Karabagu e pret si hero Ansi Agollin

480
“Nëse nuk mundni Armeninë, më mirë mos hajdeni më në Baku”. Ky ka qenë kërcënimi i drejtuesve të skuadrës azerbajxhanase Karabag për mesfushorin e majtë të kombëtares kuqezi, Ansi Agollin. Dhe pas fitores të së dielës, teksa tanët kanë mundur në Elbasan me përmbysje, 2-1, Armeninë, Agolli është pritur si hero në Baku. Ishte paralajmëruar dhe ashtu ndodhi. Lojtari i kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, është pritur në mënyrë madhështore në Karabak. Klubi azer, në rast fitoreje ndaj armenëve, i kishte premtuar një dhuratë të veçantë, si atij, ashtu edhe shqiptarit tjetër, Admir Teli, pavarësisht se ky i fundit ka kohë që nuk është pjesë e kuqezinjve, edhe pse është i qëndrueshëm në formacionin e Karabagut. Megjithatë, dhuratën më të bukur Agolli e ka marrë nga trajneri i vet, Kurban Kurbanov, i cili i dhuroi një orë Rolex. Jo vetëm kaq, por rajneri e ka përqafuar Agollin 4 herë, gjë që nuk e ka bërë kurrë më parë me këtë lojtar. Ansi konsiderohet si lojtari i huaj më i mirë që ka luajtur në radhët e Karabakut, duke u shpallur dy herë radhazi, vjet dhe sivjet, kampion i Azerbajxhanit, si dhe duke i kualifikuar deri në fazën e ndeshjeve në grupe në Liga e Evropës. Edhe vlerësimi e pritja e tifozerisë azere ka qenë e jashtëzakonshme, pasi të gjithë dëshironin një fitore kundër Armenisë së “urryer”, vetë Agolli ka rrëfyer: “Jam i emocionuar dhe shumë i lumtur. Kemi ngritur peshë zemrat e gjithë shqiptarëve, por edhe azerëve.”
Rajoni i Nagornit-Karabag molla e sherrit
Në fakt Azerbajxhani dhe Armenia kanë kohë që nuk e duan njëri-tjetrin. Dhe arsyeja është rajoni i Nagornit-Karabak, i cili pretendohet nga të dy shtetet, e jo vetëm kaq, por kërkon të jetë dhe si republikë autonome. Për rrjedhojë të kësaj përplasjeje politike, Armenia dhe Azerbajxhani asnjëherë nuk janë kundërshtar. Është si Spanja me Gjibraltarin, apo dhe si Ukraina me Rusinë. E siç po pretendohet dhe për ne e Serbinë. Dhe për këtë qëllim, azerbajxhanasit janë kënaqur me fitoren tonë dhe e kanë pritur Agollin si hero. Nga kërcënimi për përjashtim nga skuadra në një orë Roleks. 
I bën gol Armenisë, Tare e do Gashin tek Lacio
Igli Tare ka nisur punën për ta shkëputur nga Bazeli shënuesin e golit të fitores në ndeshjen kundër Armenisë, Shkëlzen Gashin. Që do të thotë se sulmuesi shqiptar është në shënjestrën e Lacios. Kolonia e shqiptarëve në ekipin italian mund të shtohet me një tjetër lojtar, pasi Drejtori Sportiv, Igli Tare, ka nisur punën për ta shkëputur nga Bazeli shënuesin e golit të fitores në ndeshjen kundër Armenisë. Kontaktet mes palëve nisën që gjatë tregut të lëvizjeve të futbollistëve në verë, pasi Gashi konsiderohet një lojtar i rëndësishëm për projektin e Piolit. Dhe shkaku është se ai mund të mbulojë disa pozicione në repartin e avancuar. Në fund të qershorit, Bazeli arriti ta shkëpuste sulmuesin nga Grasshoppers, duke nënshkruar një kontratë deri në vitin 2018. Por 20 golat e shënuar deri në këtë pikë të sezonit kanë vënë në lëvizje bardhkaltërit. Tare është takuar me të atin, që është njëkohësisht edhe agjenti i lojtarit, dhe një fakt që i shtyn bisedimet në rrugë të mbarë është se Gashi ka pasaportë zvicerane dhe mund të luajë si komunitar. Gjithsesi një nyjë e vështirë për t’u zgjidhur mbetet vlera e kartonit të lojtarit pasi Baseli nuk kërkon ta lejë të lirë për më pak se 8 milionë Euro. 
Ironia e serbëve: Shqipëria do të ndalet në rrugën e saj
Numri 1 i federatës serbe shpreh bindjen se Shqipëria do të ndalet në rrugën e saj duke bërë një parashikim për pjesën e dytë të ndeshjeve të kualifikueseve të Evropianit. “Serbia nuk do të dorëzohet në garën për një biletë drejt Euro 2016”. Të paktën kështu e mendon presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç, i cili e pranon se humbja në transfertë me Portugalinë ishte zhgënjyese për kombëtaren serbe. Në një intervistë dhënë për mediat serbe, numri 1 i federatës shpreh bindjen se Shqipëria do të ndalet në rrugën e saj duke bërë një parashikim për fazën e dytë. “Ku do t’i grumbullojë Shqipëria pikët e tjera? Ata do të luajnë dy sfida në transfertë me Danimarkën dhe Armeninë, ndërsa do të presin Serbinë dhe Portugalinë. Asnjë prej ndeshjeve të mbetura nuk është më vendimtare se ajo ndaj Shqipërisë. Aty luajmë edhe shanset tona. Do kërkojmë të fitojmë patjetër dhe duhet t’ia dalim mbanë”. Në vijim, Karadzic shton se Portugalia mund t’i japë një ndihmë të madhe Serbisë “Do kërkojmë të fitojmë ndaj Danimarkës dhe Shqipërisë. Në ndeshjen e fundit të kualifikueseve, me shumë mundësi Portugalia do vijë në Serbi si e kualifikuar, prandaj ne mund ta kemi më të lehtë për të fituar”. 
Incidenti me flamurin, ikin Cakoviç e Xhorxheviç
Vilson Cakoviç dhe Xhorde Xhorxheviç nuk do të jenë më pjesë e Apolonisë. Portieri dhe mesfushori serb janë larguar nga klubi fierak ende pa u mbyllur sezoni dhe arsyeja është incidenti që ndodhi me flamurin kuqezi në “Loni Papuciu” në sfidën me Tiranën.
Burime pranë Apolonisë zbulojnë se Vilson Cakoviç ka kërkuar prishjen me konsensus të kontratës pas pezullimit të tij për një kohë të pacaktuar nga ana e klubit dhe të njëjtin veprim ka bërë edhe mesfushori Xhorxheviç, duke u justifikuar me faktin se të dy nuk ndiheshin mirë në një ambient, ku do të ishin në qendër të kritikave nga ana e tifozëve.
Kërkesa e tyre është pranuar nga drejtuesit e klubit fierak, që u kanë dhënë dokumentacionin për të gjetur një tjetër destinacion.
Lilaj: Laçi – fushë e vështirë, ia dalim!
Mesfushori Sabien Lilaj është i vetëdijshëm për momentin që po kalonte ekipi por premton më të mirën për sfidën e së shtunës. Jehona e krijuar nga ndeshja dhe rezultati i kombëtares Shqiptare ndaj Armenisë i lë vendin kampionatit. Kampionët dhe kryesuesit e këtij sezoni Skënderbeu udhëton në fushën e vështirë të Laçit, ku në vitet e fundit ka marrë rezultate pozitive. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa vjen pas një periudhe të mirë, teksa ndalesa e kampionatit nuk konsiderohet si diçka e mirë për korçarët në këtë aspekt. Mesfushori Sabien Lilaj është i vetëdijshëm për momentin që po kalonte ekipi por premton më të mirën për sfidën e së shtunës. “Vijmë pas rezultateve pozitive dhe sigurisht që ndalesa e kampionatit nuk bën mirë. Megjithatë ekipi është në formë dhe të shtunën shkojmë në Laç për të fituar. Laçi ka treguar që është ekip i nivelit të lartë dhe këtë e tregoi edhe në fazën e tretë. Megjithatë jemi të vetmit që kemi fituar aty dhe shpresojmë të vijojmë edhe këtë javë”.
Sigal