Korçarët ndezin Partizanin, lojtarët premtojnë titullin kampion

Java e fundit e fazës së tretë e gjen Partizanin në një situatë komplet ndryshe nga javët e para të kampionatit në 2017-ën. Pas përgatitjeve dimërore në Turqi, të kuqtë patën një start me luhatje, gjë e cila solli edhe thellimin e distancës nga kreu. Të shumtë ishin faktorët që sollën në atë paraqitje jo të mirë, ku ndërhyrjet në merkaton e dimrit, si dhe riaftësimi i të dëmtuarve prishi rehatinë te titullarët, por asokohe binte në sy edhe mungesa e harmonisë së brendshme.

Por fitorja në derbi rezultoi si pika e kthesës për “demat e kuq”, të cilët më pas arritën të rikuperojnë shumë dhe tani e shikojnë vetën bashkëkryesues me Kukësin, si dhe kanë lënë pas Skënderbeun me dy pikë. Në javët e fundit, të kuqtë kanë arritur që të tregohen një ekip solid, i cili, përveç kundërshtarëve në fushë, i është dashur që të përballojë edhe gabimet e shumta të arbitrave.

Pas javës së parë, për herë të parë Partizani e shikon veten në krye të renditjes dhe ky pozicionim i bën optimistë “demat” për 10 ndeshjet e mbetura të sezonit. Ndeshja e radhës, ku në kryeqytet presin Skënderbeun, shikohet si mundësia më e mirë për të kuqtë për të nisur sprintin final për titullin kampion. Pragndeshja me korçarët sikur e ka ndezur më shumë atmosferën në kampin e kuq, kështu që të gjithë janë të përkushtuar në stërvitje për të qenë sa më të përgatitur për këtë takim, të cilin duan që ta fitojnë me çdo kusht.

Drejtuesit ia kanë bërë të qartë stafit teknik, por edhe lojtarëve se misioni titull tani është më se i mundshëm dhe gjithçka mbetet në dorë të kontributit që ekipi do të tregojë në fushë në 10 ndeshjet e mbetura. Në dallim nga fillimi i këtij viti, lojtarët janë me këmbë në tokë duke shmangur euforinë, por është rritur më shumë besimi në vetvete.

Jo vetëm drejtuesit, por edhe lojtarët e kanë kuptuar tashmë se ky është momenti i vërtetë që Partizani të dalë kampion, ndaj për pjesën e mbetur kërkohet angazhim maksimal dhe harmoni mes hallkave të klubit. Mësohet se lojtarët i kanë premtuar stafit se ata do të funksionojnë si një trup i vetëm dhe do të bëjnë të pamundurën që Partizani të dalë kampion në fund të sezonit.