Komisioni i Etikës lë ankthin të vazhdojë, seanca tjetër ditën e mërkurë

444
Sigal

Dje u mblodh Komisioni i Etikës pranë FSHF në lidhje me shqyrtimin e takimeve të dyshuara për paracaktim rezultati që u luajtën në javën e 19-të të kampionatit mes Flamurtari-Teuta, Laçi-Partizani dhe Vllaznia-Kukësi. Mbledhja që u bë u përqendrua më shumë tek takimi mes Flamurtarit dhe Teutës, ku u thirrën dëshmitarët në lidhje më këtë çështje. Personat e paraqitur për të dhënë dëshminë e tyre ishin arbitri i ndeshjes, Kridens Meta dhe zyrtarët e ndeshjes, gjithashtu ishte edhe presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi dhe Drejtori Teknik Ardi Behari. Materialet e shumta në lidhje me këtë ndeshje kanë bërë që çështja të mos marrë një zgjidhje që në seancën e parë, duke shtyrë këtë për të mërkurën, ditë kur do të dëgjohet edhe për dy ndeshjet e tjera të dyshuara për trukim. Pikërisht për arsyen e materialeve, është kërkuar që të jetë Flamurtari-Teuta ndeshja që shqyrtohet e para, ndërkohë që dy të tjerat nuk pritet të kenë ndonjë shqyrtim kaq të thellë, gjithsesi të mërkurën edhe këtu do të thirren dëshmitarët për të hedhur më shumë dritë në këtë tunel që nuk i shihet fundi. Pavarësisht deklaratave, nuk është se pritej ndonjë vendim i Komisionit që në seancën e dytë, që shumë mirë mund ta quajmë të parën, pasi kjo çështje aktuale është e një rëndësie tjetër. Deri të mërkurën mbetet vetëm të imagjinohet ndonjë vendim i Komisionit, për të parë më tutje edhe se si do ta ndryshojë vendimi, cilido qoftë, ecurinë e Superligës, pasi potencialisht mund të kemi përjashtime të skuadrave, në rastin konkret është Teuta më e rrezikuara, por edhe nëse nuk ka përjashtime, minimumi do të ketë heqje pikësh, çka do të nxiste rifillimin e “luftës” për mbijetesë të dy vendeve të fundit, Elbasanit dhe Apolonisë. Gjithsesi, kjo analizë do të bëhet vetëm pasi të merret vesh dhe të zbardhet vendimi, deri atëherë vetëm do të pritet nga palët e interesit dhe nga tifozët e shumtë. Në fakt, kjo mbledhje është pak në kontradiktë me aktivitetet e disa nga skuadrave, ku kujtojmë që si Vllaznia, Flamurtari, Kukësi, Laçi dhe Partizani janë të përfshira edhe në Kupën e Shqipërisë, që është po të mërkurën, duke i mbajtur skuadrat disi në një “peng” por gjithashtu mund të rrezikojë të jetë edhe një shtyrje tjetër e vendimit të Komisionit, si pasojë e përdorjes së justifikimit për mospasje mundësi paraqitjeje për shkak të ndeshjeve. Por gjithsesi, ndeshja më e dyshuar është kapur nga themeli, që nga pyetjet drejtuar drejtuesve e deri në shikimin e dosjeve, voluminoze siç u tha, e nuk pritet të ketë devijime, kështu që, deri nesër do presim edhe ne që të kemi ndoshta një nga vendimet më të vështira për tu marrë nga ky Komision në historinë e Superligës.

Kupa e Shqipërisë, mes përmbytjeve dhe përgatitjeve

 Situata atmosferike aktualisht në Shqipëri është shumë kritike, ku për shkak të reshjeve të shumta dhe daljeve të lumenjve nga shtrati, pjesa jugore e vendit është përfshirë në një situatë të vështirë përmbytjeje. Duke parë këtë gjendje, mendohet që Kupa e Shqipërisë, që në bazë të datës së caktuar i ka nesër ndeshjet çerekfinale, mund të shtyhet ose mund të ndryshohen stadiumet e paracaktuara për zhvillimin e takimeve. Asgjë nuk është bërë zyrtare deri më tani, ndërkohë që e nesërmja paraqet takime shumë interesante, duke mos i lënë skuadrat të mendojnë aspak për javën e 21-të të kampionatit, por vetëm për ndeshjen e radhës. Si gjithmonë, të ndarë në dy grupe, A dhe B, tetë skuadrat luajnë ndeshjet e para të kësaj faze në Kupë. Flamurtari do të ndeshet me Skënderbeun, Partizani me Laçin (Grupi A) dhe Vllaznia pret Kukësin, ndërsa Tirana ndeshet me Apoloninë (Grupi B). Ndër të gjitha, është vendosur dhe se ku do i zhvillojnë ndeshjet skuadrat e Partizanit dhe Tiranës, duke qenë se nuk kanë akoma stadiumin e tyre gati, Partizani do të drejtohet për në Krujë, në stadiumin “Kastrioti” ndërsa Tirana në Fushë Krujë, në stadiumin “Redi Maloku”. Në fakt, Kupa e Shqipërisë fillon tani në fazën më të vështirë të saj, ku të gjitha skuadrat kanë pothuaj të njëjtin nivel e në ndeshje të tilla priten edhe surprizat.

 

Ndeshjet për Kupën e Shqipërisë

Grupi A

Flamurtari-Skënderbeu

Partizani-Laçi

Grupi B

Vllaznia-Kukësi

Tirana-Apolonia

Granit Xhaka, lojtar i M’Gladbah deri në vitin 2018

Zgjatja e kontratës deri në vitin 2018-të, ky është fillimi më i mirë i mundshëm i fazës së dytë të kampionatit për Granit Xhakës, i cili luan tek skuadra gjermane B. M’gladbah në Bundesligën gjermane. Zgjatja e kontratës erdhi si pasojë e formës shumë të mirë të futbollistit, që arriti të bënte një vend në formacionin zyrtar në të gjitha ndeshjet. Xhaka është pjesë e kësaj skuadre që në verën e vitit 2012, ku u ble nga skuadra e Bazelit të Zvicrës.

 Edgar Çani lë Katanian, kalon tek Lids Junajtid

Pasi u përfol gjatë në media, si ato italiane dhe angleze, futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Edgar Çani më në fund ka lënë futbollin italian për tu bashkuar me skuadrën angleze të Lids Junajtid që militon në kategorinë e dytë në Angli, në Championship. Për Çanin ishte e interesuar edhe skuadra e Barit, skuadër që ishte në huazim futbollisti në fjalë, por nuk ranë dakord me Katanian që është ekipi që gëzon kartonin e sulmuesit. Dje, Çani ishte tek skuadra e tij më e re për të përmbushur edhe kërkesat e fundit të kontratës. Po dje, Çani lajmëroi të gjithë tifozët e tij për kalimin tek Lids, pa harruar të falënderonte tifozët e Katanias dhe Barit për vitet e qëndrimit të tij aty.

  Përfundon çdo gjë, Shyrle i bashkohet Volsburgut

Dita e fundit e merkatos ka qenë shumë frytdhënëse për ekipin e Volsburgut që vetëm dje arriti që të zyrtarizojë blerjen më të bujshme, atë të Andre Shyrle nga Çelsi. Futbollisti gjerman nuk kishte më hapësirat e nevojshme tek “Blutë” e Londrës, e si pasojë e kësaj u shit tek klubi gjerman që sapo shkatërroi Bajernin e Mynihut 4-1 në ndeshjen hapëse të fazës së dytë të Bundesligës. Kujtojmë që ky është futbollisti i dytë që Volsburg blen nga Çelsi, pas Kevin De Bruyne që kaloi tek gjermanët janarin e 2014-ës.

 Formula 1/ Vettel shkëlqen me Ferrarin e tij, përsëri më i shpejti në Jerez

Duket se Vettel dhe Ferrari po fillojnë një histori dashurie që në ditët e para, ku gjermani po tregon se Ferrari mund të ringjallet duke qenë përsëri, edhe në ditën e dytë të testimeve në Jerez, më i shpejti në pistë. Ecuria e “kokëkuqes” është më se pozitive deri më tani, ku në të dy ditët e testimit të makinës, kohët e Vettel kanë qenë më të shpejtat, duke lënë pas vetes Hamiltonin dhe pilotin e McLaren, Button.

Vajushi, zyrtarisht lojtar i Kievos

Dita ditës prania e futbollistëve shqiptar në kampionatin italian të futbollit po shtohet. Më i fundit është padyshim Armando Vajushi që u bashkua vetëm dje me ekipin veronez. Pa dyshim që kjo lëvizje është një rritje në karrierë për shkodranin, e duke marrë parasysh moshën e tij të re, vetëm 23 vjeç, mund të ngjisë edhe më shumë hapa në karrierë. Por më përpara të ketë sukses te Kievo!

 Amir Rrahmani, në “lupën” e  Splitit të Kroacisë

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare U21 dhe aktualisht futbollist i Partizanit të Tiranës, Amir Rrahmani lidhet me kalimin e mundshëm tek skuadra kroate e Splitit, skuadër që ndodhet edhe Sokol Cikalleshi. Dje kanë qenë në ambientet e “demave” zyrtarë të ekipit  kroat, ku bëhet me dije se interesin e kanë pikërisht tek mbrojtësi 20 vjeçar, që ka shfaqur cilësi të mëdha në pozicionin që mbulon. Përveç përfitimeve financiare që mund të ketë Partizani, ana tjetër e medaljes tregon padyshim një humbje në cilësi, e kjo është diçka që nuk mund t’i gëzojë tifozët që kërkojnë medoemos fitoren e titullit kampion në fund të vitit.