“Kampionët e Vlorës 1930-1990”, të gjithë lidhen me emrin “Flamurtari”

1453
Nga Ergys ALUSHI
Për herë të parë mbledh në një libër të vetëm të gjithë sportistët kampionë të Vlorës, për të ngjallur nostalgjinë e kampioneve dhe të sporteve të suksesshëm
Një punë tre vjeçare kërkimore në më shumë se 48 mijë gazeta të viteve 1930 deri në 1990, revista e botime të ndryshme. Janë më shumë se 100 kampionë në 13 sporte të ndryshme, shumë prej të cilëve Mjeshtër Sporti, Mjeshtër të Merituar Sporti, të vlerësuar me tituj nga Këshilli bashkiak i Vlorës e Presidentët e Republikës. Midis sportistëve të Vlorës, edhe 5 Kampionë Ballkani, duke filluar me Hysen Cenaj në peshëngritje, Krenar Meçanin në atletikë, Genci Hitaj në qitje, Agim Xhelilin e Viktor Mitron në peshëngritje. Libri me 440 faqe e 140 foto, përfshin ngjarjet më të veçanta të sportit vlonjat, të qytetit të Vlorës dhe Shqipërisë, që lidhen të gjitha me emrin “Flamurtari”, dhe kampionët e këtij ekipi që në dekadën e viteve 1980-1990 arritën kulmin e tyre dhe dominuan sportin shqiptar si në futboll, basketboll femra, not, peshëngritje, mundje, qitje, gjimnastikë, e të tjera.
Një merak dhe pak fjalë për punën e bërë…
Në librin “Kampionët e Vlorës” shkruhet për një kompozitor futbollist, për një tifoz vlonjat të vdekur në stadium gjatë një ndeshje, për një mësues fizike trajner, që bëri epokë në basketbollin shqiptar, për një kampione në not që punonte në “Frutore”, për vajzat me çitjane të volejbollit të Vlorës që sollën në qytet kupën e parë të Kampionit, për atletin-kampionin e Ballkanit që nuk e lanë ta përqafonin disa kosovarë në Greqi, për futbollistin që ditën e dasmës mbas ceremonisë, shkoi e luajti futboll, për basketbollisten që brenda ditës përcolli babanë e shkoi të luante ndeshjen e radhës, për ushqimet që solli me vete “Barcelona”, e për shumë e shumë kampionë e ngjarje të tjera… Këto janë disa nga historitë e librit “Kampionët e Vlorës” në 60 vite sport, nga viti 1930 e deri në vitin 1990-1991. Kampioni i fundit i Vlorës do të ishte ekipi i futbollit “Flamurtari”. Jam munduar t’i qëmtoj të gjithë Kampionët, për të mos lënë në harresë asnjë të tillë, por druaj se mund të ketë ndonjë Kampion që nuk e gjen emrin në libër, por kjo jo e gjitha për fajin tim. Ndoshta nuk ia kam gjetur emrin në gazetat e kohës (pakujdesi e imja, apo e atyre që kanë shkruar lajmin). Ndoshta e kanë harruar edhe bashkëkohësit e tij sportistë për të ma treguar kur i pyesja vazhdimisht për Kampionët. Ndoshta indiferentizëm apo pamundësi e të afërmve që e kishin njoftimin e kohën e nevojshme për të kontaktuar gjatë përgatitjes së librit, por nuk e bënë atë… Gjithsesi, kërkoj falje për këdo Kampion që nuk e gjen emrin në libër! Kërkoj ndjesë, sepse e di çfarë do të thotë harresë. E mësova në këto dy vite kur përgatisja librin. Kur ndeshja në “urinë” e Kampionëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët ndiheshin të harruar që nga koha kur kishin dalë Kampionë, dhe pas shumë vitesh dikush ishte kujtuar për t’i përmbledhur në një libër të vetëm të gjithë ata, çka nuk ka ndodhur kurrë më parë. Kërkoj ndjesë edhe në respekt të punës sime kërkimore, sepse më është dashur të kërkoj në më shumë se 48 mijë gazeta e revista, me pluhur e pa pluhur, me fletë të bardha e të zverdhura, me ngjyra e bardhë e zi të palexueshme nga koha. Më është dashur të qëndroj në bibliotekën e Vlorës në dimër kur ishte ftohtë, e në verë kur të gjithë shkonin në det, më është dashur të shkoj në bibliotekën e Fierit për vitet e gazetave që nuk gjeja këtu, të shkoj në bibliotekën Kombëtare në Tiranë për vitet e gazetave që nuk i gjeja as në Vlorë e as në Fier, të kërkoj në çdo vit, në çdo faqe, artikull, rresht dhe brenda çdo rreshti. Dhe gëzohesha kur gjeja një emër sportisti në krah të të cilit shkruhej “Flamurtari”. E kështu, emër pas emri, vit pas viti, Kampion pas Kampioni, rezultat pas rezultati, duke qëmtuar me kujdes të dhjetat apo të qindtat e rezultateve në not e në atletikë, sekondat e koshit të fundit, minutat e golit vendimtar, kilogramët në peshëngritje, emocionet e vlonjatëve që mbushnin plot e përplot stadiumin e pallatin e sportit. Kështu u jetësua libri “Kampionët e Vlorës”. Por, nuk mbaronte këtu. Krahas kërkimeve në gazeta e revista, kontaktoja përditë fizikisht dhe në rrjetet sociale me Kampionët, nga Kanadaja deri në Greqi e Itali, duke iu kërkuar foto, kujtime, emra, saktësime inicialesh, nëpërmjet një pyetësori të dërguar në përmbushje të punës së nisur. Ata ishin “personazhet” e librit tim dhe unë ndihesha mirë mes kujtimeve e fotove që dërgonin, mes fjalëve mbështetëse të tyre për punën që po bëja, fjalë të cilat ditën e nesërme më shpinin përsëri në bibliotekë e në takimet e radhës me ta, duke mos ndjerë në asnjë moment lodhje. Dhe filloja nga e para të kërkoja, të rikthehesha përsëri tek ai vit apo ai shkrim. Kërkoja dhe kujtoja edhe veten: Në vitet tetëdhjetë, kur shtyhesha apo hipja nga muri për të hyrë në stadium. Ndodhte që edhe nuk hyja. Kur i kërkoja dikujt më të madh në moshë që të më merrte si fëmijën e tij për të hyrë në pallatin e sportit që i ngjante një përbindëshi me aq shumë njerëz e zhurmë brenda. Ndodhte që më kthenin tek dera. Shkoja bashkë me shumë e shumë të tjerë, shumë orë para ndeshjes në stadium, në tribunat anësore (dhjetëshet) me xhepat e mbushur me fara dhe qeskat e mbushura me ujë. Kujtoja dhe kur i mbaja çantën e sportit Eqerem Memushit, i afërm dhe njëkohësisht komshi në lagjen “Partizani”, duke e pritur pas porte derisa të mbaronte stërvitjen apo ndeshjen. Kisha aq shumë kujtime. Ndodhte dhe që ngashërehesha në heshtjen e bibliotekës, siç më ndodhi kur gjeta në gazetë ndeshjen e vitit 1982 kur “Flamurtari’ do të fitonte në Tiranë me “Partizanin” me rezultatin 1:0. Atë ditë të largët, m’u kujtua që ndeshjen e shikoja bashkë me xhaxhanë tim të vogël, e në momentin e golit të Vasil Rucit në pjesën e dytë, ai kërceu aq shumë sa theu me kokë llambën e dhomës. Gëzimi kishte qenë i madh. Ishte një nga fitoret e rralla të “Flamurtarit” në Tiranë, deri në atë kohë. Fëmijëria ime në lidhje me sportin m’u kujtua e gjitha në atë moment të gjetjes së shkrimit. Kishte qenë një fëmijëri e bukur, që ekipet e “Flamurtarit” na dhuronin mua dhe të gjithë qytetit në ato vite, kryesisht në futboll e basketboll për femra. Ndaj dhe dëshira e çastit për të mbledhur e botuar diçka sa për një reportazh gazete, ishte kthyer në një detyrim për të botuar një libër me Kampionët e qytetit tim. Por edhe si një detyrim për kujtimet që kisha nga fëmijëria. Personazhet kryesore në libër janë vetë sportistët, kampionët, rezultatet e tyre, jeta sportive, kujtimet, fotot, garat, miqësitë sportive, trashëgimitë e titujve kampionë. Personazhet e këtij libri, janë personazhet më të bukur në botë, me jetën e kujtimet që deri edhe të tronditin. Ata nderonin qytetin edhe pse sistemi nuk i nderonte, i përcillnin prindërit, shokun e skuadrës para fillimit të një ndeshjeje, të cilën nuk mund ta linin dot pa e luajtur, etj si këto. “Flamurtari” i Vlorës ka qenë dhe mbetet një nga emrat e klubeve më të mëdhenj në Shqipëri për nxjerrjen e talenteve në çdo lloj sporti, ndërsa ka vite që shumica e sporteve kanë mbetur jashtë vëmendjes së pushtetit vendor. Për të ngjallur nostalgjinë e kampioneve dhe të sporteve të suksesshëm, ndoshta libri “Kampionet e Vlorës 1930-1990”, do të jetë një dokument me vlera historike me qëllim kthimin e vëmendjes tek disa sporte që Vlora i ka pasur traditë e të suksesshme, si futbolli, basketbolli, noti, mundja, peshëngritja, qitja e volejbolli. Në libër paraqitet se si është zhvilluar jeta sportive në Vlorë në periudha të ndryshme, për të treguar rritjen e cilësisë sportive. Ja një pjesë e shkëputur nga një shkrim i vitit 1961 : “Në muajt e parë të vitit 1961, jeta sportive në qytetin e Vlorës, po ta krahasoje me vitet e kaluara, kishte mjaft ndryshime. Më përpara ajo fillonte, në të vërtetë, me aktivitetin kombëtar të futbollit dhe mbaronte me atë. Gjithçka lidhej me futbollin: kujdesi i Komitetit të Fizkulturës së Rrethit, stërvitja e futbollistëve dhe puna e trajnerëve, materiali apo inventari sportiv, dhe si rrjedhim, edhe pasioni i spektatorëve ishte për këtë lloj sporti. Dy pikët e fituara në një ndeshje nga futbollistët, mbulonin si të thuash, humbjen e pësuar në një tjetër aktivitet kombëtar…”. Dhe të mendosh se, gjithçka që u bë e bukur në vitet në vazhdim do të niste në këndin “Spartak”. Këndi i ngritur pranë Teatrit të Vlorës, mund të konsiderohet “Olimpi” i kampionëve të Vlorës të atyre viteve, bashkë me këndin tjetër pranë tij “Eftiqi Baka”. Historinë e një qyteti që mblidhej i gjithë fillimisht në këndet sportive të qytetit “Eftiqi Baka” dhe “Spartak”, e në vazhdim në pallatin e sportit, brenda dhe jashtë tij, duke qarë nga gëzimi i fitoreve, duke u dridhur nga fitorja me koshin e fundit, pikën e fundit, tuçin e fundit, boksimin e fortë, rekordet në shtangë. Duke brohoritur spektaklin e vajzave e djemve të Vlorës, duke përkëdhelur sedrën vlonjate me fitoret përballë “17 Nëntorit”, “Dinamos” e “Partizanit”, duke duartrokitur edhe Fahrie Hotin, Faruk Kalleshin, Teodor Jankun, Edra Alibegajn e të tjerë kampion nga Shqipëria. Duke u mbledhur gati të gjithë në sheshin e Flamurit e para “Kapelës” për të pritur deri vonë në agim kthimet fitimtare të ekipeve të futbollit e basketbollit të femrave nga fitore historike e kupash, jashtë e brenda vendit. Duke kërkuar e kujtuar momente që i kisha përjetuar në fëmijërinë e rininë time, kuptoja se më kishte marrë malli për atë kohë, për atë atmosferë, për atë histori. Në këndin “Spartak” mblidhej i gjithë qyteti dhe kishte sytë e veshët e gjithë Vlora. Mall e nostalgji ndeshja me këdo që i flisja dhe i tregoja për kërkimet e mia për përgatitjen e një libri me Kampionët e Vlorës. Ndërsa librit po i vinte fundi, kisha dy dëshira: që librin ta promovoja në një ceremoni me të gjithë Kampionët e Vlorës, familjarët e atyre që nuk jetojnë më, familjarët e atyre që ndodhen jashtë shtetit, për t’i mbledhur njëherë të gjithë bashkë, pas kaq shumë vitesh të ndarë brenda dhe jashtë vendit, si një festë e madhe sportive për qytetin. 

Dëshira e dytë ishte që, libri im të ishte një kontribut modest në ngritjen e një Muzeu të Sporteve në Vlorë, ku holli i pallatit të sportit do të ishte vendi i duhur. Ndërkohë që, përpara hollit në lulishten aty pranë të ngrihet dhe një obelisk që të përkujtojë të gjithë Kampionët e sportistët e Vlorës. Për të mos i harruar më ata Kampionë e sportistë që e kanë nderuar Vlorën dhe e kanë vendosur në piedestalin e historisë së sportit shqiptar por edhe jashtë Shqipërisë.
Një libër për Kampionë, shkruar nga një gazetar “Kampion”!
Ditë më parë, më është dhënë mundësia të lexoj (jo plotësisht), librin e Ergys Alushit “Kampionët e Vlorës 1930-1990”. Në profesionin e gazetarit, të shkruash një libër, e për sportin në veçanti, është guxim, është kulturë e profesionalitet. Këtë e ka bërë kolegu Alushi në 440 faqe e 140 foto. Kush nuk e ka njohur apo dëgjuar Flamurtarin e futbollit, Flamurtarin e basketbollit të femrave, Flamurtarin e të gjitha sporteve, në të cilët vajzat e djemtë vlonjatë shkruan historinë. Dhe kjo histori ndoshta kishte filluar të harrohej, ndoshta kishte filluar që fletët e gazetave e revistave të “pluhuroseshin”, nga “gjumi” i dekadave. Por, ky libër e ka sjellë atë të gjallë, edhe pse sipas vetë autorit, mund të ketë ndonjë emër që ka shpëtuar. Gjithsesi, këtë libër me shumë vlera historike, nuk duhet ta blejnë vetëm vlonjatët, sepse sporti në Vlorë ka qenë dhe është i shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ky libër për Kampionë, është shkruar nga një “Kampion” në gazetari. Këto pak radhë erdhën si një detyrim moral e profesional, ky libër i meritonte.Gazeta “Telegraf”
Njoftim
Kam kënaqësinë t’ju ftoj në: 
1. Promovimin e librit tim “Kampionët e Vlorës 1930-1990”; 
2. Vlerësimin nga Bashkia e Vlorës të disa sportistëve e trajnerëve kampionë; 
3. Në 20-vjetorin tim në gazetari. 
Ju mirëpres, ditën e shtunë, më 28 prill 2018, ora 18.30 në bar “Industry lounge”, përgjatë Lungomares. 
Ju lutem, konfirmoni pjesëmarrjen! 
Miqësisht, Ergys Alushi
(Vijon në numrin e ardhshëm)


Sigal