Korab Llazani: Nuk ndjehemi inferiorë, synojmë maksimumin

595
Nga Agron KAJA
BASKETBOLL/ Për ndeshjet paraeliminatore në “Botërori 2019”, flet për “Telegraf” sekretari i përgjithshëm i FSHB-së
Të mërkurën në mbrëmje, në Sallën e re të Lojërave me Dorë, “Feti Borova”, në Parkun Olimpik të Tiranës, ka nisur aventura e Shqipërisë në grupin B paraeliminator të Botërorit 2019 të basketbollit për meshkuj. Në këtë përballje, kuqezinjtë janë thyer përballë Austrisë me rezultatin 51-79, duke e nisur me humbje këtë event. Për situatën e skuadrës sonë, njëherësh edhe për masat që ka marrë FSHB-ja, për gazetën “Telegraf” foli dje sekretari përgjithshëm i federatës së koshit shqiptar, Korab Llazani, i cili e quajti këtë, një humbje që nuk duhej të kishte ndodhur. “Tashmë kjo ndeshje iku, por duhet thënë se skuadra nuk dha më të mirën, dhe për të nuk ishte një ndeshje fort e mirë. Analizat teknike i ka bërë trajneri Antonis Kostantinides pas kësaj sfide, dhe unë do të përforcoja mendimin, se skuadra nuk ishte në pritshmëritë e saj. Në sulm, në mbrojtje dhe në kapjen e topave në tabelë, u bënë disa gabime që nuk priteshin, dhe nga këto besoj se përfitoi shumë kundërshtari, duke arritur që ta fitojë ndeshjen e parë”, kështu theksoi fillimisht sekretari i FSHB-së, ndërkohë që tërheq vëmendjen pas kësaj sfide edhe deklarata e trajnerit të Austrisë, Kestutis Kemzura, i cili midis të tjerave theksoi se nuk priste një Shqipëri kaq të dobët. Por, sekretari Llazani, përpos humbjes, deklaron se nuk ndalen synimet e skuadrës sonë për të dhënë maksimumin në këto ndeshje paraeliminatore për “Botërori 2019”. “Edhe pse humbëm në ndeshjen e parë, synimet tona janë që të marrim maksimumin në tre ndeshjet e tjera paraeliminatore që do të zhvillojmë në Grupin B. Kemi para edhe Holandën, e cila quhet më favorite në këtë grup, por ne do të luftojmë, duke ndryshuar shumë nga ajo ndeshje e parë me austriakët. Shpresojmë shumë për ndryshim, me besimin te lëvizjet që do të bëjë trajneri Kostantinides, por edhe me më shumë impenjim nga të gjithë lojtarët tanë”. Pjesëmarrja në këtë tur paraeliminator është e detyruar nga FIBA, pasi është kusht taksativ për të qenë pjesëmarrës në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian. Ndeshjet e ardhshme paraeliminatore të Kombëtares sonë të basketbollit për meshkuj, do të luhen sipas kalendarit: më 9 gusht në Holandë me përfaqësuesen vendase, në 12 gusht në Austri me vendasit, dhe ndeshja e fundit më 19 gusht 2017 në Tiranë, me skuadrën e Holandës. 
BOTËRORI 2019
PARAELIMINATORET
Ndeshjet e Shqipërisë
Datë 2 gusht 2017
Shqipëri-Austri 51-79
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Austria 1 2
2.Shqipëria 1 1
3.Holanda 0 0
Datë 9 gusht 2017
Holandë-Shqipëri 20:00
Datë 12 gusht 2017 
Austri-Shqipëri 16:00
Datë 19 gusht 2017 
Shqipëri-Holandë 20:30
Sigal