Kamza “shtang” Skënderbeun, Flamurtari me hap kryesuesi

619
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Ndalen korçarët, vlonjatët i marrin Lushnjes tri pikët në ekstrem, sot “provimi” i dytë i Starovës
U luajtën dje tre ndeshjet e para të javës së 11-të të Kategorisë Superiore, të cilat nisën me sfidën mes Lushnjes e Flamurtarit. Vlonjatët kanë arritur një fitore të rëndësishme në këtë transfertë ndaj Lushnjës, me një gol të shënuar me roveshatë nga Liçaj në minutën e parë të shtesës. Edhe për trajnerin e Flamurtarit, Shpëtim Duro, në këtë ndeshje, rëndësia e vetme ishte fitorja dhe tri pikët, që sipas tij, fitorja e tij më e madhe deri tani është fakti se opinioni në Vlorë i mbështet lojtarët e rinj të ardhur në merkato. “Normalisht, të gjitha transfertat janë të vështira, dhe nuk duhet të mendojnë se fitorja është e sigurt. Nuk ka fitore të sigurt, por në këtë ndeshje, edhe pse treguam lodhje, kishim mundësi ta zgjidhnim ndeshjen në pjesën e parë. Rëndësi, po e përmend që ka fitorja, analizat natyrisht që do ti bëjmë së bashku me skuadrën”, kështu deklaroi dje pas ndeshjes trajneri i Flamurtarit, ndërkohë që për Hysen Dedjen e Lushnjes, ka keqardhje për ndëshkimin në fundin e ndeshjes. “Një gabim i vogël na hodhi gjithë punën poshtë, edhe pse e dimë mirë forcën e Flamurtarit. Na dëmtoi shumë ai goli i pësuar në fund, por unë i përgëzova lojtarët për lojën. Kampionati është i gjatë”, theksoi në deklarimin e tij tekniku i Lishnjes, duke bërë që kjo skuadër të pozicionohet në fundin e tabelës me vetëm 5 pikë, në pritje të sfidës së prapambetur me Vllazninë, që do të luajë ditën e mërkurë në Shkodër. Por, java e 11-të kishte edhe rezultate të papritura, sikundër ndodhi në Korçë, ku Skënderbeu kryesues nuk arriti të fitonte ndaj Kamzës, edhe pse shënoi i pari me Radas në minutën e 66-të. Ishte Sebino Plaku, ish-sulmuesi i Skënderbeut, sot me Kamzën, që e ndëshkoi skuadrën korçare, duke e përforcuar tashmë pozicionin në vendet e kreut të renditjes për Kamzën. Por, tekniku krutan i Kamzës, Ramadan Ndreu, kërkon të ulë euforinë te skuadra e tij, edhe pse e vlerëson maksimalisht barazimin. “Ne kemi objektiv mbijetesën, por kjo ishte në përgjithësi një ndeshje e mirë, edhe pse pësuam një gol të çuditshëm, për shkak se u hap barrikada. Duke luajtur ndaj kryesuesit dhe në transfertë, ne u munduam të mbroheshim mirë, me pak vështirësi në hapësirat sulmuese sulmonim, sepse skuadra e Skënderbeut ka nivel. E kishim ndërtuar strategjinë që, nëse Skënderbeu të linte një hapësirë, ta ndëshkonim, dhe e realizuam me sulmuesin tonë kryesor Sebino Plaku”. Ndërkohë për trajnerin Ilir Daja, edhe pse ka mbetur i zhgënjyer, barazimi i djeshëm nuk është fundi i botës. “Me këtë barazim sot (dje), me vjen keq se pësuam gol në fundin e ndeshjes, por është pjesë e lojës dhe nuk është fundi i botës. Duhet të marrim gjithnjë tripikësisht, brenda apo jashtë fushe, sepse sot (dje), vinim nga një ndeshje e fortë dhe e vështirë në Vlorë në javën e kaluar, dhe në fund një episod na hoqi fitoren”.
Sebino Plaku ndjehet me fat në Korçë
Pas ndeshjes Skënderbeu-Kamza 1-1, sulmuesi kamzali Sebino Plaku, pasi u shpall njeriu i ndeshjes, deklaroi, se Korça i sjell fat, pasi ai ka qenë pjesë e kësaj skuadre në sezonin e kaluar. Në deklarimin e tij, ai tregoi edhe për nostalgjinë me Skënderbeun. “Këtu ka qenë periudha më e mirë e karrierës sime, pasi kam kaluar futbollin më të mirë. Mendoj se është ambienti më i mirë për një futbollist të shfaqë aftësitë e veta. Korça më sjell fat, por nuk mund të festoja, sepse iu ktheva respektin njerëzve këtu në stadium”.
Sigal