Kostiç e thotë hapur: Nuk jemi gati për Evropën, por nuk kemi frikë!

580
Sigal

Nga Agron KAJA

UEFA EUROPA LIGË/ Janë përcaktuar oraret e zhvillimit të ndeshjeve të para eliminatore për skuadrat shqiptare, çudit trajneri i Luftëtarit

Edhe pse për skuadrën e Luftëtarit ishte konfirmuar orari i zhvillimit të ndeshjes së parë në turin eliminator të UEFA Europa Ligë, e cila do të luhet në stadiumin “Ventspils Olimpiskais” të Letonisë, datë 12 korrik 2018, ora 16:45, dje janë përcaktuar edhe oraret e zhvillimit të ndeshjeve për dy skuadrat e tjera shqiptare. Kështu, Partizani do të presë në këtë ditë Mariborin e Sllovenisë, ndeshje që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” në ora 17:30, dhe shkak për vendosjen e këtij orari është fakti se ndriçimi i stadiumit në Tiranë nuk përputhet me kushtet që kërkon UEFA për ta licencuar të luhen ndeshje në mbrëmje. Ndërsa Laçi do të luajë në stadiumin “Antonis Papadopoulos” ndaj skuadrës Anorthosis të Qipros, në orën 19:00. Ndërkohë që moti i nxehtë do të ndjehet edhe në këtë ndeshje të laçianëve, madje stadiumi do të jetë i boshatisur, pa tifozë. Por, e veçanta e ditës së djeshme, pasi kanë mësuar këto orare të ndeshjeve, ka qenë trajneri i Luftëtarit, Milosh Kostiç, i cili në SuperSport ka folur për përgatitjet e skuadrës së tij në Slloveni, deklaratë të cilën nëpërmjet Presidentit Grigor Tavo, e pohoi edhe për gazetën “Telegraf”. “Këtu në Slloveni kemi ditë që po zhvillojmë fazën përgatitore, realisht me kushte shumë të mira stërvitore dhe akomoduese. Natyrisht që kjo është një pedanë për sezonin e ri, por së pari për ndeshjet në Evropë. Për ta pasur skuadrën më afër atmosferës së kundërshtarit, kemi programuar edhe katër ndeshje miqësore: E para me Rabotniçki të Maqedonisë së Veriut, më pas do të luajmë dy miqësore me skuadra sllovene, e në fund do ta mbyllim me një skuadër rumune”, ishte ky deklarimi i Kostiç, i cili më pas ju referua edhe situatës në skuadrën e Luftëtarit. “Për ndeshjen me Ventspils më 12 korrik, ne ende nuk jemi gati, por kjo fazë këtu në Slloveni do na shërbejë për t’u përgatitur si duhet, njëherësh edhe të mbledhim informacione për kundërshtarin, që e kemi ndjekur së fundi. Skuadra e Ventspils është nga më të mirat në kampionatin vendas, gjithmonë në tre skuadrat e kreut, por luan shpejt në kundërsulm dhe ka mbrojtje agresive. Gjithsesi, ne po përgatitemi që të fitojmë dhe të bëjmë një paraqitje të mirë, nuk kemi mbivlerësime për kualitetet e kundërshtarit. Ne nuk do të kemi frikë të përballemi me ta më shumë se të barabartë”. Ndeshjet e kthimit të UEFA Europa Ligë ende nuk i kanë të konfirmuara oraret e zhvillimit të tyre, ndërsa Luftëtari do të luajë në stadiumin “Elbasan Arena” dhe Laçi në stadiumin e tij.

Për ndeshjen me Ventspils më 12 korrik, ne ende nuk jemi gati, por po përgatitemi që të fitojmë dhe të bëjmë një paraqitje të mirë. Nuk kemi mbivlerësime për kualitetet e kundërshtarit dhe nuk do të kemi frikë të përballemi me ta

 

UEFA EUROPA LIGË

Turi i parë eliminator

E enjte, 12 korrik 2018

Ventspils-Luftëtari    16:45

Stadiumi “Ventspils Olimpiskais”

Partizani-Maribor     17:30

Stadiumi “Selman Stërmasi”
Anorthosis-Laçi         19:00

Stadiumi “Antonis Papadopoulos”