Kejdi Bare lojtar interesant, dyert e hapura në Kombëtare

714
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA/ Trajneri Panuçi vazhdon “survejimin” e legjionarëve, ka ndjekur një nga më të spikaturit në turneun “Audi Cup” 
Ai nuk ka shkuar në Gjermani, por nga ekrani i TV ka ndjekur me vëmendje ndeshjet e Turneut Ndërkombëtar “Audi Cup”, të cilat po luhen në Gjermani. Kështu ka ndodhur këtë javë me trajnerin e Kombëtares sonë Kristian Panuçi, i cili dje në mediet italiane, por edhe në mediet e shkruara këtu në Shqipëri, ka treguar se Kejdi Bare, futbollisti i Atletikos së Madridit, është një futbollist interesant. Skuadra spanjolle e drejtuar nga argjentinasi Diego Pablo Simeone, po merr pjesë në Turneun Ndërkombëtar “Audi Cup” në Gjermani, një turne presitigjioz ky, në të cilin marrin Atletiko Madrid, Liverpul, Bajern Mynih dhe Napoli. “Sikundër prezantohet në fushë, mua më pëlqen shumë Bare. Këtë e pashë edhe në ndeshjen ndaj Liverpulit, të cilën e ndoqa me vëmendje, enkas për këtë futbollist shqiptar. Në këndvështrimin tim, tashmë si trajner i Kombëtares shqiptare, mund të them se m’u duk një lojtar mjaft interesant”, kështu ka theksuar fillimisht Panuçi për fierakun që luan me Atletiko Madrid, duke shtuar se, ai duhet të vazhdojë kështu. “Nuk ishte e para herë që unë e shikoja këtë futbollist, por tashmë duket se ai ka një rritje në nivelin e lojës së tij. Por, ai duhet që të vazhdojë në këtë ritëm, sepse është një rrugë e mirë e nisur prej tij”. Goli që shënoi ndaj Liverpulit të enjten, duket se e ka vendosur në një tjetër dimension e vlerësim për të, por ndoshta në sytë e Panuçit, Bare tashmë do të ketë një përgjegjësi më të madhe, për të treguar se goli dhe paraqitja në “Audi Cup”, nuk ishte rastësi. Edhe pse italiani i bankinës së kombëtares duket se ia ka “hapur derën” në skuadrën kuqezi, ai tregon se është duke ndjekur elementët që ka Kombëtarja U21. “Gjatë kësaj kohe që jam zyrtarisht trajner i Kombëtares së Shqipërisë, kam ndjekur dhe do të ndjek të gjithë futbollistët e U21. Unë e kam thënë se, për të gjithë dyert do të jenë e hapura. Nuk ka rëndësi se sa vjeç je, pra je i vogël në moshë. Nëse bën mirë dhe bie në sy, atëherë pse jo, të mos grumbullohesh në Kombëtare”. Në këtë bisedë, Panuçi është pyetur edhe për një ish-futbollist të Kombëtarës, shkodranin Armando Vajushi, të cilin ai e ka pasur lojtar kur drejtonte Ternanën në Serinë B të Italisë. “Edhe Vajushin mund të them se e kam nën vëzhgim. E njoh shumë mirë dhe e di se çfarë mund të më japë ai në fushë, por problemet fizike e kanë ndalur disi karrierën e tij, por tani është rikuperuar, dhe uroj që ta bëjë sa më shpejt”. Ndërkohë që, gjatë kësaj jave kanë qenë në aktivitet disa nga futbollistët e Kombëtares, por që për Panuçin ata tashmë janë titullarë të njohur, ndoshta të besuar për ndeshjet e radhës të “Botërori 2018”.
Sikundër prezantohet në fushë, mua më pëlqen shumë Bare. Këtë e pashë edhe në ndeshjen ndaj Liverpulit, të cilën e ndoqa me vëmendje, enkas për këtë futbollist shqiptar. Në këndvështrimin tim, tashmë si trajner i Kombëtares shqiptare, mund të them se mu duk një lojtar mjaft interesant 
Sigal