Kosova dhuron spektakël me Danimarkën, por befasohet në fund

488
Sigal

Kosova vijon të bëjë paraqitje fantastike, duke barazuar 2-2 me Danimarkën në miqësoren e zhvilluar sonte në mbrëmje. Dardanët zhbllokoi rezultatin në minutën e 41-të, kur qendërmbrojtësi Amir Rrahmani kërceu më shumë se të gjithë në zonë dhe shënoi me një goditje të bukur me kokë, duke çuar skuadrën në dhomat e zhveshjes, me epërsinë e një goli.

Barazimi i danezëve erdhi në pjesën e dytë, kur Shala shkaktoi një 11-metërsh të pafat, pasi rrëshqiti në zonë dhe mori edhe këmbën e kundërshtarit, ndërsa Ujkani nuk arriti të ndalë goditjen e Cristian Eriksen.

Megjithatë vetëm 3 minuta më vonë, Kosova ndërtoi një aksion model, me protagonistë Arbër Zenelin dhe Bersant Celinën, ndërsa ishte pikërisht ky i fundit, që shënoi për herë të dytë në portën e Danimarkës, duke rikthyer avantazhin.

Kur dukej se gjithçka do të mbyllej me fitoren e “dardanëve”, një shpërqendrim i tyre në minutën e parë shtesë, bëri që Hojbjerg të gjendej i lirë dhe të mposhtte Samir Ujkanin për herë të dytë, duke vulosur barazimin e sfidës. Ky ishte testi i parë për 2019-ën i Kosovës, që vetëm 3 ditë më vonë do të përballet me Bullgarinë në ndeshjen e parë eliminatore të Euro 2020-ës.