Kërkohet miqësore pas Italisë, FSHF-ja pret përgjigjen e Bosnjës

464
Trajneri Xhani De Biazi ka kërkuar që të zhvillojë një miqësore në muajin mars, pas ndeshjes kundër Italisë, në mënyrë që të ketë mundësinë të testojë lojtarë para sfidës së radhës të kuqëzinjve, atë të qershorit ndaj Izraelit. Kjo ka vënë në lëvizje FSHF-në e cila ka kontaktuar disa federata europiane për zhvillimin e një ndeshjeje të tillë në fundin e muajit mars, pak ditë pas udhëtimit përtej Adriatikut.
Meqë Shqipëria luan të premten më datë 24 mars sfidën në Palermo, ajo ka mundësinë konkrete që të zhvillojë një tjetër duel deri të martën, më 28 mars, që cilësohet si data e fundit e lirë nga FIFA dhe ku kombëtaret mund të kenë të gjithë futbollistët në dispozicion. Gjatë kohëve të fundit ka pasur kontakte intensive me federata të tjera dhe një prej më të mundshmeve për këtë takim duket Bosnjë-Hercegovina.
Konfirmimin e dha trajneri i kombëtares boshnjake, Mehmed Bazhdareviç. “Na kanë ardhur kërkesa nga Shqipëria, Austria dhe Republika Çeke. Presim edhe një kërkesë të katërt në këto ditë, por besoj para fundit të javës, do të zgjedhim miqësoren që do të luajmë dhe ku planifikoj të testoj lojtarët e rinj”, deklaroi Bazhdareviç për mediat boshnjake. Një përgjigje e tillë lë të kuptohet se Bazhdareviç nuk kërkon një kundërshtar shumë të fortë, ndaj mundësitë e zhvillimit të këtij dueli janë shumë të mëdha.
Bosnjë-Hercegovina luan të shtunën më 25 mars ndeshjen e saj të kualifikueseve të Botërorit 2018 ndaj Gjibraltarit dhe më pas nuk ka ndeshje tjetër, ndaj mund të luajë një miqësore në mesjavë, ashtu si Shqipëria. 
Sigal