si dhe Lushnjën e vendit të fundit, të gjitha skuadrat e tjera do të jenë pjesë e rivalitetit. Më e vështirë do të jetë lufta e skuadrave që kërkojnë mbijetesën
10 gola
Në ndeshjet e javës së 27-të u shënuan 10 gola, ndërkohë që tre skuadra nuk arritën që të shënonin gol në portat kundërshtare
Rezultatet-Java e 27-të
Të shtunën, 30 mars 2018 
Teuta-Laçi 1-0
Vllaznia-Skënderbeu 2-1
Flamurtari-Kukësi 1-2
Të dielën, 1 prill 2018 
Luftëtari-Lushnja 2-0
Shënues: 
Kamza-Partizani 1-0
Shënues:

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 27 60
2. Kukësi 27 48
3. Laçi 27 42
4. Partizani 27 42
5. Luftëtari 27 40
6. Flamurtari 27 37
7. Kamza 27 34
8. Vllaznia 27 30
9. Teuta 27 29
10. Lushnja 27 10
Sigal