Ketsbaia hedh dorezën: “E mund sërish De Biazin”

580
Sigal

 Trajneri i Gjeorgjisë: “I kam shënuar golin Shqipërisë, kur fituam për herë të parë në vitin 1994”

Trajneri i Gjeorgjisë, Temuri Ketsbaia (48 vjeç), është i bindur se rezultati është i hapur në ballafaqimin e sotëm me Shqipërinë. Duke folur për gazetën “Telegraf’, Ketsbaia tha se, “fatkeqësisht, ne nuk jemi 100 për qind gati për këtë ndeshje, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve vijnë pas pauzës së gjysmës të sezonit”. “por gjithsesi, nesër (sot) kërkoj që djemtë e mi të bëjnë një ndeshje të mirë, dhe pse dhe të marrin një rezultat të mirë dhe ta fitojnë ndeshjen”, – theksoi ai. Me Ketsbainë në bankinë, Gjeorgjia fitoi 2-1 kundër Shqipërisë së De Biazit, në Tbilisi, një ndeshje e luajtur shkurtin e vitit të kaluar.

– Zoti Ketsbaia, Gjeorgjia do të luajë nesër (sot) me Shqipërinë, në Tiranë. Si e parashikoni atë?

– Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, apo një zyrtare. Një trajner i trajton të dyja njësoj. Të fitosh është gjithmonë e rëndësishme dhe të ngre moralin, veçanërisht përpara ndeshjes të vlefshme për kualifikueset e Botërorit, që ne do ta luajmë muajin e ardhshëm. Fatkeqësisht, ne nuk jemi 100 për qind gati për këtë ndeshje, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve vijnë pas pauzës së gjysmës të sezonit, ashtu siç pres t’i kem të gjithë në ndeshjen kundër Francës. Gjithsesi, është e këndshme të luash kundër Shqipërisë. Është një ekip i mirë, ka lojtarë shumë të mirë dhe është gjithmonë gati për të luajtur ndeshje të tilla.

 – Çfarë rezultati synoni?

 – Për të qenë i sinqertë, dua të theksoj se dëshiroj të shohim gjendjen e lojtarëve tanë, por gjithsesi, nesër (sot) kërkoj që djemtë e mi të bëjnë një ndeshje të mirë, dhe pse dhe të marrin një rezultat të mirë dhe ta fitojnë ndeshjen. Dua të theksoj, se një pjesë e lojtarëve tanë kyç nuk e kanë filluar ende kampionatin pasi luajnë në Rusi, Ukrainë. Për hir të së vërtetës, ne nuk jemi në formë të mirë, por shpresoj që lojtarët që kam këtu të bëjnë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv.

 – Nëse do t’i referoheshim statistikave, në 12 ndeshje të luajtura midis dy ekipeve, Gjeorgjia ka fituar shtatë, ndërsa Shqipëria vetëm tri…

 – E di që kemi zhvilluar shumë ndeshje dhe se ne kemi kemi fituar më shumë. Unë shpresoj që, ne të vazhdojmë të fitojmë ndaj Shqipërisë (qesh). Më vjen mirë që, ta theksoj se ne kemi luajtur së bashku shumë ndeshje zyrtare dhe miqësore. Federatat e dy vendeve tona marrëdhënie shumë të mira. Shqipëria është një vend shumë i këndshëm. Ne mund të vazhdojmë të punojmë së bashku, pra të bëjmë sa më shumë ndeshje.

 – Gjeorgjia fitoi 2-1 me Shqipërinë, një vit më parë në Tbilisi. Si e kujtoni atë ndeshje?

 – Mendoj se ishte një ndeshje e mirë. Ne bëmë disa gabime në pjesën e parë, kur dhe Shqipëria shënoi e para golin. Ne luajtëm më mirë në pjesën e dytë. Në përgjithësi, ishte një ndeshje shumë interesante.

– Dy ndeshjet e fundit të Gjeorgjisë në Shqipëri janë mbyllur në barazim, 0-0 në vitin 2006 dhe 1-1 në vitin 2009.

 – Po, në ndeshjen e parë, atë 0-0, trajner ka qenë gjermani Klaus Topmëler, teksa edhe te Shqipëri, mesa di ka qenë gjermani Hans Peter Brigel. Në barazimin e dytë ishte argjentinasi, Hektor Kuper, të cilin e zëvendësova unë në bankinë.

– Ju e njihni disi Kombëtaren e Shqipërisë. Kujt lojtarëve u frikësoheni më shumë?

 – Nuk dua ta përmend fjalën frikë, pasi të dyja skuadrat tona nuk kanë lojtarë të mëdhenj. Gjithsesi, Shqipëria ka lojtarë të mirë që luajnë në ekipe të mira në Europë dhe luajnë në Itali, Gjermani, disa prej tyre luajnë dhe në Greqi. Në fakt, gjithmonë Shqipëria ka pasur lojtarë të mirë. Ka qenë gjithmonë e vështirë për ne., të luanim kundër Shqipërisë.

 – Gjeorgjia do të luajë, më 22 mars kundër Francës për eliminatoret e Botërorit. Si e parashikoni?

 – Absolutisht, një ndeshje shumë të vështirë. Por, do t’u bëjë mirë lojtarëve, do t’i motivojë më shumë. Të luash kundër një ekipi të madh si Franca, në “Stade de France”, përpara 80 mijë shikuesve është një gjë e bukur. Ne kemi një ekip shumë të ri dhe për lojtarët e rinj është një përvojë e mirë.

 – Ju keni qenë trajner i Anorthosis Famagusta, një prej ekipeve më të suksesshme qipriote, i pari që kaloi në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve (në sezonin 2008-2009). Si e kujtoni atë?

 – Po, atë vit ne patëm një ecuri të mirë në Europë, por ne kemi pasur një ecuri të mirë dhe në Qipro. Atëherë eliminuam Olimpiakosin, një gjë e pabesueshme. Luajtëm më pas në fazën e grupeve kundër Interit, Çelsit dhe Verder Bremenit, duke grumbulluar gjashtë pikë. Në pesë vitet e mia atje (2004-2009), ne ishim skuadra më e mirë në Qipro. Fitova dy kampionate, një Kupë dhe një Superkupë, plus kualifikimit në Ligën e Kampioneve. Te Anorthososi unë pata dhe një lojtar të Kombëtares shqiptare, portierin Arjan Beqaj. Ishte me të vërtetë një lojtar shumë e mirë. E di që tani është trajner portierësh dhe i uroj atij sukses.

 – Cili është niveli i kampionatit gjeorgjian, në raport me atë shqiptar?

 – Niveli i kampionatit tonë nuk është shumë i mirë. Ne shpresojmë se, në të ardhmen ai do të jetë më i mirë. Për momentin, mund të jetë paksa më i mirë se ai Shqipërisë. Ne nuk kemi shumë lojtarë që luajnë jashtë, por kemi një brez të mirë futbollistësh të rinj. Aktualisht, kam pak lojtarë në ekipin Kombëtar të cilët luajnë në Gjeorgji.

 – A investohet shumë për futbollin në Gjeorgji?

 – Jo dhe aq shumë. Nëse nuk hedh para në futboll, atëherë ju do të mbeteni gjithmonë pas. Njerëzit nuk po hedhin para, vetëm qeveria gjeorgjiane po hedh para, por ato janë të pamjaftueshme nëse kërkon një futboll cilësor. Politikisht, gjerat janë duke ndryshuar në Gjeorgji, dhe ndoshta në të ardhmen do jetë dikush që do të dëshirojë të hedh para në futboll.

“Demollari, një lojtar i shkëlqyer”

Trajneri i Gjeorgjisë ishte pjesë e skuadrës kombëtare të vendit të tij, kur ajo mundi Shqipërinë në ndeshjen e parë midis dy vendeve, më 14 dhjetor 1994, një takim i vlefshëm për eliminatoret e Euro 1996. “E kujtoj mirë atë ndeshje, pasi ishte hera e parë për mua që luaja në Shqipëri, madje fituam 1-0 me golin tim. Kombëtarja juaj kishte një lojtar me numrin 10, Demollarin, një futbollist i shkëlqyer. Ai e goditi tri herë portën në pjesën e parë. Unë njoh shumë mirë edhe Edvin Muratin, i cili ka luajtur në Francë dhe Greqi. E takova Muratin vitin e kaluar në Paris. Gjithashtu, njoh edhe Altin Haxhin, me të cilin kam luajtur një vit në Qipro. Bogdanin e vlerësoj për faktin, që ka luajtur në nivele të larta, por çmoj shumë dhe Lorik Canën”.

PRECEDENTËT ME GJEORGJINË

14.12.1994, zyrtare

Shqipëri-Gjeorgji 0-1

26.04.1995, zyrtare

Gjeorgji-Shqipëri 2-0

08.02.1998, turne nd.

Shqipëri-Gjeorgji 0-1

05.09.1998, zyrtare

Gjeorgji-Shqipëri 2-0

09.10.1999, zyrtare

Shqipëri-Gjeorgji 2-1

06.09.2003, zyrtare

Gjeorgji-Shqipëri 3-0

10.09.2003, zyrtare

Shqipëri-Gjeorgji 3-1

08.09.2004, zyrtare

Gjeorgji-Shqipëri 2-0

04.06.2005, zyrtare

Shqipëri-Gjeorgji 3-2

22.03.2006, miqësore

Shqipëri-Gjeorgji 0-0

10.06.2009, miqësore

Shqipëri-Gjeorgji 1-1

29.02.2012, miqësore

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

Bilanci: 12 ndeshje; 3 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje

Cana dhe Bogdani: “E dimë detyrën!”

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, dhe golashënuesi më i mirë i Kombëtares, Erjon Bogdani (17 gola) e kanë të qartë detyrën e tyre në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, ndeshjes miqësore që do të luhet sot në “Qemal Stafa” (19:00). Cana dhe Bogdani folën me tone entuziaste gjatë konferencës për shtyp, duke vlerësuar faktin se tani skuadra ka shumë lojtarë të rinj, të tillë si Vajushi, Hysaj, Bala, Vucaj, Roshi, Sadiku e Telushi, por pa harruar edhe të tjerë, shihen nga Bogdani dhe Cana si e ardhmja e kuqezinjve. “Më vjen mirë që në ekipin Kombëtar sot ka shumë futbollistë të rinj që kanë cilësi dhe aftësinë për të mbajtur veshur fanellën kuqezi”, tha Bogdani. “Në skuadër ka kualitete dhe jo pak konkurrencë. Sigurisht që duhet të marrim më tepër rezultate të mira. Ne kemi ndjekur në DVD ndeshjen kundër Kamerunit. Kam vënë re që skuadra luajti shumë mirë dhe e ushtroi në mënyrën e duhur presionin duke krijuar shumë raste për shënim. Besoj që në një të ardhme të shkurtër do të ketë përmirësime”.

Sulmuesi Bogdani u shpreh që në sfidën e nesërme (sotme) duhet dhënë maksimumi pasi është një test i rëndësishëm për skuadrën, kur jemi 45 ditë larg nga ndeshja kundër Norvegjisë. “Ka kaluar rreth 3 muaj që nga ndeshja e fundit. Sigurisht që sfida kundër Norvegjisë është një test shumë i rëndësishëm dhe nuk ka vend për mosimpenjim maksimal. Duhet të shohim gjendjen e skuadrës dhe besojmë që do të marrim një rezultat pozitiv” përfundoi sulmuesi Erjon Bogdani. Në të njëjtën linjë me sulmuesin është edhe kapiteni Lorik Cana. “Ekipi Kombëtar është rinovuar dhe lojtarët e rinj po punojnë mjaft mirë. Ata janë e ardhmja e Kombëtares. Nga Gjeorgjia tek Gjeorgjia, kanë kaluar një vit dhe mundësitë për djemtë e rinj kanë qenë të mëdha. Personalisht jam optimist dhe besoj që në të ardhmen ekipi do të forcohet akoma më tepër”, tha Cana.