“Klubi i kuq” bën kërkesë zyrtare: “Duam fitoren e derbit në tavolinë”

417
Pas deklarates së bërë nga presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, në momentin e ndërprerjes së derbit në minutën e 65-të për marrjen e trepikëshit në tavolinë, administrata e klubit të kuq ka vepruar edhe zyrtarisht. Pak orë para luajtjes së 27 minutave të mbetura mes Tiranës dhe Partizanit, në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë zyrtare në të cilën kërkohet fitorja e ndeshjes në tavolinë, duke qenë se klubi pritës, që ishte Tirana, kishte dështuar në marrjen e masave të organizimit të takimit.
Sigal

Burime pranë FSHF-së kanë bërë me dije se në kërkesën e Partizanit, ndër të tjera thuhet: “Mospërmbushja e përgjegjësive për zhvillimin e ndeshjes ka prodhuar ndërprerjen e saj dhe në bazë të nenit 65 të Kodit të Disiplinës, duhet të nisë një proces disiplinor, si dhe humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 ndaj skuadrës pritëse FK Tirana”.

Por klubi i kuq nuk është ndalur me kaq e ka kërkuar edhe revokimin e licencës së stadiumit “Selman Stërmasi” për atë që ndodhi në derbi, me argumentimin se nuk ishin marrë masat për një linjë rezervë ose gjenerator pas ikjes së dritave. “Skuadra pritëse në rastet e ndriçimit artificial është e detyruar të ketë një linjë alternative energjie, e cila në bazë të verifikimeve në terren nuk ka qenë e vendosur, çka ka sjellë edhe cenimin e garës. Kështu që kërkojmë masën disiplinore gjobë shoqëruar me revokimin e licencës për luajtjen e ndeshjeve në stadiumin ‘Selman Stërmasi’”, thuhet në pretendimet e klubit të kuq.

Por zhvillimet e orëve në vijim, pas dërgimit të shkresës në FSHF, mund të detyrojnë klubin e kuq që të tërhiqet nga kjo pikë, duke qenë se ka nisur negociata me drejtuesit e Tiranës për të luajtur ndeshjet shtëpiake pikërisht në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Përgjegjësitë

Por klubi i kuq ka kërkuar edhe ndëshkime të zyrtarëve të FSHF-së që kanë qenë të deleguar për mbarëvajtjen e këtij takimi. “Duam që personat përgjegjës pranë institucionit tuaj që ishin ngarkuar me verifikimin e standardeve në ndeshjen Tirana-Partizani të mbajnë përgjegjësi”, kanë shkruar zyrtarët e klubit të kuq në kërkesën e tyre. Ata gjithashtu kanë bërë me dije se do të ndjekin të drejtën e tyre deri në fund dhe duan nga FSHF-ja që pretendimet e tyre të shqyrtohen me përgjegjësi, duke përmendur se do të ndiqen hapa civilë dhe penalë në lidhje me çështjen në fjalë.

Takimi mes Tiranës dhe Partizanit u ndërpre për shkak të një problemi elektrik që kishte në zonën ku ndodhet stadiumi “Selman Stërmasi”. Edhe pse vetëm një minutë pas marrjes së vendimit për të ndërprerë ndeshjen, energjia në stadium u rikthye, skuadrat u larguan nga impianti dhe pjesa e mbetur e takimit u zhvillua një ditë më pas, në orën 14:00. Derbi i dytë i kryeqytetit për këtë sezon futbollistik përfundoi në barazim pa gola.