Kampionët, viktimë në Botërore

587
Sigal

Nga Italia 1950 e deri të Spanjë 2014, të gjitha skuadrat që kanë dështuar në raundin e parë

Shkatërrimi i Spanjës është historik, pasi për herë të parë Kampionia e Botës në fuqi eliminohet pas vetëm dy ndeshjesh. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ndodh për një ekip kampion. Gazeta “Telegraf” paraqet të gjitha rastet e mëparshme: Itali (1950 dhe 2010), Brazil (1966), Francë (2002) dhe Spanjë (2014).

  

ITALIA 1950

 Italia kishte fituar kampionatet botëror të viteve 1934 dhe 1938, ndërkohë që Kupa e Botës 1950 organizohej pas 12 viteve mungesë. Trajneri fitues Vitorio Poco kishte dhënë dorëheqjen në vitin 1948. Arsyeja e dështimit të Italisë lidhet edhe me katastrofën ajrore: më 4 maj 1949, italianët humbën thuajse të gjithë ekipin, i cili përbëhej nga kampionët e Torinos (me dhjetë lojtarë në Kombëtare). Avioni u rrëzua në afërsi të qytetit. Për këtë, në vitin 1950, italianët udhëtuan me anije drejt Brazilit, një udhëtim që zgjati plot 15 ditë. Lojtarët ishin të lodhur. Në një grup me tri skuadra, Italia humbi 2-3 me Suedinë dhe fitorja 2-0 me Paraguain nuk mjaftoi që ajo të kualifikohej. Pas vetëm shtatë ditësh Kampionat Botëror dhe 180 minutash lojë, Italia ishte shkurorëzuar. Revista “Calcio Illustrato” shkroi: “Skuadra e kaltër nuk pati fat”.

 BRAZIL 1966

 Brazili ishte shpallur Kampion i Botës në vitin 1958 dhe 1962 dhe në “Angli 1966” ai kërkonte tripletën, që do t’i jepte përfundimisht edhe origjinalin e Kupës “Zyl Rime”. Por, ai u eliminua qysh në raundin e parë. Me Pelen në skuadër, Brazili fitoi 2-0 ndaj Bullgarisë, por superylli u dëmtua dhe nuk mund të përfshihej më në formacion. Në Liverpul, Kampionët e Botës pësuan një humbje surprizë 1-3 nga Hungaria e Sep Herbergerit, i cili deklaroi më pas: “Brazilianët nuk janë aq të fortë si më parë”. Edhe ndeshjen e radhës, atë kundër Portugalisë, Brazili e humbi 3-1. Në Brazil gjithçka u prit me hidhërim të thellë dhe trajneri Visente Feola nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të jepte dorëheqjen nga drejtimi. Mediat: “Një Pele nuk mund të sjellë i vetëm pranverën”.

 FRANCË 2002

Pas Kampionatit Botëror 1998, Franca kishte fituar edhe Kampionatin Europian 2000. 14 lojtarë bënin pjesë në formacionin e ekipit “trikolor”, që udhëtuan në Botërorin e Azisë. Por, gjërat nisën keq qysh në ndeshjen e parë, kur “gjelat” humbën 1-0 kundër Senegalit në një nga sensacionet më të mëdha të futbollit. Zinedin Zodan mungoi në atë ndeshje për shkak të një problemi shëndetësor. Trajneri i Francës, Rozher Lemer, megjithatë u shpreh optimist: “Ne do të fitojmë dy ndeshjet e tjera”. Megjithatë, ajo nuk ndodhi, pasi të fitosh duhet të shënosh gola dhe Franca nuk realizoi asnjë. Kundër Uruguait barazoi 0-0, ndërkohë që kundër Danimarkës humbi 2-0. Asnjëherë nuk kishte ndodhur që, një kampione bote të mos shënonte në tri ndeshjet e para. Lamtumirë Botëror. Zinedin Zidan deklaroi më pas: “Ne nuk e bëmë punën tonë”.

 ITALI 2010

 Kur hodh shorti në Botërorin e Afrikës së Jugut, Italia ra në një grup të lehtë: Sllovakia, Paraguai dhe Zelanda e Re. Skuadra që nuk të frikësonin. Por, gjithçka rrodhi ndryshe. Kundër Paraguait dhe Zelandës së Re, Italia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1. Trajneri Marçelo Lipi deklaroi: “Kjo është shumë pak”. Por, nuk ishte hera e parë që Italia e niste dobët një kampionat, teksa më pas ajo shndërrohej në një “bishë”.  Kundër Sllovakisë në Johaneburg historia nuk u përsërit. Robert Vitek i Sllovakisë shënoi dy gola duke i futur në dush të ftohtë italianët, ndërkohë që Kopunek vulosi eliminimin e Kampionëve të Botës. Golat e Di Nateles dhe Kualjeralës nuk mjaftuan: 2-3! Jashtë. Lipi mori përgjegjësinë: “Kur një ekip futet me frikë, edhe ndaj një ekipi si Sllovakia, atëherë trajneri ka bërë gjithçka gabim”. Titulli i 2006-s i kishte vendosur në një presion të madh. Një ndjenjë që spanjollët e njohin tashmë.

 SPANJË 2014

Spanja jashtë Botërorit! Ashtu si Franca në 2002! Kampionët e Botës 2010, pasi humbën 5-1 me Holandën, u mundën 2-0 nga Kili, duke pësuar humbjen e dytë në po aq ndeshje dhe tashmë u mbetet të përgatitet për t’u kthyer në shtëpi. Ndeshja e tretë kundër Australisë (edhe ajo dy humbje) ka vlera statistikore dhe më shumë prestigji. Ishte ky fundi i paralajmëruar i versionit “Tiki-taka”, që sundoi planetin në gjashtë vitet e fundit, me dy tituj Europianë (2008, 2012) dhe një Bote (2010). Kazijas, Iniesta, Diego Kosta e kompani nuk arritën të rikuperoheshin psikologjikisht nga humbja dramatike 5-1 me Holandën, dhe nuk u shfaqën aq sa duhet rrezikshëm në portën kiliane. Në fakt, asnjë skuadër kampione e Botës në fuqi nuk ishte eliminuar nga Botërori ende pa u luajtur sfida e fundit në grup.

  

Janë rreth 250 mijë fëmijë që, janë të përfshirë në industrinë e “qejfit”

 Minorenet në Brazil, seks për 50 cent

  Kampionati Botëror po hyn në një fazë interesante, me stadiumet që janë plot, por jeta në Brazil duke t krejt tjetër. Një numër i madh minorenesh janë duke shitur seksin në rrugët e Brazilit. Rreth 600 mijë turistë kanë mbërritur në Brazil, për të ndjekur Botërorin, ndërkohë që prostitutat minorene janë të pranishme në të 12 qytetet, ku zhvillohen ndeshjet. Prostitucioni është legal në Brazil, për këdo që ka mbushur moshën 18 vjeç, por ka fëmijë nën këtë moshë, që pranojnë të bëjnë seks edhe për pesëdhjetë cent (50 lekë). “Këto vajza vijnë nga një varfëri ekstreme, një kulturë sociale e një traditë e një mosrespektimi të thellë për femrën”, – tha prokurorja Antonia Lima Suza për CNN-in. Përkrah prostitucionit, edhe përdorim i drogës ka njohur rritje, ndërkohë që dhuna është e frikshme. Larisa, një punëtore seksi, dëshmoi për britaniken “Mirror”, se një nga mikeshat e saj, 14 vjeç, gjeti vdekjen së fundi. “Një burrë e mori atë nga metroja e trenit dhe ajo bëri seks me të. Por, pas kësaj ai refuzoi të paguante atë, e vrau dhe e hodhi trupin e saj”. Industria e trafikimit të seksit në Brazil është një treg shumëmilionësh, ndërkohë që shumica e shet trupin në kërkim të bukës së përditshme. Nuk mungojnë edhe rastet kur janë vetë prindërit që, i shesin vajzat e tyre minorene me një çmim nga 5 mijë deri në 10 mijë dollarë. Kjo nuk është hera e parë që, kryen abuzime me fëmijët gjatë zhvillimit të Kupës së Botës. Televizioni amerikan “CBS News” raportoi se shfrytëzimi i fëmijëve u rrit nga 30 deri në 40 për qind gjatë Kupës së Botës së zhvilluar në vitet 2006 dhe 2010, të zhvilluara në Gjermani dhe Afrikën e Jugut. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson se, janë 250 mijë fëmijë që janë të përfshirë në prostitucion në Brazil. Fatkeqësisht, Kupa e Botës e ka shumëfishuar këtë numër.

 

 Mehmedi: “Jam i gatshëm ndaj Francës”

 Sulmuesi shqiptar i kombëtares së Zvicrës e di se Franca përbëhet nga shumë lojtar të rëndësishëm të skenës botërore të futbollit, ku vlerëson Benzema. Admir Mehmedi ka qenë lojtar i kthesës në fitoren e parë të Zvicrës në Kupën e botës, Brazili 2014 ndaj Ekuadorit (2:1), kur shënoi golin e parë me të hyrë në lojë.

“Më mira sa i përket Francës është se ajo është në kufi me Zvicrën”, tha Mehmedi buzagaz, i cili ka shënuar 12 gola stinorin e fundit në Bundesliga me Freiburgun. “Me Francën kemi një kundërshtar të fuqishëm përpara. Franca ka marrë veten pas disa vështirësive vite më parë. Ata kanë një lojtar shumë të fuqishëm, që më bie në mend, Benzema. Natyrisht edhe unë jam i gatshëm për ndeshjen”, tha Mehmedi.

 

  Shumaker, invalid për gjithë jetën

 Diçitura: Ish-piloti gjerman pësoi një aksident në Alpet franceze, më 29 dhjetor 2013

 Specialisti i neurologjisë, Erih Riederer, parashikon se, legjenda e Formulës 1, Majkëll Shumaker, nuk do të rikuperohet kurrë plotësisht. Ai mendon se, shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 do të jetë një invalid gjatë gjithë jetës së tij. Shumaker doli nga koma pas një periudhe gati gjashtëmujore në Grenobël të Francës dhe tashmë është në fazën e rehabilitimit në Lozanë të Zvicrës, vetëm 40 km larg shtëpisë së tij me një vlerë 60 milionë euro. Mjeku tha se, mund ta konsiderojmë sukses në rast se ai do të ulet në një karrige elektrike pa ndihmën askujt pas gjashtë muajsh. Shumaker komunikon me sy me doktorët, ashtu si dhe me bashkëshorten e tij, Korinën. Riederer shton: “Ai do të qëndrojë invalid për gjithë jetën dhe ai do të jetë gjithmonë i varur nga ndihma e të tjerëve”. Gjithsesi, mjeku tha: “Është një mesazh pozitiv i pabesueshëm, kur dikush zgjohet pasi ka qenë në koma për një gjysmë viti. Për atë është pozitive, por gjithashtu edhe për familjen e tij. Kjo është dukshëm pozitive”. Shumaker ka humbur aktualisht 25% të peshës trupore të tij.