Komisioni i Etikës bën gati “armët”, të hënën mbledhja e radhës

438
Sigal

Komisioni i Etikës, ashtu siç u parashikua, u mblodh dje në ambientet e Federatës së Futbollit, për të shqyrtuar ndeshjet e shumë përfolura të javës së 19-të, Flamurtari-Teuta, Laçi-Partizani dhe Vllaznia-Kukësi. Mbledhja e djeshme nisi punimet në ora 14:00, ku në fund të saj u vendos që të thirreshin dëshmitarë në lidhje me këto takime, ku sigurisht nuk do të mungojnë futbollistët dhe drejtuesit e klubeve që të japin dëshminë e tyre. Në ndeshjen Flamurtari-Teuta ka më shumë dyshime, ku u vu re një tolerim skandaloz i futbollistëve të Teutës ndaj sulmit të Flamurtarit, e ishte pikërisht kjo ndeshje që dha alarmin tek takimet e tjera, duke hedhur dyshime edhe tek Laçi-Partizani që gjithashtu i cilësua si e toleruar nga laçianët. E fundit që do të hetohet është ndeshja mes Vllaznisë dhe Kukësit, kjo jo se u vu re ndonjë lëshim si tek takimet e tjera, por sepse u bë një deklaratë nga një anëtar i këshillit Bashkiak të Shkodrës ku thuhej se Vllaznia kishte marrë një shumë të konsiderueshme parash që t’i linte tre ndeshjet Kukësit (bashkë me dy ndeshjet e Kupës). Në mbledhjen e djeshme, Komisioni vendosi edhe datën e mbledhjes së ardhshme, duke e lënë datën 2 shkurt si më të favorshmen e nisur nga kjo, vendim nuk do të ketë deri javën tjetër. Çfarë do që të ndodhë, pritet që futbollin shqiptar ta përfshijë tani një “stuhi” vendimesh në lidhje me veprimet antisportive që kryhen, diçka që nuk është se ka ndodhur më përpara, të paktën jo në nivel kombëtar.

 Duro: Nuk ka tolerime për Partizanin. Jemi të pastër!

Duke u nisur nga dyshimet e momentit për trukimin e mundshëm të takimit Laçi-Partizani foli dje edhe trajneri i Partizanit i cili u shpreh se ndihej shumë iq etë në lidhje me këtë fakt, pasi skuadra e tij nuk kishte të bënte me këto ngjarje: “Mund të konfirmoj ato që kam thënë pas ndeshjes në Laç edhe tani që jam më i qetë. Jam i kënaqur me ekipin për lojën e treguar. Pësuam një gol për gabim individual por më pas kemi dominuar. Kemi barazuar dhe kemi shëmuar një gol të rregullt që na u anulua. Përsa i përket minutave të fundit, ato që përfliten mund te them se Partizani nuk ka gisht fare dhe ne jemi të pastër”. Duro u ndal ndër të tjera edhe tek vështirësia e kampionatit dhe fakti se ndodhen 4 pikë poshtë Kukësit kryesues, duke thënë se akoma asgjë nuk ka përfunduar: “Çdo përballje është e vështirë. Apolonia do vlerësuar maksimalisht pasi luajti mirë ndaj Tiranës. Duhet vlerësuar shumë sepse ne luftojmë për titull. Duke iu referuar pjesës së parë në Laç, jemi në garë pasi do përballemi me kundërshtarët direkt edhe dy herë të tjera. Për këtë Apolonia duhet vlerësuar shumë që të nisim rrugën tonë të fitoreve”. Sa i përket seancës stërvitore që u zhvillua dje, trajneri Duro nuk pati në dispozicion mesfushorin Vila dhe sulmuesin Raçic, duke pritur fundin e javës për të parë nëse do të jenë gati apo jo për ndeshjen ndaj Apolonisë.

  Ndeshja Flamurtari-Teuta, objekt talljesh në mediat e huaja

 Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Gjithkush që e pa ndeshjen Flamurtari-Teuta, përveç neverisë së pashmangshme, ka provuar edhe pak “hare” të keqe, ku vihej re lëshimi i portës së Teutës dhe pamundësia e futbollistëve të Flamurtarit për të shënuar gol. Minutat e fundit të lojës, ato më tragjikomiket, kanë bërë xhiron e botës si një shembull konkret se si luhet një ndeshje e trukuar. Sigurisht që çdo gjë është sjellë në kontekstin tallës, ku si titull është vendosur “Ju lutemi qeshni me këtë skuadër që përpiqet të fitojë një ndeshje me rezultat të paracaktuar!”.