Kategoria Superiore “zgjon” emocionet e sezonit të ri

611
Nga Agron KAJA
FUTBOLL/ Sot FSHF-ja do të hedhë shortin për 2017-2018, Kukësi dje mori “SMS”-në policore në Austri
Sezoni i ri futbollistik 2017-2018, sot do të njohë kalendarin e ri për Kategorinë Superiore. Këtë e ka bërë të ditur vetë FSHF-ja, e cila me këtë rast, “zgjon” emocionet e të gjithë aktorëve e faktorëve që marrin pjesë në garën e kësaj kategorie, që në futbollin shqiptar mbetet në elitë. Në krahasim me sezonin e kaluar, ku Kukësi doli Kampion, Partizani nënkampion dhe Tirana me Korabin zbritën në Kategorinë e Parë, këtë sezon dy skuadrat e reja, janë edhe të “vjetra” në këtë nivel. Lushnja dhe Kamza janë debutueset, të cilat do të vihen përballë kundërshtarëve me pretendimet që si fillim, quhen “mbijetesë”. Ndryshe nga sezoni i kaluar, ku kalendari u përcaktua në mesin e muajit gusht 2016, këtë sezon, FSHF-ja i ka dhënë më shumë mundësi skuadrave që të ndërtojnë programet e tyre stërvitore gjatë fazave përgatitore. Nëse katër skuadrat që luajtën në Evropë, Kukësi, Partizani, Skënderbeu e Tirana, i nisën përgatitjet e tyre që në mesin e muajit qershor 2017, Ende ka skuadra të Kategorisë Superiore, si Vllaznia, Laçi, Kamza e Lushnja, që nuk e kanë bërë “sefte” me përgatitjet e tyre për sezonin e ri. Ndoshta duke mësuar edhe këtë kalendar sot, ato do të jenë më të përqendruara, ndoshta edhe do të kujtohen se koha është e shkurtër deri më 9 shtator, ditë kur do të nisë Kampionati me javën e parë. Por, nesër do të kemi edhe një “lajm” të ri, ndryshe nga herët e tjera, sepse sektori i Licencimit në FSHF, do t’u japë detyrat e shtëpisë disa stadiumeve të skuadrave të Superiores, të cilët nuk janë në gjendje të plotë për të pritur ndeshjet e këtij sezoni. Përpos edhe merkatos, e cila më shumë se sa fjalë, duket edhe e vakët në emra, këto do të jenë ngarkesat pasi sot skuadrat e Kategorisë Superiore do të mësojnë kalendarin e sezonit 2017-2018.
SKUADRAT 
PJESËMARRËSE
1. Kukësi
2. Partizani
3. Skënderbeu
4. Luftëtari
5. Teuta
6. Laçi
7. Vllaznia
8. Flamurtari
9. Kamza
10. Lushnja
Sigal