Kosovarët e Zvicrës mundin Shqipërinë

60

Zvicër-Shqipëri 2-0. Gafat e Kombëtares sonë zhgënjejnë 12 mijë kuqezinjtë pranishëm në Lucernë

Shqipëria pësoi një humbje të hidhur 2-0 me Zvicrën, në ndeshjen e dytë të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, duke zhgënjyer mbi 12 mijë shikuesit kuqezinj, ndërkohë që dhimbja ishte edhe më e madhe, pasi ishte kosovari Xherdan Shaqiri, ai që na ndëshkoi në golin e parë (me asistin e Granit Xhakës) dhe përgatiti penalltinë e realizuar nga kapiteni Gokhan Inler në pjesën e dytë. Kështu, pas entuziazmit të ligjshëm pas fitores 3-1 kundër Qipros, katër ditë më parë në Tiranë, humbja me Zvicrën ishte një kthim në realitet. Trajneri Xhani De Biazi hodhi nga minuta e parë të vetëm në sulm, Erjon Bogdanin, të mbështetur nga fantazisti Alban Meha, Pjesa tjetër e skuadrës ishte e përbërë nga Ujkani, në portë; Lila, Cana, Mavraj dhe Dallku në mbrojtje; Bulku, Vila, Kukeli dhe Agolli në mesfushë. Topin e parë e luajti Shqipëria, e mbështetur nga mbi 12 mijë shikues në “Sëissporarea”. Ishte Zvicra që u shfaq më agresive në minutat e para, teksa Mërgim Mavraj detyrohet të shkaktojë një faull ndaj Xherdan Shaqirit, ashtu si Granit Xhaka ndërhyri mjaft keq ndaj Andi Lilës. Në minutën e 9-të, Zvicra fitoi goditjen e parë nga këndi, por pa rrezikuar aspak portën e Samir Ujkanit. Në 15 minutat e para, asnjë nga të dyja skuadrat nuk pati shanse për të shënuar, por dy minuta më pas, ishte Albam Meha, që ishte shumë afër golit, kur mesfushori shqiptar i Padebornit godit nga rreth 30 metra, duke detyruar portierin Diego Benaljo ta devijojë në goditje këndi. Ishte Meha ai që ekzekutoi goditjen nga këndi, por harkimi i tij ishte i gjatë dhe pa rrezik për portën zvicerane. Ndërkohë që, Shqipëria ishte e pafuqishme në sulm, Zvicra shënoi golin e parë me anë të Xherdan Shaqirit. Pas një pasimi të shqiptarit tjetër të Zvicrës, Granit Xhakës, Shaqiri shmangu ndërhyrjet e Lorik Canës dhe Mërgim Mavrajt, jashtë zonës së rreptësisë dhe u shfaq i vetëm përballë Samir Ujkanit, duke realizuar një gol me të majtën e tij të pagabueshme. 1-0 për Zvicrën në minutën e 23-të, pas një kombinacioni midis dy shqiptarësh. Mesfushori kosovar Xherdan Shaqiri nuk festoi në mënyrë të ekzagjeruar kur shënoi golin e tij, por ai gjithsesi, ai tregoi një dashuri të madhe për Zvicrën, kur e rrahu me gishta pjesën e fanellës ku ishte qepur flamuri zviceran. Loja jo e mirë e Shqipërisë nervozoi fansat e saj, të cilët reaguan fort, aq sa gjyqtari ndaloi për disa sekonda lojën. Kronika është e tëra shqiptare: në minutën e 33-të, Valon Behrami ndërhyri keq ndaj Alban Mehës, dhe mesfushori i Zvicrës u ndëshkua me karton të verdhë. Katër minuta më pas, ishte Granit Xhaka pranë golit të dytë, por gjuajtja e tij kaloi pranë shtyllës pingule. Me pjesën e parë, të përfunduar 1-0, trajneri De Biazi e orientoi skuadrën për të parë më shumë nga sulmi. Erjon Bogdani, autori i golit të tretë në fitoren 3-1 të Qipros, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Kombëtares sonë, 17 gola, i la vendin Edgar Çanit, sulmuesit që zhbllokoi sfidën ndaj qipriotëve në “Qemal Stafa”. Po, në minutën e 55-të, Emiljano Vila, sërish në një ditë të keqe, i la vendin Odise Roshit, mesfushorit të FSV Frankfurtit, në Bundesligën 2, dhe më pas Jahmir Hyka në vend të Burim Kukelit, dy lojtarë shqiptarë që luajnë në kampionatin zviceran. Gjithsesi, ishte Zvicra ajo që dominoi lojën, ndërkohë që Shqipëria ishte ndoshta në një nga ditët më të errëta, duke mos ndërtuar thuajse asnjë aksion të rrezikshëm. Në minutën e 67-të, gjyqtari rumun akordoi një penallti për Zvicrën dhe kapiteni Gokhan Inler i çoi shifrat në 2-0. Granit Xhaka, një ndër më të mirët në fushë, mund t’i kishte çuar shifrat në 3-0, por kosovari u tregua dashamirës duke mos e ndëshkuar patriotin e tij te Shqipëria, Samir Ujkanin. Në minutën e 84-t, Blerim Xhemaili, i cili zëvendësoi Valon Behramin, pas dhe një bashkëpunimi me Shaqirin, i mundësoi Xhakës të shënonte, por Ujkani ia mori topin nga këmbët. Përfundimisht, një sfidë për t’u harruar dhe kujtuar: së pari, për lojën e dobët; dhe, së dyti, për mbështetjen unike të 12 mijë tifozëve shqiptarë të ardhur nga e gjithë Europa.

_____________________________________________________________________________________

ASNJË FITORE ME ZVICRËN

Në pesë takime me Zvicrën, që të gjitha zyrtare, Shqipëria nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje, duke humbur katër prej tyre Në dy takimet eliminatoreve të Botërorit “Angli 1966”, Shqipëria e drejtuar nga  i përkasin Zyber Konçit dhe datohen në vitin e largët 1965, ku i humbëm të dyja ndeshjet: 2-0 në Tiranë dhe 1-0 në Gjenevë. Për eliminatoret e Euro 2004-s, në barazimin 1-1 në Tiranë, në stolin e Shqipërisë ishte italiani Xhuzepe Dosena, ndërsa në humbjen 3-2 në Gjenevë ishte gjermani Hans-Peter Brigel. Humbja e djeshme, 2-0, me Xhanin De Biazin në bankinë. ishte e katërta në pesë ndeshje.