Kaka ka disa këshilla për Neymar, nëse vendos të transferohet te Real Madridi

515
Sigal

Ish-lojtari brazilian, Ricardo Izecson dos Santos Leite “Kaka” konsideron që, nëse bashkëkombasi i tij, Neymar Junior, dëshiron të shkojë te Real Madridi, duhet të përgatitet psikologjikisht për atë që do të thotë nënshkrim me mbretërorët spanjollë.

Kaka beson se një lëvizje e mundshme e Neymar te Real Madridi do ta rrisë presionin mbi brazilianin ndërkombëtar, siç shprehet në një intervistë të botuar të martën nga gazeta italiane “La Gazzetta dello Sport”.

“Është një vendim personal. Nëse nënshkruan për Real Madridin tani, kjo do të thotë se ai ka kaluar në Paris vetëm për të mos kaluar direkt nga Barcelona te rivalët e mëdhenj të saj. Por, nëse kjo është ajo që Neymar dëshiron, ai duhet të jetë gati për ta menaxhuar situatën, – tha Kaka.

– Ka gjithmonë një presion të madh mbi të. Në Brazil është e pabesueshme, flasim për punën e tij, për klasin e tij, por edhe “hairstyle” e tij, tatuazhet që bën. Ai është një lojtar i madh, por edhe një njeri i famshëm, çka është jo e lehtë për t’u menaxhuar e gjitha kjo”.

Ish-lojtari i San Paolo, Milanit, Real Madridit dhe Orlando, gjithashtu tha se është ende shumë herët për ta krahasuar Neymarin me legjenda të mëdha braziliane, si Edson Arantes do Nascimento “Pele”: “Është herët të thuhet. Neymar është 26 vjeç dhe është duke arritur moshën e pjekurisë. Ai është një nga kandidatët për të fituar “Topin e Artë” në vitet e ardhshme, për shkak se është në rritje.

Messi dhe Cristiano Ronaldo, për arsye të moshës, do të duhet të jetojnë një fazë keqësimi fizik. Por, ju nuk mund të thoni se kur kjo do të ndodhë. Christiano është 33 vjeç dhe është një surprizë pozitive, është një privilegj për të parë se çfarë ai bën në fushë”, shkruan telesport.

I pyetur rreth Botërorit të Rusisë dhe paraqitjes së ekipit brazilian aty, Kaka tha se “Seleçao” ka gjithçka për të fituar titullin e gjashtë: “Brazili po shkon në rrugën e drejtë. Kundër Serbisë (ndeshjen e tretë të Grupit F) do të tregohet nëse Brazili është maksimal apo jo. Pas pjesës së dytë të ndeshjes me Kosta Rikën (fitoi 2-0) kam më tepër besim”.