Kosova pranë historisë, ja skenaret që e kualifikojnë në Euro 2020

114

Kosova është shumë pranë shkrimit të historisë në futbollin botëror. “Dardanët” do të tentojnë kualifikimin në finalet e Europianit për herë të parë dhe shanset janë të mëdha.

Mbrëmjen e sotme, në stadiumin “Doosan Arena” në Plzen, Kosova sfidon Republikën Çeke, rivalin direkt për një biletë për në Europianin e vitit të ardhshëm.

Aktualisht, Kosova mban vendin e tretë në grupin A me 11 pikë, një më pak se Çekia dhe 4 pikë larg Anglisë, që nga ana e saj pret po në orën 20:45, Malin e Zi. “Tre Luanët” janë kundërshtari i ardhshëm i Kosovës, që fillimisht kërkon të marrë maksimumin ditën e sotme për të shpresuar te kualifikimi historik.

Por, kush janë kombinimet që kualifikojnë Kosovën në raundin tjetër.

Kosova duhet të fitojë ndaj Republikës Çeke në Plzen dhe së paku të barazojë ndaj Anglisë në Prishtinë. Në këtë rast, nëse Çekia do ta fitonte takimin e fundit ndaj Bullgarisë do të kishte pikë të barabarta me Kosovën (nga 15-të) dhe do ishte Kosova që do të vazhdonte tutje falë ndeshjeve direkte.

Teksa në rast se përfaqësuesja dardane triumfon edhe ndaj Anglisë, atëherë epërsia do të ishte bindëse.

Në rast se Kosova dhe Republika Çeke ndahen në barazim, atëherë “dardanët” do të kishin 12 pikë, kurse ekipi kundërshtar, 13 pikë. Çekët luajnë kundër Bullgarisë në ndeshjen e fundit kualifikuese për ‘Euro 2020’ dhe Kosova shpreson që bullgarët të mos e humbin sfidën.

Nëse ndodh kështu, Kosova do ta ketë në dorë kualifikimin në përballjen ndaj Anglisë në “Fadil Vokrri”, duke qenë se me një fitore të mundshme ndaj “Tre Luanëve” (15 pikë) dhe më barazimin apo humbjen e Republikës Çeke ndaj Bullgarisë (13 apo 14 pikë), Dardanët kualifikohet në fazat finale të Kampionatit Evropian.