Koliçi bie dakord për transferimin te Skënderbeu, por kontrata me Kukësin është rinovuar vetë

549
Kukësi u eliminua nga turi i dytë i Ligës së Kampioneve, për të cilin u bënë përgatitje serioze dhe ishte investuar shumë nga presidenti Safet Gjici, duke nisur që nga faza përgatitore në Austri e deri te disa afrime cilësore dhe të shtrenjta për buxhetin e klubit verilindor.
Kështu, u afruan lojtarë si Naser (80 mijë euro në sezon) dhe i larguari Serran (60 mijë euro më sezon) etj, por natyrisht edhe ruajtja e boshtit të skuadrës që fitoi kampionatin. Por, me eliminimin Kukësi fillojnë edhe problemet, pasi klubi është në “ajër”, pasi plot shtatë lojtarëve shumë të rëndësishëm të Kukësit u kanë skaduar kontratat dhe janë të lirë, gjithashtu dhe trajnerit Ernest Gjoka.
PORTIERI
Enea Koliçi është një prej shtatë lojtarëve që u ka skaduar kontrata me Kukësin dhe aktualisht është i lirë. Gardiani ka bërë një sezon mjaft të mirë me Kukësin dhe për këtë arsye ka pasur disa kërkesa për të nga klube të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilat Okser në Francë, për të cilën pogradecari e ka pohuar vetë që ka ofertë konkrete dhe ka dëshirë të shkojë.

Por, gazeta zbulon një prapaskenë të Koliçit. 31-vjeçari do qëndrojë në kampionatin shqiptar dhe me shumë gjasa do transferohet te Skënderbeu. Madje, burime për gazetën thonë se Koliçi ka nënshkruar një parakontratë me korçarët dhe shumë shpejt kalimi i tij do bëhet zyrtar. Por, duket se gjërat nuk janë kaq të thjeshta.

Mësohet se lojtari është interesuar në FSHF dhe aty ka mësuar se kontrata e tij është rinovuar automatikisht edhe për një vit. Koliçi duhet të kishte lajmëruar më parë klubin nëse kërkonte të largohej. Situata pritet të bëhet e njëjtë si me Albi Allën ku palët mund të përfundojnë në gjyq për të zgjidhur këtë çështje. Në ditët në vazhdim pritet të shihet se si do të shkojë e gjithë kjo situatë.
Sigal