Kampionat i “burgosur”, 20 ekipe të dënuara

530
Sigal

Gjashtë klube të Superligës dhe shtatë të Kategorisë së Parë janë ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës

Një sezon futbolli i “burgosur” dhe me dyer të mbyllura. Kështu mund ta konsiderosh atë që po ndodh me topkëmbën tonë. Të paktën, këtë konstatim ta sjell nëpër mend numri i madh i ekipeve të ndëshkuara nga Komisioni i Disiplinës, të cilat në total arrijnë shifrën 18 në të tri kategoritë e futbollit tonë, ndërkohë që disa janë dhe përsëritës, pavarësisht pezullimeve të mëparshme. Ekipi i fundit i dënuar, për të zhvilluar ndeshje pa praninë e shikuesve është Tomori i Beratit, që do të luajë tri ndeshje pa praninë e spekatorëve. Arsyeja është thuajse e zakonshme, por dhe e trishtuar njëkohësisht: hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes. Baza ligjore: neni 66.3.a i Kodit të Drejtësisë Sportive.

KATEGORIA SUPERIORE – Të vjen keq ta pranosh, por gjashtë klube të kampionatit maksimal shqiptar janë pezulluar në afate të ndryshme, për të luajtur pa shikues, apo dhe zhvilluar ndeshje në fushë asnjanëse. Tomori është ndëshkuar dy herë, fillimisht me katër ndeshje me vendimin e datës 29 gusht 2012, pra pas javës së parë Tomori-Tirana (0-1), por të zbutur deri në një ndeshje pas vendimit të Komisionit të Apelit, ndërkohë që me vendimin e datës 27 nëntor 2012, skuadra beratase u ndëshkua me tri ndeshje pa shikues (pas incidenteve në takimin Tomori-Shkumbini, java e 12-të). Në listën e ekipeve të ndëshkuara, për të zhvilluar ndeshje pa shikues janë dhe Vllaznia (1), Luftëtari (1), Skënderbeu (1), Kastrioti (1), dhe nga sezoni i kaluar, Kukësi (6). Besa e Kavajës ka marrë dhe ndëshkimin më të ashpër gjatë këtyre 12 javëve, pasi do t’i duhet të luajë gjashtë ndeshje në fushë asnjanëse, teksa ka kryer tashmë një pjesë të dënimit, por takimin e parë përballë shikuesve të vet do ta luajë në fund të muajt mars të vitit të ardhshëm.

KATEGORIA E PARË – Edhe kompeticioni i dytë i kampionatit shqiptar ka vuajtur jo pak nga shfaqjet e dhunshme të tifozëve, por dhe nga rebelimi i drejtuesve të ekipeve. Kështu në listën e ekipeve të ndëshkuara me pezullim të fushës, janë Ada e Velipojës (1 ndeshje), Butrinti i Sarandës (1), Himara (1), Lushnja (1), Pogradeci (1), ndërsa Naftëtari i Kuçovës është ndëshkuar dy herë, fillimisht me një ndeshje pa shikues, dhe për shkak të përsëritjes me tetë ndeshje jashtë fushe.

KATEGORIA E DYTË – Kampionati më inferior shqiptar ka përjetuar akte makabre dhune, sidomos ndaj gjyqtarëve, boll të kujtojmë se janë jo pak, por pesë futbollistë të përjashtuar përjetësisht (katër të Gramozit dhe një i Memaliajt), ndërkohë që janë katër lojtarë të pezulluar me një afat prej 24 muajsh. Memaliaj (4 ndeshje pa shikues), Këlcyra (tetë ndeshje jashtë fushe), Përmeti (2), Erzeni (2) dhe Delvina (1), janë dhe ekipet e ndëshkuara.

EKIPE TË DËNUARA

KATEGORIA SUPERIORE

Vllaznia

Luftëtari

Skënderbeu

Kastrioti

Besa

Tomori (2 herë)

KATEGORIA E PARË

Ada

Butrinti

Gramshi

Himara

Naftëtari (2 herë)

Lushnja

Pogradeci

KATEGORIA E DYTË

Memaliaj

Erzeni

Këlcyra

Përmeti

Delvina

______________________________________________________________________

TURNEU FESTIV/ SHKËNDIJA E TETOVËS FITON “KUPËN PAVARËSIA”

Shkëndija e Tetovës është fituesja e “Kupës Pavarësia”, të organizuar në Vlorë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në finalet e saj morën pjesë Flamurtari dhe Tirana nga Shqipëria, Prishtina nga Kosova dhe Shkëndija nga Tetova, ndërkohë që në çerekfinale ishin dhe Otranto nga Mali i Zi dhe Trepça ’89 nga Mitrovica. Ndeshjet në Vlorë u zhvilluan nga 45 minuta.

GJYSMËFINALET – Sipas shortit të hedhur ditën e hënë, në gjysmëfinale u përballën çiftet Shkëndija-Tirana dhe Flamurtari-Prishtina. Ndeshja mes Shkëndijës dhe Tiranës u mbyll me rezultatin 1-0, për tetovarët me golin e realizuar nga Muzafer Ejupi në minutën e 9-të. Në gjysmëfinalen e dytë, Prishtina u kualifikua në finale pas serisë së penalltive, të fituara 5-4 nga ekipi kosovar, pasi koha e rregullt prej 45 minutash u mbyll në barazim 1-1. Të parët kaluan në epërsi futbollistët prishtinas me golin e shënuar nga sulmuesi Astrit Fazliu, ndërsa golin për vlonjatët e shënoi Ronenc Lelaj.

FINALJA – Në finale u takuan Shkëndija e Tetovës dhe Prishtina. Ndeshja përfundoi në barazim pa gola, kështu që të dyja skuadrat iu drejtuan pikës së bardhë për të nxjerrë fituesin. Kampionia në fuqi e Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës u tregua më e saktë, ndërkohë që Nikov priti dy penallti të gjuajtur nga lojtarët e Prishtinës. Futbollistët e Shkëndijës fituan 5-3. Trofeu prestigjioz shkoi në Tetovë, të konsideruar si kryeqyteti i shqiptarëve të Maqedonisë. Medaljet për skuadrat finaliste dhe trofeun e “Kupën së Pavarësisë” i ndanë dy presidentët e federatave të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, Armand Duka dhe Fadil Vokrri.

______________________________________________________________________

 

KAPLLANI U PËRGJIGJET KRITIKAVE ME GOL

Sulmuesi shqiptar, Edmond Kapllani, iu përgjigj me gol kritikave të mediave gjermane, por dhe drejtuesve të klubi të tij, FSV Frankurt, me këta të fundit që ishin duke menduar për të blerë një sulmues të ri gjatë merkatos dimërore. I kritikuar publikisht për një rënie të theksuar të formës dhe mungesës së golave – durrsaku nuk shënonte nga 5 tetori, në barazimin 1-1 kundër Padebornit të Alban Mehës, – sulmuesi i Kombëtares sonë realizoi golin e dytë të FSV Frankfurtit në fitoren e çmuar 3-1 në transfertën e Bokumit. Një gol, i gjashti sezonal për Kapllanin, që rivendosi pozitat e tij në skuadër, kjo dhe për faktin se fitorja vinte pas tri humbjeve, ndërkohë që me 24 pikë të grumbulluar kahun e pozicionimit tashmë është orientuar nga pjesa e sipërme e tabelës. Goleada e FSV Frankfurtit nisi me golin e mbrojtësit 22-vjeçar Nils Teixera në minutën e 21-të. Edmond Kapllani përfitoi nga gabimi diletant i mbrojtjes së Bokumit duke i çuar shifrat në 2-0 në minutën e 54-t, duke shfrytëzuar një mosmarrëveshje midis shefit të mbrojtjes, Marsel Maltric me Janik Shtarkun, duke mposhtur me zgjuarsi portierin kundërshtar Filip Hervagen, ky i fundit u tregua i pazoti në golin e tretë të realizuar nga Xhon Ferohek (60′). Për vendasit shënoi Jusuke Tasaka (87′).

______________________________________________________________________

MASAKRIMI I TIFOZIT ANGLEZ, TARE I KËRKON FALJE TOTENHEMIT

Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, dhe drejtori sportiv bardhekaltër, shqiptari Igli Tare, i kërkuan falje publike klubit anglez të Totenhemit, pas masakrimit të një tifozi britanik nga ultrasit e skuadrës laciale. Tare ishte në spitalin “San Kamilo” të Romës, për t’i bërë një vizitë tifozit të Totenhemit, Eshlli Mils, në shërim e sipër pas një sulmi të pësuar të enjten e kaluar nga ana e tifozëve të Lacios, ndaj atyre anglezë, të cilët kishin mbërritur në kryeqytetin italian për ndeshjen e Ligës së Europës, Lacio-Totenhem. Mediat italiane dhe ato ndërkombëtare e përcollën gjerësisht gjestin e dy drejtuesve të lartë të Lacios. Ky gjest bëri xhiron e botës, pasi tifozi u sulmua ashpër me thikë, duke ia çarë pjesën e sipërme të kofshës së majtë.  “Gjëja e parë që unë bëra ishte të pranoja në një farë mënyre përgjegjësinë e mundshme të tifozerisë, të asaj të organizuar, – tha për mediat, numri 1 bardhekaltër. – E kuptova menjëherë që ishin të huaj. Isha i gatshëm t’i bëja një vizitë tifozit të plagosur më rëndë, të shtruar në ‘San Camillo’, por ajo u shty për sot (pardje). Duhet ta bëja këtë gjest, dhe jo vetëm në emër të klubit të Lacios, por dhe të tifozerisë, që ka kërkuar gjithmonë të jetë larg shprehjeve raciste”. Lotito dhe Tare i dhuruan tifozit të Totenhemit dhe një fanellë të Lacios.

______________________________________________________________________

RIKTHEHET LALA, POR ME GOGLAT

Altin Lala rifitoi sërish vëmendjen e mediave gjermane, por kësaj radhe jo në fushën e futbollit, pasi “xhuxhi luftarak” prej disa javësh i vari përfundimisht “këpucët në gozhdë’, madje si lojtar i rekordmenëve gjermanë, Bajernit të Munihut. Tani, ish-kapiteni i Hanoverit dhe i Kombëtares shqiptare, ishte i ftuari i nderit në hedhjen e shortit të një turneu të futbollit në sallë, që do të zhvillohet në Gjermani, duke filluar nga data 5 janar 2013. Një aktivitet i sponsorizuar nga kompania e famshme e prodhimit të makinave “Daimlez Benz”. Në grupin “DHT”, Lala duke tërhequr goglat bashkoi skuadrat BV Neuhof Hannover 96, Volfsburg dhe  Hertha BSC, ndërkohë që në grupin “Torfhaus Harzresort” janë skuadrat Hildesheimer Altstars, Eintracht Frankfurt, FC Këln und Arminia Bielefeld. Ky turne zhvillohet për herë të gjashtë.