KOSOVARËT FESTOJNË ME SIMBOLIN E SHQIPONJËS, ZVICRA E BËN PROBLEM

831
Sigal

Zvicra do të luajë, më 11 shtator me Shqipërinë, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, teksa në radhët e përfaqësueses helvete luajnë të paktën pesë shqiptarë nga Kosova, përfshirë yllin e Bajernit, Xherdan Shaqirin. Festimet e kosovarëve kur ata shënojnë gola, me duart e kryqëzuara në formën e shqiponjës, po shndërrohen në një problem në Zvicër. I fundit, që festoi në këtë mënyrë ishte Adrian Nikçi. Kosovarit i mjaftuan vetëm tri minuta për të realizuar golin e dytë të Hanoverit në barazimin 2-2 të Hanoverit kudër Shalke 04, me topin e parë që Adriani preku. I superlumtur. Festimi i Nikçit: duart që vizatojnë shqiponjën. Pikërisht simbolin e Shqipërisë. Në fakt, Adriani ka lindur në Sarajevë, në Bosnjë, por sulmuesi ka gjithashtu nënshtetësinë kosovare. Nikçi ka veshur 15 hetrë bluzën e Kombëtares zvicerane (3 gola). Në fakt, Nikçi nuk është golashënuesi i parë shqiptar me pasaportë zvicerane, që feston me shenjën e shqiponjës. 20-vjeçari Pajtim Kasami e ka bërë atë më parë. Në dhjetor të vitit 2010, kampioni i botës për moshën U-17, me Zvicrën, festoi “shqip” kur luante në radhët e Palermos. “Ishte një përshëndetje drejtuar atdheut”, – tha atëhëherë Pajtim Kasami. Familja e tij është nga Struga, një qytet maqedonas, por që ka shumicë shqiptare. “Por, – shkruan gazeta e madha zvicerane “Blick”, – a duhet të bëjnë kujdes tifozët zviceranë, që disa nga lojtarët tani të Kombëtares do të luajnë, më 11 shtator kundër Shqipërisë në kualifikueset e Kampionatin Botëror, kur vetëm gjysmën e zemrës e kanë me ne? Nëse Kasami apo Nikçi nuk përbën ndonjë shqetësim për trajnerin e Kombëtares, Otmar Hitcfeld, Shaqiri, Xhaka dhe Behrami e kanë prejardhjen e tyre nga Kosova, kurse Mehmedi nga shqiptarët e Maqedonisë. Xherdan Shaqiri i Bajernit ka të qepur në këpucët e tij tre flamurë: flamurin e Zvicrës, por dhe të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke u dhënë bashkëkombësve të tij natyralë një mesazh dashurie. 20-vjeçari është lindur në Gjilan të Kosovës, por u rrit në Zvicër. “50 për qind e zemrës sime i përket Kosovës”, – tha dikur Shaqiri. Këtë ndjenjë të fuqishme për atdheun e tij, mesfushori i Bajernit e ka gdhendur në këpucët e tij, fotot e të cilave kanë bërë xhiron e botës. Granit Xhaka këndoi para shokëve të Borusias së Mënshengladbahut himnin kombëtar shqiptar, dhe më pas tha: “Unë ndihem 80 për qind zviceran dhe 20 për qind kosovar. Unë jam kosovarë, por rrënjët e mia janë një pjesë e imja dhe do të qëndrojnë kështu gjithmonë. Unë nuk kam asnjë problem ta them këtë”. “Por, – shkruan “Blick”, – çfarë do të ndodhë nëse Kosova do të lejohet të ketë Kombëtaren e saj?” Në vjeshtë do të merret vendimi. Shaqiri dhe Ko. mund të vendosë të largohet nga Zvicra. FIFA e lejon, pasi kur krijohet një Kombëtare e një vendi të ri, atëherë lojtarët nuk kanë asnjë pengesë të zgjedhin.