Katër ndeshjet e para, De Biazi barazon rekordin e Brigelit

586
Sigal

Trajneri gjerman mori gjashtë pikë në eliminatoret e Botërorit 2006, po aq sa De Biazi në Kupën e Botës 2014

 Trajneri italian i Shqipërisë, Xhani De Biazi, grumbulloi gjashtë pikë në katër ndeshjet e para të tij, në kualifikueset e Botërorit “Brazil 2014”, duke barazuar rekordin e mbajtur nga gjermani Hans-Peter Brigel, me këtë të fundit që i mori po gjashtë pikë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2006, finalet e të cilit u luajtën në Gjermani. Në specialen e saj, gazeta “Telegraf” bën një udhëtim statistikor të Shqipërisë, nga eliminatoret e Botërorit 1966 (me trajner Zyber Konçin), tek ato të De Biazit në Botërorit 2014. Ajo që mbizotëron nga rezultatet e arritura është shifra e konsiderueshme e humbjeve në 21 fushatat kualifikuese për kampionatet europiane dhe botërore: 56 në 84 ndeshje, ndërkohë që janë arritur 11 fitore dhe 17 barazime.

TRAJNERËT SHQIPTARË

Në eliminatoret e Botërorit 1966, pra dhe kur u vendosën grupet nga FIFA, Shqipëria me trajnerin Zyber Konçi nuk grumbulloi asnjë pikë në katër ndeshjet e para, duke humbur nga dy herë me Holandën dhe Zvicrën. Në kualifikueset e Euro 1968, spikat barazimi i madh 0-0 i Loro Boriçit me Gjermaninë Perëndimore, më 17 dhjetor 1967 (në Tiranë), e që i nxori jashtë gjermanët nga finalet e Europianit në fjalë. Por, gjithsesi, vetëm një pikë në katër ndeshje pas dy humbjeve me Jugosllavinë dhe një tjetre me Gjermaninë. Edhe për Euro 1972, Loro Boriçi grumbulloi vetëm një pikë (një barazim 1-1 me Poloninë në “Qemal Stafa”). Katër ndeshjet e Botërorit 1974 u mbyllën pa asnjë pikë (Loro Boriçi), pra me katër humbje. Pas një shkëputje prej tetë vjetësh nga arena ndërkombëtare, me një urdhër politik absurd të regjimit të kohës, Shqipëria u rikthye në Europë me rastin e eliminatoreve të Botërorit 1982, ku dhe u regjistrua fitorja e parë në katër ndeshjet e para. I përket trajnerit Zyber Konçi dhe ndeshjes Shqipëri-Finlandë: 2-0, më 3 shtator 1980, me golat e Sefedin Brahos dhe Millan Baçit. Gjithsesi, ajo fitore u shoqërua me 3 humbje, pra vetëm 3 pikë të grumbulluara. Në fakt, sipas rregullores, në atë kohë jepeshin 2 pikë për fitoren, por për efekt krahasimi me rregullin e sotëm, e kemi vendosur fitoren me 3 pikë. Për Euro 1984, Shyqyri Rreli grumbulloi vetëm një pikë: barazoi 0-0 me Irlandën e Veriut, në Tiranë, më 15 dhjetor 1982. Pjesa tjetër e “faturës” janë tri humbje. Në kualifikueset e Botërorit “Meksikë 1986”, u regjistrua fitorja e bujshme ndaj Belgjikës: 2-0 (22.12.1984) me golat e Arbën Mingës dhe Mirel Josës, por dhe barazimi 2-2 në Poloni, teksa kryesonim 2-1 deri në minutën e 76-të, falë golave të Bedri Omurit dhe Agustin Kolës. Dy humbjet na mbajtën në kuotën e 4 pikëve. Drama e madhe u përket eliminatoreve të Euro 1998 (Agron Sulajt), Botërorit 1990 (Shyqyri Rrelit) dhe Euro 1992 (Bejkush Birçes): asnjë pikë, 12 humbjë në 12 ndeshje, madje dhe me rezultat të thellë si ai 9-0 nga Spanja (19.12.1990, Birçe). Pikët rikthehen në kualifikueset e Botërorit 1994: Birçe grumbulloi 3 pikë, falë fitores 1-0 me Lituaninë (gol i Eduard Abazit). Për Euro 1996, Neptun Bajko nuk mori asnjë pikë: humbi me dy herë me Gjermaninë, Gjeorgjinë dhe Rumaninë. Për Botërorin 1998, Neptun Bajko (3 ndeshje) dhe Astrit Hafizi (1 ndeshje), grumbulluan vetëm 1 pikë: barazimi 1-1 me Armeninë (Bajko). Hafizi ndeshjen e tij, atë kundër Ukrainës, nuk e luajti në Tiranë, por në Granada të Spanjës (humbi 1-0). Për Euro 2000, Hafizi mori tri barazime (ndaj Norvegjisë, Greqisë dhe Letonisë), por humbi me Gjeorgjinë, duke u ndalur në kuotën e 3 pikëve. Po kaq pikë mori dhe Medin Zhega për kualifikueset e Botërorit 2012, por spikat fitorja 2-0 me Greqinë (11 tetor 2000), me golat e Alban Bushit dhe Ervin Fakajt. Pjesa tjetër janë tri humbje.

TRAJNERËT E HUAJ

Me fushatën eliminatore Euro 2004 nis epoka e trajnerëve të huaj, kjo dhe për shkak të preferencave të presidentit të ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Në dy ndeshjet e tij, italiani Xhuzepe Dosena grumbulloi vetëm një pikë: 1-1 me Zvicrën (humbi 4-1 me Rusinë, në Volgograd), ndërkohë që në dy ndeshjet e tij, pasuesi gjerman Hans-Peter Birgel grumbulloi katër pikë: një fitore madhështore 3-1 me Rusinë në Shkodër (29.03.2003) dhe në barazim 0-0 në Irlandë. Së bashku në total grumbulluan pesë pikë, duke vendosur një rekord, por dhe për faktin se për herë të parë, Shqipëria humbte vetëm një nga katër ndeshjet e para. Gjermani Hans-Peter Brigel e thelloi rekordin, duke grumbulluar gjashtë pikë: dy fitore dhe dy humbje, por mbi të gjitha spikasin dy ngjarje, fitorja 2-1 ndaj Greqisë, të porsa shpallur Kampione e Europës, me golat e Edvin Muratit dhe Adrian Aliajt, por dhe fitorja e arritur ndaj Kazakistanit, 1-0 në Almati, me një gol të shënuar nga Alban Bushi. Kjo është dhe fitorja e vetme në transfertë, duke marrë në konsideratë vetëm katër ndeshjet e para. Për Euro 2008, kroati Oto Bariç grumbulloi vetëm dy pikë, por spikat barazimi 2-2 në Bjellorusi. Koeficient të mirë pikësh mori edhe holandezi Ari Han: 5 pikë, me vetëm një humbje në katër ndeshje, si dhe një fitore (me Maltën), por dhe dy barazime fantastike pa gola me Suedinë e Zlatan Ibrahimoviçit në Tiranë (06 shtator 2008) dhe Portugalinë e Kristiano Ronaldos në Braga (15 tetor 2008). Edhe kroati Josip Kuzhe ndoqi po këtë traditë: 5 pikë, me 1 fitore (ndaj Luksemburgut), dy barazime (ndaj Rumanisë dhe Sllovenisë) dhe një humbje ndaj Bjellorusisë. Në fakt, në stol (protokollin zyrtar) në ndeshjet kundër Bosnjës dhe Bjellorusisë, ishte ndihmësi i tij, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç (aktualisht drejton Shqipërinë U-17), pasi Kuzhe ishte i shtruar në spital për shkak të një hemorragjie cerebrale. Italiani Xhani De Biazi ka grumbulluar gjashtë pikë, duke barazuar rekordin e vendosur nga Brigeli, por në fakt, duke pasur tri nga katër takimet në shtëpi, pra në Tiranë. Dy fitore me Qipron (3-1) dhe Slloveninë (1-0) dhe dy humbje me Zvicrën (2-0, në Lucernë) dhe Islandën (1-2, në Tiranë).

KONKLUZION

Në fakt, është e vështirë të ngresh pararele me lojtarët që kanë pasur në dispozicion trajnerët shqiptarë të para viteve 1990, pasi asnjë prej tyre nuk luante jashtë, duke u munguar kështu përvoja ndërkombëtare. Gjithashtu, kundërshtarët para viteve 1990, kanë qenë emra më dinjitozë, ku vetëm me Gjermaninë jemi ndeshur 13 herë. Gjithesi, trajnerët e huaj kanë grumbulluar në vazhdimësi më shumë pikë nga katër ndeshjet e para