Në ambientet e pallatit të Sportit Asllan Rusi është zhvilluar  kampionati kombëtar i 70 i peshëngritjes. Në këtë event ishin të pranishëm edhe Briken Çalja, kampion i Evropës, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj.

Çalja u shpall kampion në peshën deri në 73 kg si dhe sportisti më i mirë i aktivitetit. Ai e mbylli garimin e tij në dygarësh me 325 kg; në shkëputje ngriti 148 kg, ndërsa në shtytje 177kg, ndërkohë që më pas iu nënshtrua edhe kontrolleve antidoping.

Përpara evenimentit Çalja mori edhe një çmim mirënjohje për rezultatet e larta, por peshëngritësi vuri në dukje rëndësinë e anës financiare.

Daniel Godelli garoi në peshën deri në 81 kg, ndërkohë që Erkand Qerimaj në fund vendosi që të mos marrë pjesë në kampionat.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica u shpreh se ky kampionat ishte një test në prag të evropianit dhe botërorit.

Në fund të evenimentit u dhanë edhe kupat për ekipet dhe peshëngritësit fitues të çdo kategorie. Si peshëngritësja më e mirë doli veterania Shqipona Brahja 44 vjeç, ndërkohë që shënuan emrin e tyre mes fituesve edhe Romaro Avdiraj në 61 kg dhe Edison Nelo në 67 kg.