Kërcënon Seria A, kundër reformës në Champions: Jemi gati për grevë

99

Është një luftë e plotë për reformën e Ligës së Kampionëve (Superchampions); propozuar nga UEFA dhe ECA (Shoqata e Klubeve Europiane të Futbollit).

Një reformë e dëshiruar nga Andrea Agnelli, ndër të tjerë. Kundërshtimi nga Italia është aq i fortë, sa Luigi De Siervo, administratori i deleguar i “Lega Serie A”, i intervistuar të hënën në mëngjes nga “Radio Anch’io Sport”, nuk përjashtoi format ekstreme të protestës:

“Nëse UEFA dhe ECA nuk do t’i pranojnë kërkesat tona, ne ndoshta do të krijojmë një front të bashkuar midis kampionateve kombëtare, me pasoja të rënda, deri edhe grevë. Kjo situatë mund të dëmtojë vetëm futbollin”.

Nga ana tjetër, ditët e fundit nuk kanë munguar edhe zëra të tjerë kritikë kundër reformës së Champions-it, duke filluar nga Urbano Kajro, presidenti i Torinos:

“Ide e keqe, e padrejtë, e papranueshme. Kampionatet kombëtare do të privohen nga kuptimi, duke shkaktuar dëm sportiv, ekonomik, social dhe kulturor. Kam kohë që e them, madje kemi besuar se burimet financiare duhet të shpërndahen më në mënyrë të barabartë për klubet, siç na mëson Premier League.

Ai është model i suksesit, por ne na prezantohet dhe duhet të pranojmë një sistem më të pabalancuar”.

Po çfarë sjell reforma në fjalë? Liga e Kampionëve do të shndërrohej në një Super League, me Europa League 1 dhe 2.

Mes pikave më të kontestuara është struktura e garave të reja, që ofrojnë një sistem ndryshe të ngjitjeve dhe zbritjeve të skuadrave.

Nga 32 pjesëmarrës, 24 prej tyre do të merrnin pjesë në modelin e ri të Ligës së Kampionëve edhe në sezonin pasues, bazuar në rrugëtimin e treguar në fazën e grupit. Kësisoji, bëhet i pavlefshëm vendi që zë në kampionatin kombëtar respektiv.

Një fyerje e papranueshme për shumë klube.