Kategoria e parë/ Faza e tretë gati për nisje, ekipet në “rresht” vetëm për fitore

580
Sigal

Mbyllja e fazës së dytë të Kategorisë së Parë dha një tjetër fytyrë të secilit ekip në të dy grupet, ku përsëri në grupin A “ligjin” e bëjnë vetëm tre ekipe, duke i lënë të tjerat në harresën e mungesës së rezultateve, të paktën sa i përket rezultateve për vendin e parë të renditjes. Ashtu si në dy fazat më përpara, Tërbuni vazhdon të jetë përsëri skuadra për tu mundur, e kjo e thënë me një vërtetësi të madhe, duke marrë parasysh se pukjanët akoma nuk e kanë pësuar humbjen e parë dhe nisur nga forma aktuale, një gjë e tillë duket shumë larg për të ndodhur. Nga ana tjetër, ekipi i Besëlidhjes dhe i Mamurrasit kanë treguar forcën e tyre ndaj ekipeve të tjera, ndërsa me Tërbunin kanë arritur që të marrin një barazim maksimumi, duke mos i shfrytëzuar sa duhet ndeshjet direkte ndaj një kundërshtari direkt. Edhe pse situata është shumë e ngjeshur sa i përket pikëve për këtë ekip, duke e filluar edhe fazën e tretë në luftën për të fituar titullin kampion, titull kampion që do u jepte mundësinë e ëndrrës Superligë. Parë në shifra, pavarësisht se Tërbuni kryeson me pikë, në statistika është Besëlidhja që ka një bilanc më pozitiv, pasi ka 36 gola të shënuar dhe është ekipi që ka shënuar më shumë në të dy grupet e nga ana tjetër Besëlidhja shkëlqen edhe në mbrojtje pasi përsëri lë pas Mamurrasin dhe Tërbunin me vetëm 8 gola të pësuar, 1 më pak se Butrinti dhe Lushnja që janë dy ekipet që kanë pësuar më pak në grupin B. Sa i përket grupit B, situata është tërësisht e ndryshme, ku vihet re mbi të gjitha një barazi mes disa ekipeve, por në këto dy faza janë vetëm disa ekipe që me të vërtetë paraqiten si ekipe që mund të fitojnë titullin, duke filluar nga Lushnja, Butrinti apo Bylis. Deri vonë në fazën e dytë ishte edhe Dinamo një nga emrat që me të vërtetë rivalizonte që të fitonte, por për shkak të shumë humbjeve dhe të një dënimi që mori nga FIFA, u “zhyt” në një situatë aspak të mirë, duke humbur terren ndaj të gjitha kundërshtarëve. Pikërisht nesër ka një takim me Sopotin, ku ditët e fundit kanë pasur edhe një konflikt sa i përket fushës së stërvitjes, në kompleksin e Dinamos, ku librazhdasit stërviten në të njëjtin vend me “vendasit”, diçka që ka paraqitur një problem të vazhdueshëm për kryeqytetasit, problem që ka degjeneruar në dhunë pak kohë më parë, nisur nga një konflikt mes futbollistëve për minutazhin e qëndrimit në fushën stërvitore. Gjithsesi, këto dy ekipe duhet të lënë mënjanë mëritë që nuk i takojnë sportit, pasi nesër do të jenë përballë, për tu takuar dhe për të nisur bashkë fazën e tretë të këtij kampionati deh secili ekip do të ketë synimet e veta, ku Sopoti ka akoma shpresë për tu shpallur skuadër kampione, edhe pse është shpresë më e vakët në krahasim me kryesueset, ndërkohë që Dinamo akoma nuk e ka marrë veten nga rezultatet negative të kohëve të fundit, kështu që fillimi i kësaj faze mund të jetë edhe një ogur i mirë për të parë një tjetër Dinamo, atë që lufton për rikthimin në Superligë.

Sulmi më i mirë
Besëlidhja 36 gola të shënuar (Grupi A)
Bylis 28 gola të shënuar (Grupi B)

Sulmi më i dobët
Kamza 14 gola të shënuar (Grupi A)
Luftëtari 11 gola të shënuar (Grupi B)

Mbrojtja më e mirë
Besëlidhja 8 gola të pësuar(Grupi A)
Lushnja dhe Butrinti 9 gola të pësuar (Grupi B)

Mbrojtja më e dobët
Veleçiku 38 gola të pësuar (Grupi A)
Shkumbini dhe Naftëtari 22 gola të pësuar (Grupi B)

Takimet e javës së 19-të

Grupi A

Tërbuni – Veleçiku
Besëlidhja – Ada Velipojë
Mamurrasi – Kastrioti
Burreli – Besa Kavajë
Iliria – Kamza

Grupi B
Lushnja -Naftëtari
Bylis – Luftëtari
Butrinti – Shkumbini
Sopoti – Dinamo Tirana
Tomori – Pogradeci

 Fatjon Topi: Ndaj Naftëtarit do të ketë vetëm fitore

Siguria karakterizon në këto kohë ekipin e Lushnjës që ndodhen në vendin e parë aktualisht në renditjen  e tabelës, e kështu shprehet edhe futbollisti i lushnjarëve Topi që shfaq sigurinë se do të fitojnë ndaj Naftëtarit: “Nuk e shikojmë kundërshtarin si një ekip të pozicionuar në vendin e fundit, por si një skuadër ku na duhet të shprehim vlerat tona më të mira për të fituar. Ata do të mbrohen dhe detyra jonë është t’i thyejmë. Kemi treguar që e kemi mundur thellësisht Naftëtarin në shtëpi në fazën e dytë dhe kjo do të na shërbejë psikologjikisht. Mirëpo, ne më shumë se kurrë duhet të fitojmë para tifozëve tanë”. Lushnja nuk fiton në shtëpi, që nga 7 shkurti, kur pikërisht me një gol të Fatjon Topit mundi Dinamon.

 Kombëtarja U-19 më në fund shkëlqen, fiton ndaj Italisë

Mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme turneu miqësor i Kombëtareve të futbollit të të rinjve, në Itali. Një turne miqësor në të cilin mori pjesë edhe U-19 jonë, nën drejtimin e Altin Lalës. Në këto tre ndeshje të zhvilluara, ekipi shqiptar pati vetëm një fitore, ajo e djeshmja ndaj Italisë me rezultatin 1-2, duke dhënë kështu një shpresë për talentet e rinj që po rriten në këtë periudhë për Kombëtaren e madhe. Në dy ndeshjet e mëparshme, Shqipëria humbi ndaj Maltës, gjithashtu humbi edhe ndaj Uellsit, por ishte pikërisht fitorja e djeshme që tregoi me të vërtetë forcën dhe në një farë mënyrë shpëtoi nderin e futbollistëve në këtë turne, duke arritur kështu të mundnin ekipin vendas dhe nëse i referohemi kombëtares së parë, duke mundur një nga ekipet më të fortë në botë.

Shqipëri rritet me dy pozicione në renditjen e FIFA-s, gjendet në vendin e 61-të

Më në fund vjen një rritje e Shqipërisë në renditjen mujore të FIFA-s, duke u ngjitur kështu në vendin e 61-të, dy pozicione më shumë se hera e kaluar. Aktualisht Kombëtarja ka 557 pikë dhe e nis marsin me një renditje më të mirë, duke marrë kështu një shtysë për ndeshjen ndaj Armenisë. Sa i përket kreut të renditjes, “mbretëron” akoma Gjermania, e ndjekur si gjithmonë nga Argjentina, Kolumbia dhe Belgjika. Ndërkohë që Italia është futur përsëri në 10-shen e parë, duke nxjerrë kështu jashtë ekipin e Spanjës, që pas një kohe të gjatë, e gjen veten jashtë 10 ekipeve më të mira të botës.