Karralliu: “Investim për një stadium modern”

531
Sigal

Bashkia e Sarandës rikthen në identitet stadiumin e lojërave me dorë “Aleko Dajko”

Merr fund abuzimi me ish-stadiumin e lojërave me dorë “Aleko Dajko” në Sarandë. Kreu i Bashkisë së Sarandës, zoti Stefan Çipa, mori iniciativën e lavdërueshme, për ta kthyer në identitet fushën e kujtimeve të tij të fëmijërisë dhe nostalgjisë së aktivitetit sportive për të gjithë sportdashësit sarandjotë e më gjerë. Tashmë është zyrtare. Stadiumi i lojërave me dorë “Aleko Dajko” do të rikthehet në identitet, por sigurisht me një standard me të lartë sportiv. Këtë e konfirmon përgjegjësi i Zyrës së Sporteve pranë bashkisë së Sarandës, z.Fuat Karralliu. Aktualisht ka filluar puna për rehabilitimin e mjedisit të stadiumit, i cili sipas Karalliut, prej disa vitesh është në gjendje të degraduar, kjo edhe për shkak të dhënies me qira të ambienteve të tij. Kundërshtimet e ekipeve private vijnë, pas këtij vendimi, vetëm e vetëm se pas vendimit të bashkisë  për kthimin në identitet, u ikin ca para që nuk i kanë paguar bashkisë duke shfrytëzuar momentet degraduese të situatës në këtë mjedis sportive me kapacitet rreth 3 mijë veta. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, shefi i sporteve Karralliu tha se ky mjedis sportiv do të kthehet në identitet, për t’i dhënë Sarandës një stadium me parametra bashkëkohorë. Bashkia ka hartuar prej disa muajsh edhe strategjinë për rehabilitimin e tij. Tashmë ka nisur faza e pare e rehabilitimit të mjediseve, të cilat ishin katandisur në mëshirë të fatit. Pas fazës së parë, me një fond rreth 20 milionë lekësh do të realizohet mbulimi i stadiumit dhe këtu merr fund projekti afatmesëm me rikthimin në identitet, dhe jo vetëm të aktiviteteve sportive, por edhe të tubimeve politike dhe aktiviteteve të ndryshme artistike, ngjarje që Saranda i ka të shumta. Stadiumi do të administrohet nga Bashkia e Sarandës.