Kili poshtëron Spanjën, kualifikohet edhe Holanda

39

Kampionët e Botës kthehen në shtëpi. Fundi i “tiki-taka”. Edhe Australia pret biletën

 Spanja jashtë Botërorit! Ashtu si Franca në 2002! Kampionët e Botës u mundën 2-0 nga Kili, duke pësuar humbjen e dytë në po aq ndeshje dhe tashmë u mbetet të përgatitet për t’u kthyer në shtëpi. Ishte ky fundi i paralajmëruar i versionit “Tiki-taka”, që sundoi planetin në gjashtë vitet e fundit, me dy tituj Europianë (2008, 2012) dhe një Bote (2010). Kazijas, Iniesta, Diego Kosta e kompani nuk arritën të rikuperoheshin psikologjikisht nga humbja dramatike 5-1 me Holandën, dhe nuk u shfaqën aq sa duhet rrezikshëm në portën kiliane. Kombëtarja amerikano-jugore shënoi me anë të Vargasit në minutën e 20-të (luan në Spanjë me Valencian) dhe dyfishoi me anë të Aranguit në të 43’ (luan në Brazil me Inernational). Shtatë gola të pësuar në 180 minuta janë shumë për një ekip që pretendon të mbrojtë titullin, por tani kjo ide është shuar përfundimisht. Tani në grupin B mbetet për t’u zbardhur se cili ekip do ta mbyllë në vendin e parë, Holanda apo Kili, për të shmangur përballjen direkt me Brazilin.

Kristiano Ronaldo i jep fund Botërorit?

 Kristiano Ronaldo i thotë lamtumirë Botërorit pas vetëm një ndeshjeje? Lajmi qarkulloi në të gjitha mediat, të cilat citojnë burime nga kampi portugez. Fituesi i “Topit të Artë” vuan nga një dëmtim në gju, dhe atij i duhet të zgjedhë: ose të vazhdojë të luajë në “Brazil 2014” dhe të rrezikojë me fundin e karrierës, ose të largohet dhe të presë rikuperimin përfundimtar. Mjeku i Portugalisë e ka këshilluar t’i japë fund Botërorit. Një yll largohet pa treguar asgjë, pasi në ndeshjen e parë, Portugalia humbi 4-0 me Gjermaninë.

 Gizel Bundchen dorëzon trofeun?

 Kush do ta dorëzojë trofeun e Kupës së Botës? Spekulimi i radhës e vendos trofeun prestigjioz në duart e modeles Gizel Bundchen. Sipas “Boston Globe”, bukuroshja braziliane përflitet si një nga emrat e mundshëm për të dorëzuar trofeun te fituesi i 13 korrikut. 33-vjeçarja mendohet të zëvendësojë presidenten e vendit, Dilma Rousef, e cila është vënë në qendër të kritikave për shpenzimet marramendëse. Katër vjet më parë, në Johanseburg ishte Blatter ai që dorëzoi kupën në duart e kapitenit të Spanjës, Iker Kazijas, por raportimet e kohëve të fundit që e lidhin me disa çështje të dyshuara në FIFA, e kanë ulur ndjeshëm popullaritetin e zviceranit. Gizel Bundchen është një nga femrat më popullore në Brazil, madje ajo konsiderohet edhe si imazhi i Brazilit në mbarë globin.

  Sulmuesi serb i lindur në Prishtinë ka luajtur në Turqi, Ukrainë dhe Kazakastina

 Kukësi firmos me Ivan Periçin

 Kukësi bën një tjetër goditje të rëndësishme në merkato. Nënkampionët e Shqipërisë rekrutojnë një tjetër ballkanas, për të forcuar sulmin. Pas blerjes së kroatit të Skënderbeut, Pero Pejiç, me Kukësi bashkohet edhe sulmuesi Ivan Peric. 32-vjeçari i lindur në Prishtinë ka pasaportë serbe dhe skuadra e tij e fundit ishte ekipi turk i Mersinit. Peric e ka nisur karrierën si profesionist në vitin 2006 me Arsenalin e KIevit dhe në po të njëjtin vit u transferua në Kazakistan te Shakhtar Karagandy. Po në Kazakistan, ai është aktivizuar edhe në radhët e skuadrave Zhetysu, Aktobe dhe Taraz. Me blerjen e Peric, Kukësi duket se e ka kompletuar repartin e sulmit për sezonin e ardhshëm. Me emërimin e Agim Canajt në krye të stolit, shoqëria ka nisur nga puna për ngritjen e një grupi që do ta fillojë betejën e këtij sezoni që me përballjet paraeliminatore të Europa League. Në fillim të javës, Kukësi të tijin kryegolashënuesin e sezonit të fundit në Kategorinë Superiore me Skënderbeun, Pero Pejiçin. Kroati i shoqëruar dhe nga menaxheri i tij Elton Marini firmosi një kontratë njëvjeçare me numrin një të Kukësit Safet Gjici. Një tjetër përforcim në vijën e parë është dhe Kushtrim Lushtaku, i cili i bashkohet kolonisë së kosovarëve në radhët e nënkampionëve të Shqipërisë. Sezonin e fundit Lushtaku ka qenë pjesë e Fortunës së Këlnit (Bundesliga 2). Ai më parë ka luajtur me Drenicën në Kosovë, ndërsa në për dy sezone (2011,2012) ka luajtur me Orebron në Suedi

Tre parashikimet e ndeshjeve të sotme

 Kompanitë më të mëdha të basteve parashikojnë fitoret e Kolumbisë ndaj Australisë, Anglisë me Uruguain dhe Japonisë me Greqinë. Kështu, fitorja e Kolumbisë ndaj Australisë parashikohet me koeficientin 2.10 kundrejt 3.60 të Bregut të Fildishtë (barazimi 3.30). Fitorja e Anglisë është parashikuar me koeficientin 2.14 kundrejt 3.48 të Uruguait (barazimi 3.36). Edhe fitorja e Japonisë ndaj Greqisë fqinjë është e “dukshme”. Kështu, fitorja e japonezëve është kuotuar me 2.15 kundrejt 4.45 të grekëve. Barazimi është 3.32

 Parashikimet e basteve 1X2

Kolumbi-Bregu i F.   2.10       3.30       3.60

Uruguai-Angli           3.48       3.36       2.14

Japoni-Greqi              2.15       3.32       4.45

Parashikimet e “Telegraf”

18:00 Kolumbi-Bregu i Fildishtë   (fiton Kolumbia)

21:00     Uruguai-Angli                 (fiton Anglia)

00:00     Japoni-Greqi                    (fiton Greqia)