Kategoria e Parë/ Java e 10-ë, prova e “zjarrit” për pretendentet në të dyja grupet

53

Ashtu si në Superligë, edhe në Kategorinë e Parë konkurrenca është shumë e madhe, duke bërë që edhe pas kaq shumë javësh të luajtura, përsëri nuk ka akoma asnjë skuadër që mund ta thuash me bindje që, po, kjo do të fitojë. Në të dyja grupet vihen re afërsitë e skuadrave të kreut ndaj njëra-tjetrës dhe diferencat me skuadrat që ndodhen nga fundi i renditjes. Edhe në javë e 9-ë, u vunë re disa rezultate surprizë, ku sidomos në grupin B, pati lëvizje të mëdha në renditje, ku kryeson përsëri Sopoti falë edhe fitores me Shkumbinin, ndërkohë që Dinamo nuk po bëhet faktor në këtë grup duke humbur shumë nga mundësitë për pikë, siç ishte edhe javën e fundit ku humbi turpshëm 3-1 në ndeshjen ndaj Pogradecit. Në këtë javë, në të dy grupet ka takime që mund të rivendosin edhe një herë pozita të reja në kryesim, sidomos në grupin B, ku të gjitha skuadrat janë shumë afër me pikë ndaj njëra-tjetrës, ndërsa në grupin A e kanë vendosur diktatin e tyre tre skuadra, Tërbuni, Besëlidhja dhe Mamurrasi që ndjekin vetëm njëra-tjetrën, pa u shqetësuar nga të tjerat që janë shumë pikë pas. Pikërisht këto tre skuadra do të vihen në provë këtë javë, provë jo edhe aq e vështirë pasi rezultatet e kanë treguar se vështirësitë i gjejnë vetëm kur luajnë ndaj njëra-tjetrës, siç e tregoi ajo humbje e parë e Besëlidhjes javën që shkoi ndaj Mamurrasit. Në këtë aspekt, fituesi i këtij viti do të jetë vetëm në mes këtyre tre skuadrave, por se cila do të jetë prej tyre mbetet akoma për tu parë në vazhdimësi. Javën e 10-ë Besëlidhja do të shkoj në “shtëpinë” e Burrelit me përpjekjet për të rikuperuar pikët e humbura ndaj Mamurrasit, ndërsa këta të fundit do të kenë një provë jo edhe aq të vështirë ndaj Kastriotit të vendit 7-ë. Kryesuesi i grupit, Tërbuni, do të presë Besën, në një provë zjarri ku këta të fundit do të përpiqen që ti shkaktojnë humbjen e parë sezonale pukjanëve. Ndërsa në grupin B, të gjitha ndeshjet janë si “bombë me sahat” për secilën skuadër, pasi nuk ka asnjë favorite mes favoriteve sepse të gjitha skuadrat e këtij grupi kanë treguar se mund ti bëjnë dëm njëra-tjetrës, duke filluar që nga vendi i fundit e deri në vendin e parë. Një fakt interesant vihet re në kreun e klasifikimit ku pas çdo jave, ndryshon edhe skuadra kryesuese, duke mos mundur asnjë që të qëndrojë më shumë se javë në krye të klasifikimit. Këtë herë janë ë shumta skuadrat që luajnë shansin e tyre, me Dinamon në radhë të parë që kërkon ti rikthehet lojës dhe rezultatit pozitiv pikërisht ndaj Luftëtarit, në një kohë që kanë vetëm 2 pikë në mes tyre. Fitorja për dinamovitët do ti ngrinte në kuotën e 16 pikëve, por është gjithmonë në pritje të rezultateve të kundërshtarëve për të rimarrë kreun, pasi është tre pikë pas skuadrës kryesuese, Sopotit. Këta të fundit kanë një takim shumë të vështirë në Sarandë ndaj Butrintit e në rast fitoreje do i vinin kapakun edhe për një javë tjetër kreut, duke hedhur edhe një hap më tutje drejt krijimit të avantazhit. Ndeshja më e fortë e kësaj jave është padyshim Lushnja-Bylis me të dy skuadrat që kanë hedhur kandidaturat e tyre për titullin sezonal, e në renditje janë shumë afër me pikë edhe pse jo në pozicione, pasi lushnjarët janë në vendin e dytë, ndërsa ballshiotët në vendin e shtatë.

Statistikat e Kategorisë së Parë

Mbrojtja më e mirë

Besëlidhja, Mamurrasi (Grupi A, 3 gola të pësuar)

Mbrojtja më e dobët

Ada (Grupi A, 17 gola të pësuar)

Sulmi më i mirë

Besëlidhja (Grupi A, 20 gola të shënuar)

Sulmi më i dobët

Kastrioti, Burreli, Ada dhe Naftëtari (6 gola të shënuar)

Krye golashënuesi

J. Malo (Besëlidhja, 6 gola)

Ndeshjet e javës së 10-ë

Grupi A

Tërbuni-Besa

Veleçiku-Kamza

Ada-Iliria

Burreli-Besëlidhja

Mamurrasi-Kastrioti

Grupi B

Dinamo-Luftëtari

Lushnja-Bylis

Butrinti-Sopoti

Shkumbini-Tomori

Naftëtari-Pogradeci

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit miqësore me Uruguain në mars

 Duket se cilësia në rritje dhe ndeshjet shumë të mira që ka zhvilluar Shqipëria kohët e fundit, çojnë në një rezultat pozitiv për sa u përket rivalëve që mund të zgjedhim dhe mund të na zgjedhin në ndeshjet miqësore. Sipas FSHF, pritet të organizohet një miqësore me Uruguain në mars, miqësore që mund ta quajmë shumë mirë si luks kur llogaritet që amerikano jugorët do të jenë ata që do vijnë në Shqipëri, pikërisht në “Elbasan Arena”. Sipas “fjalëve” të para, ky takim ka shumë mundësi të organizohet por ka vështirësi vetëm nga ana e Uruguait dhe shumës që ata mund të pranojnë që të bien dakord për të ardhur në Shqipëri. Në fakt, kohët e fundit forma e mirë e Shqipërisë ka rezervuar edhe miqësore luksi, siç ishte edhe ajo ndaj Italisë, dhe duket se nuk do të hiqet dorë nga skuadrat me emër në futbollin botëror. Shpresohet vetëm që kjo të arrihet, për të parë edhe një kombëtare tjetër të shkelë në barin e “Elbasan Arena”.

Merkatoja e dimrit për futbollistët shqiptarë, Serie A një mundësi reale

Futbollistët e Kombëtares Shqiptare kanë bërë një figurë shumë të mirë në ndeshjet e fundit e sidomos në takimet me Portugalinë, Francën, Italinë dhe Danimarkën. Nisur nga kjo, ka shumë oferta për disa nga këta futbollistë dhe destinacioni kryesor është Italia dhe aktivizimi në Serie A dhe Serie B. Emrat që po qarkullojnë aktualisht në merkaton italiane janë Cikalleshi, Memushaj, Balaj dhe Hysaj që mendohet për një kalim tek Lacio.

Elseid Hysaj

Mbrojtësi i Empolit, falë edhe cilësive të mira që po tregon me Empolin po mendohet si një mundësi shumë e mirë për Lacion që të vijë si një përforcim që në janar, pasi kjo skuadër ka një mungesë të theksuar të mbrojtësve, diçka që e bën të menjëhershme nevojën për një tjetër lojtar në këtë pozicion. Nuk mendohet të jetë shumë e vështirë përmbushja e kësaj marrëveshjeje pasi si ndërmjetës shihet Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios që deri më tani ka sjellë në radhët e kësaj skuadre disa futbollistë shqiptar, si Cana, Berisha apo edhe Strakosha.

Ledian Memushaj

Mesfushori shihet si një përforcim i skuadrës së Empolit dhe duke parë çmimin jo të lartë që ka mesfushori, kjo gjë nuk duket edhe aq e pamundur. Në fakt edhe në këtë rast, ky kalim pritet që të kryhet që në janar, të paktën sipas mediave italiane që kohët e fundit po i bëjnë shumë jehonë futbollistëve nga Shqipëria. Memushaj aktivizohet tek Peskara dhe është në formë huazimi tek kjo skuadër, pasi kartonin e plotë të tij e zotëron skuadra e Leçes.

Bekim Balaj:

Sulmuesi 23 vjeçar që aktivizohet në kampionatin çek me skuadrën e Slavia Praga shihet si një mundësi shumë e mirë e skuadrës së Specias, që ndodhet në Serie B por me shumë mundësi do të ngjitet një seri më lart në fund të sezonit, duke u bërë kështu një përforcim shumë i mirë për këtë skuadër që me shumë  mundësi vitin e ardhshëm do të përballet me skuadra shumë më të forta e sulmuesi shqiptar duket se i përmbush kërkesat e skuadrës, si nga çmimi por edhe nga cilësia.

Sokol Cikalleshi:

Sulmuesi kavajas që aktivizohet në radhët e skuadrës së Splitit në kampionati e Kroacisë, rrëmbeu vëmendjen e kampionatit italian në ndeshjen që u zhvillua në Itali, duke qenë se dha një performancë shumë të mirë. Falë edhe kësaj, emri i tij çdo ditë e më shumë po lidhet me skuadrën e Sampdoria, skuadër që aktualisht ndodhet në një pozicion shumë të mirë në renditjen e kampionatit, praktikisht në vendin e 4-t. Në qoftë se kjo përmbushet do të ishte një kontratë me shumë leverdi për Cikalleshin nga ana profesionale, pasi kështu ka edhe mundësinë që vitin e ardhshëm të luajë edhe në Ligën e Kampioneve, gjithmonë nëse kualifikohet Sampdoria.  

 Kosova pranohet në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik

Dje, në mbledhjen e zhvilluar në Monako nga anëtarët e CIO, u vendosu unanimisht që Kosova të bëhej anëtare me të drejta të plota e Komitetit Olimpik. Prania në këtë komitet e Kosovës u mundëson sportistëve të këtij vendi marrjen pjesë në kualifikimet për Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Ky është një hap i madh për sportin e Kosovës që po fillon të njihet dhe të pranohet edhe në organizata të mëdha sportive, diçka që padyshim ndikon pozitivisht edhe në njohjen si shtet. Kjo sigurisht nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga serbët, ku sigurisht e kanë dënuar rëndë këtë akt, duke u shprehur se po politizohet sporti dhe se kjo është diçka shumë e dënueshme dhe aspak e pranueshme.