Klavio Meça, dy rekorde në Mitingun e Lubjanës

948
Sigal

Notari i “Te Stela” theu pas 32 vjetësh rekordin në 800 m stil i lirë. Rekord edhe në 400 m stil i lirë

Klavio Meça vendosi dy rekorde të reja kombëtare në not në 400 dhe 800 metra stil i lirë në edicionin e 39-të të mitingut ndërkombëtar “Ljubljana City Cup” të zhvilluar në datat 24-25 maj në Pishinën Komunale të Kodeljovës, në Lubjanë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që ai ka, ndërkohë që noti shqiptar bën një tjetër prezantim dinjitoz në pishinat ndërkombëtare. Kohët e reja të vendosura nga notari i talentuar Klavio Meça ishin 4:15.77 në 400 m stil i lirë (636 pikë FINA) dhe në 800 m stil i lirë 8:54.94 (603 FINA), madje në 800 m, Meça ka thyer të vetmin rekord të mbijetuar që nga viti 1982, pikërisht të mbajtur nga notari i Lokomotivës së Durrësit, Petrit Guma, me kohën 9:32.90, por të vendosur në pishinën me ujë të kripur. Pra, një rekord historik nëse mund të shpreheshim kështu, pasi bëhet fjalë për një kohë të re që vendoset pas 32 vjetësh. Shqipëria, e cila paraqitej për herë të parë në këtë miting, u përfaqësua me katër notarë: Klavio Meça (Akademia e Notit Te Stela), Johan Ceka (Teuta), Spiro Goga (Teuta) dhe Dhimitër Noçka (Teuta). Në këtë aktivitet ndërkombëtar morën pjesë 750 notarë nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Italia, Çekia, Maqedonia, Sana Marino, Turqia, Sllovenia dhe Katari (mori pjesë për herë të parë). Kampionati ishte tepër i fortë dhe me notarë cilësorë e të njohur në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që garat u kryen të ndara në tri kategori për efekt moshash (A, B, C). Meça mori pjesë në Kategorinë B, ndërkohë që Ceka e Moçka në atë C dhe Goga në atë D.

REKORDET

Vetëm pak një muaj më parë në Kampionatin Ballkanik për të Rinj e të Reja të zhvilluar në datat 26-27 prill në Larisa të Greqisë, Klavio Meça regjistroi kohën 4:16.47, duke e ulur me më shumë se dy sekonda rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Edvin Zekthi (aktualisht stërvitet në SHBA) me kohën e vjetër 4:18.36. Por, mitingun e Lubjanës, Meça i bëri një “refresh” rekordit të tij, duke e thyer atë me kohën 4:15.77, pra me 60 të qindtat më të mirë. Një rekord që, bën jo vetëm krenar notarin, por dhe Federatën Shqiptare të Notit. Gara në Kategorinë B të 400 stil i lirë ishte e ashpër, teksa nga 15 pjesëmarrës, Meça regjistroi kohën e 8-të të mirë duke lënë pas shtatë notarë italianë, turq, maqedonas, sllovenë. Rezultatin më të mirë në këtë garë e regjistroi slloveni Blazh Dempashar me kohën 4:09.29 (687 pikë FINA), ndërkohë që ia vlen të theksojmë se notari i vendit të fundit, italiani Luka Dalla Riva i Triestian Nuoto kapi kohën 4:35.82 (507 pikë FINA), pra më shumë se 20 sekonda larg kohës së regjistruar nga shqiptari. Rekordin e aktivitetit në kategorinë B të 400 m stil i lirë e mban Urosh Jedlovçnik me kohën 4:07.29 (të fiksuar në vitin 2006). Në fakt, Meça u përpoq fort për të kapur kohën e pranimit me normë të kualifikimit në 400 m stil i lirë, 4:10.14, në Olimpiadën Rinore Olimpike “Nanjing 2014”, që do të zhvillohet gjatë muajit gusht në Kinë. Gara tjetër e Klavio Meçës ishte ajo e 800 metrave stil i lirë, në të cilën ai regjistroi kohën 8:54.94 (603 pikë FINA), pra gati 22 sekonda më mirë sesa rekordi i mëparshëm i mbajtur nga notari i Lokomotivës së Durrësit, Petrit Guma, me kohën 9:32.90, por e theksojmë të vendosur në pishinën me ujë të kripur. Kohën më të mirë në këtë garë (gjithmonë për kategorinë B) e zuri slloveni Zhan Pogaçar me 8:25.89 (713 pikë) dhe që rezultoi madje si kohë më e mirë edhe në raport me atë të realizuar nga italiani Lorenco Zagli (8:40.84- 654 pikë FINA), me këtë të fundit që garoi në kategorinë A. Koha më e mirë në këtë garë është 8:22.20 i vendosur në vitin 2008. Duhet nënvizuar fakti se, po Ballkanikun e Larisës (26-27 prill 2014), Klavio Meça vendosur rekordin në garën e 1500 metrave me kohën 16:55.24, duke përmirësuar kohën po të mbajtur prej tij në shifrat 17:31.86, i vendosur në shtator të vitit të kaluar në Kampionatin Kombëtar të Notit të pishinën 50-metërshe të Akuadromit të Tiranës. Pra, këtë vit Meça ka vendosur katër rekorde.

TË TJERËT
Tre notarët e tjerë shqiptarë, Spiro Goga, Johan Ceka dhe Dhimitër Noçka bënë paraqitje të mirë, pavarësisht se në garat e tyre pati një konkurrencë shumë të fortë. Kështu, 16-vjeçari Johan Ceka i Teutës, i cili mori pjesë në Kategorinë C, regjistroi në 200 m stil i lirë kohën 2:08.24 (503 pikë FINA), duke i renditur i 18-ti nga 25 pjesëmarrës. Koha më e mirë ishte 1:58.31 (640 pikë FINA) e regjistruar nga italiani Lorenco Muti. Në 100 m stil i lirë, Ceka vendosi kohën 59.33 (494 pikë FINA), duke u renditur i 17-ti nga 22 pjesëmarrës. Kohën më të mirë e vendosi turku Atalaj Onol me 53.99 (655 pikë FINA). Në 800 m stil i lirë, Ceka regjistroi kohën 9:29.59 (500 pikë FINA). Dhimitër Noçka (17 vjeç) mori pjesë në tre gara: në 50 m stil i lirë regjistroi kohën 28.40 (399 pikë FINA, i 21-ti nga 25 pjesëmarrës); në 50 m shpinë kapi kohën 32.16 (417 pikë FINA, i 10-ti nga 13 garues) dhe në 50 m bretkosë kohën 36.01 (406 pikë FINA). Spiro Goga, 13 vjeç, i cili mori pjesë në kategorinë D (të vegjlit) regjistroi kohën 1:16.40 (277 pikë FINA) në 100 delfin (i 35-ti nga 82 pjesëmarrës). Në 100 m stil i lirë, Goga regjistroi kohën 1:06.17 (356 pikë FINA, i 35-ti nga 110 pjesëmarrës). Në 200 m stil i lirë, notari i Teutës e fiksoi kronometrin në kohën 2:23.17 (361 pikë FINA). Kohët e arritura nga notarët tanë janë marrë nga faqja zyrtare e aktivitetit, në adresën http://www.timingljubljana.si/plavanje/online/plavanje.html.

REZULTATET E NOTARËVE SHQPTARË

Klavio Meça

Akademia e Notit te Stela (dtl. 1996)

400 m stil i lirë   4:15.77 (636 pikë FINA)

Rekord i ri Kombëtar (i vjetri 4:16.47)

800 m stil i lirë   8:54.94 (603 pikë FINA)

Rekord i ri Kombëtar ( i vjetri: 9:32.90)

Johan Ceka

Teuta Durrës (dtl. 1997)

100 m stil i lirë   59.33 (494 pikë FINA)

200 m i lirë         2:08.24 (503 pikë FINA)

800 m stil i lirë   9:29.59 (500 pikë FINA)

Dhimitër Noçka

Teuta Durrës (dtl. 1996)

50 m shpinë        32.16 (417 pikë FINA)

50 m stil i lirë            28.40 (399 pikë FINA)

50 m bretkosë            36.01 (406 pikë FINA)

Spiro Goga

Teuta Durrës (dtl. 2001)

100 m delfin              1:16.40 (277 pikë FINA)

100 m stil i lirë   1:06.17 (356 pikë FINA)

200 m stil i lirë   2:23.17 (361 pikë FINA)

 Shqipëria, dy medalje në badibilding

 Shqipëria e mbyll me dy medalje Kampionatin e pestë Europian të Badildingut dhe Fizikut që u zhvillua në Prishtinë. Dorina Mema dhe Armend Marku u nderuan me medalje të veçanta në këtë eveniment ku garuesja shqiptare arriti të renditej e treta në kategorinë superiore te fitnesit. Në këtë eveniment morën pjesë 17 vende ku Hungaria arriti të pozicionohej e para me 347 pikë, e ndjekur nga Kosova me 97 dhe Belgjika me vetëm 4 pikë më pak.

Në 17 shtetet pjesëmarrëse, Hungaria u prezantua me 27 garues, Kosova me 12, ndërsa 6 sportistë udhëtuan nga Shqipëria.

Besa konfirmon teknikun Mërgjyshi

 Besa nuk arriti të qëndronte në Superiore për shumë arsye por kjo nuk ndalon drejtuesit e ekipit kavajas të kërkojnë qëndrimin e Artan Mërgjyshit në stol edhe në Kategorinë e Parë. Presidenti Bizhdili ka vlerësuar punën e timonierit të skuadrës madje nuk e ka akuzuar asnjëherë si fajtor për rënien një kategori me poshtë ndaj pritet të Mërgjyshi të qëndrojë duke respektuar kontratën dy-vjeçare me Besën.