Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar organizon mbrëmjen gala: “Sportistët më të mirë 2015”

617
Mbrëmjen e djeshme, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në një mbrëmje gala ka ndarë çmimet për 10 sportistët më të mirë të vitit 2015. Në këtë mbrëmje të organizuar nga KOKSH, të ftuarit kanë qenë personalitete të fushave të ndryshme, si sportistë, sportdashës, akademikë dhe personalitete të njohur të vendit, të cilët kanë ndarë emocionet me fituesit e çmimeve, por edhe me të ftuarit, të cilët nuk kanë qenë të paktë në numër
———- 
Mbrëmjen e djeshme në ambientet e Hotel “Sheraton” është zhvilluar mbrëmja gala- “Sportistët më të mirë për vitin 2015”, ku janë vlerësuar me çmime 10 sportistët më të mirë të këtij viti. Në këtë mbrëmje gala të ftuar kanë qenë personalitete të shquar të sportit, sportistë të sporteve të ndryshme, trajnerë, sportdashës, personalitete, akademikë dhe të ftuar nderi nga Kosova, por jo vetëm. Kjo mbrëmje është organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, me President z. Viron Bezhani. Mbrëmja gala është shoqëruar me emocione të shumta, pasi janë ndarë dhe 10 çmimet për sportistët më të mirë për vitin 2015. Sportistët që kanë fituar çmimet kanë qenë kampionë dhe fitues medaljesh në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare në sporte të disiplinave të ndryshme. Qëllimi i kësaj mbrëmje gala, organizuar nga KOKSH, ka qenë vlerësimi i sportit në tërësi, renditja e arritjeve që ka pasur sporti shqiptar në vitin 2015, në arenën ndërkombëtare, ku tashmë është pjesë e pandashme dhe Shqipëria. Vlerësim të veçantë ka pasur dhe për sportistët që kanë fituar çmime të ndryshme në arenën ndërkombëtare, të cilët kanë bërë krenarë çdo shqiptar, pasi kanë ngritur lart Flamurin Kombëtar në Lojërat Europiane. 
Fjala e Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Viron Bezhani
Fjalën e parë në këtë mbrëmje gala e ka mbajtur Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Viron Bezhani, i cili ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e kësaj mbrëmje dhe në veçanti sportistët që kanë dhuruar emocione të veçanta për të gjithë sportdashësit, duke ngritur flamurin tonë kombëtar lart në arenën ndërkombëtare. Në fjalën e tij, Presidenti i KOKSH, z. Bezhani ka vlerësuar sportistët për emocionet që ata kanë dhuruara, fitoret dhe titujt që ata tashmë gëzojnë si sportistë profesionistë. Gjithashtu, z. Bezhani ka theksuar, se sporti sot është në gjendje disi të vështirë, por me mbështetjen e njëri-tjetrit, ai po ecën më së miri, duke thyer barrierat, duke mos njohur më kufij. Në fjalën e hapjes së kësaj mbrëmje gala, z. Bezhani, nuk ka lënë pa prekur tre pikat kulminante që sporti shqiptar ka arritur në vitin 2015. E para është kualifikimi i Kombëtares Shqiptare në “Euro 2016”, një ngjarje e jashtëzakonshme. E dyta ka të bëjë me ngritjen e flamurit kombëtar në Lojërat Europiane dhe së treti është krijimi i shtëpisë së sportit shqiptar, pjesë e së cilës tashmë janë sportistët profesionistë. 
Ndarje çmimesh dhe emocione për sportistët dhe të ftuarit 
Të ftuar në ndarjen e çmimeve kanë qenë personalitete të sportit, akademikë të vendit, përfaqësues të Komitetit Olimpik Shqiptar, të cilët kanë pasur mundësinë t’u dhurojnë çmimet sportistëve për vitin 2015. Disa nga të ftuarit e kësaj mbrëmjeje, që kanë dorëzuar çmimet në duart e sportistëve më të mirë ka qenë: Rektori i Universitetit të Tiranë, z. Dhori Kule, zv. ministrja e Arsimit, Nora Malaj, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, zv. presidenti i KOKSH, Genc Ruli, z. Agron Cuka, Presidenti i Komiteti Olimpik Kosovar, z. Besim Hasani, znj. Marjeta Zaçe dhe shumë personalitete të tjera, të cilët ndanë emocionet me fituesit e kësaj mbrëmjeje. Nuk kanë munguar falënderimet për organizuesit e kësaj mbrëmjeje gala, të cilët kanë mbështetur në tërësi sportin shqiptar. Emocione janë transmetuar dhe nga fituesit e 10 çmimeve, të cilët kanë falënderuar mbështetësit e tyre, si dhe kanë treguar pak nga vështirësitë që ata kanë hasur në rrugën drejt suksesit, që ata tashmë gëzojnë, si dhe pritshmëritë që këta sportistë profesionistë kanë për vitin që vjen, vit, i cili është i mbushur me plot aktivitete të tjera, pjesë e të cilave do të jenë edhe sportistët shqiptarë. 
Sportistët më të mirë për vitin 2015
– Atletikë-Luiza Gega
– Boks-Arjan Kaloshi 
– Çiklizëm-Redi Aliaj
– FairPlay-Red Vogli
– Futboll-Sabien Lilaj
– Not-Nikol Merizaj
– Peshngritje-Briken Çalja
– Taekwondo-Egers Aliu
– Volejboll-Anton Qafarena
– Xhudo-Jon Vrenozi
Sigal