Sigal

Shqipëria debuton sot në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë që prej datës 6 prill.

Në peshën deri në 73 kg, për kuqezinjtë do të zbresë kampioni i Europës në fuqi Briken Calja, i cili pretendon zonën e medaljeve, pse jo dhe përsëritjen e rezultatit të një viti më parë.

Gudar Beqiraj, ish-president dhe specialist i peshëngritjes, analizon shifrat duke besuar në një debutim të suksesshëm të Shqipërisë në këtë kampionat.

Por jo vetëm Calja, sipas Beqirajt të 5 djemtë kuqezi që kanë shkuar në Batumi të Gjeorgjisë, Godelli, Qerimaj, Shoraj dhe Karina, kanë pritshmëri të mëdha.

Gara për meshkuj deri në peshën 73 kg do të fillojë në orën 18:30 me orën tonë, ku të gjithë do të kenë mundësi të ndjekin paraqitjen e Bruiken Caljes, ndërkohë që ditën e nesërme do të garojnë dy peshëngritësit e tjerë Daniel Godelli dhe Erekand Qerimaj në peshën deri në 81 kg, për t’i lënë në vazhdim radhën Krenar Shorajt që konkurron në peshën deri në 89 kg dhe në fund Endri Karina në peshën deri në 102 kg.