Krenar Alimehmeti: Duka ka dhënë shumë për futbollin, është koha për t’u ndarë sporti nga politika

743
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish mbrojtësi i 17 Nëntorit dhe i Kombëtares, ja si e përshkruan rrugën e skuadrave të Superiores dhe situatën zgjedhore në FSHF
E keni ndjekur ritmikën e përgatitjeve të skuadrave të Kategorisë Superiore në këtë periudhë pushimi pa ndeshje zyrtare?
Natyrisht që po. Është një periudhë zyrtarisht pa aktivitet, dhe këtë të gjitha skuadrat e shfrytëzojnë që të riparojnë ndonjë mangësi të shfaqur në 16 javët e luajtura. Njëherësh, në këtë periudhë është mundësia që të bëhen edhe ndërhyrje me elementë të rinj në merkato.

Çfarë mendoni se është bërë mirë nga këto skuadra në këtë periudhë?
Vetë ngarkesa e kësaj periudhe përgatitore në këto ditë të janarit, të detyron të përqendrohesh në stërvitje, merkato e ndeshje miqësore. Dhe këto ndeshje mendoj se janë treguesi më i mirë, që trajnerët të shikojnë gjendjen e skuadrave, njëherësh edhe të përforcimeve që kanë bërë.

Mendoni se në gjysmën e dytë të këtij sezoni, te skuadrat e Superiores do të ketë lëvizje të mëdha në tabelën e renditjes?
Futbolli është i bukur edhe për një fakt, sepse ka shumë të papritura, të cilat sot nuk mund të mendohen. Por, duke ju referuar situatës që skuadrat kanë kaluar në 16 javë, njëherësh edhe këto përgatitje gjatë këtij muaji, nuk mund të pres ndonjë ndryshim që të na “çudisë” në fundin e kampionatit.

Nga Skënderbeu në krye e deri te Lushnja në fundin e renditjes, ku mund të mendohen ndryshime në tabelë?
Skajet e renditjes më duken si të “çimentuara” me Skënderbeun në krye e Lushnjen në fund. Flamurtarin, Kukësin e Partizanin i mendoj si “luftëtarë” për një vend në zonën e Evropës, ndërsa Luftëtarin, Teutën e Vllazninë, si njëra nga skuadrat që mund të zbresë nga kategoria.

Po situatën zgjedhore në FSHF, e keni ndjekur në këtë periudhë?
Natyrisht që e kam ndjekur, sepse edhe ky proces është pjesë e futbollit shqiptar, madje me një rëndësi të veçantë për vazhdimësinë e tij. Futbolli shqiptar ka një stad më të lartë nga disa vite më parë, ndaj kandidaturat për president ndoshta kanë tërhequr më shumë vëmendje në këtë proces.

Duke qëndruar te procesi i zgjedhjeve në Asamblenë e 7 shkurtit, si ka vepruar administrata e FSHF-së në punët përgatitore?
Për deri sa deri tani nuk ka pasur asnjë kontestim publik, mendoj se Administrata e FSHF-së e ka përgatitur këtë Asamble Zgjedhore konform Statutit të saj. Duke u bërë përgatitje të tilla, besoj se edhe zhvillimi i saj do të jetë në këto standarde.

Aktualisht janë zyrtarizuar dy kandidatura, Armand Duka dhe Bashkim Fino, si e mendoni garën mes tyre?
Sikundër është zhvilluar gjatë javës së shkuar, mendoj se do të jetë një garë shumë e fortë, kryesisht në ditën e zhvillimit të Asamblesë më 7 shkurt. Por, Presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë shumë për futbollin shqiptar, dhe asgjë nuk mund të mohohet. Ndërsa Bashkim Finon e njoh si politikan e dashamirës i futbollit, dhe mes tyre, dëshiroj që të fitojë futbolli.

Mendoni se paralajmërimi i UEFA-s ishte një sinjal që politika të jetë larg futbollit?
Mesazhi që dha ditë më parë Drejtori i Komunikimit në UEFA, Pedro Pinto, besoj se ishte shumë i qartë, dhe ndaj tij duhet reflektim real. Futbollin ynë e ka vuajtur një situatë të tillë vite më parë, dhe atëherë nuk fitoi politika. Koha për reflektim është e bollshme.

Duke qenë se një pjesë e drejtuesve të skuadrave tona të futbollit do të jenë edhe delegatë me të drejtë vote në Asamblenë e 7 shkurtit, çfarë do t’u sugjeronit atyre dhe vetë skuadrave?
Skuadrat nuk besoj se duhet të bëhen pjesë e këtij procesi zgjedhor. Asambleja e tyre është fusha e lojës, ndërsa për ata drejtues që do të kenë të drejtë vote në Asamble, ju them që votën t’ia japin futbollit, jo politikës.
Presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë shumë për futbollin shqiptar, dhe asgjë nuk mund të mohohet. Ndërsa Bashkim Finon e njoh si politikan e dashamirës i futbollit, dhe mes tyre, dëshiroj që të fitojë futbolli 
Politika nuk i ndahet futbollit, protesta e opozitës afron kalendarin
Nga ana e FSHF-së ishte bërë publik kalendari i javës së 17-të të Kategorisë Superiore, ku më parë ishte fiksuar data 20 janar., por ndërhyrja e disa klubeve e shtyu atë për datën 27 janar. Por, është politika ajo që e ndryshon edhe këtë datë, pasi atë ditë zhvillohet protesta e opozitës politike shqiptare. Kështu, FSHF-ja ka vendosur që këto ndeshje të javës së 17-të të luhen të gjitha në datën 16 janar 2018, nga të cilat, tre në mesditë, dhe dy ndeshjet e tjera me drita në orën 17:00. Njëherësh, FSHF-ja ka bërë publik edhe kalendarin e ndeshjeve të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, të cilat do të luhen në datën 31 janar: Teuta-Skënderbeu dhe Laçi-Luftëtari në ora 14:00, ndërsa Flamurtari-Partizani e Tirana-Kukësi luhen në ora 17:00.
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018 
Luftëtari-Skënderbeu 14:00 
Teuta-Lushnja 14:00
Kamza-Laçi 14:00
Flamurtari-Partizani 17:00
Vllaznia-Kukësi 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
Sigal