Juventusi shfaq interesim për Hysajn, Napoli e bllokon: Është i paprekshëm!

435
Është periudhë transferimesh dhe skuadrat e mëdha europiane janë në kërkim të elementëve të duhur për t’u përforcuar. Nga mediat përtej Adriatikut, emri i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare të futbollit është lakuar shpesh si pjesë e dëshirave të skuadrave të mëdha.
Së fundmi, në skenë del edhe ekipi kampion i Italisë. Nga sa bëhet me dije, Juventusi ka nisur të interesohet për shërbimet e mbrojtësit shqiptar, mirëpo e menjëhershme ka qenë edhe përgjigjja nga drejtuesit e skuadrës napolitane.
INTERESIMI
Largimi i Bonuçit ka trazuar jo pak ujërat në ambientin e skuadrës bardhezi. Tifozëria ka nisur ofendimet dhe shfryrjet ndaj ish-qendërmbrojtësit, mirëpo në skuadër duket qartë që ka nevojë për plotësime të nevojshme në ekip, për të ruajtur qetësinë dhe entuziazmin e tifozërisë.

Sajti informativ i lajmeve “iamnaples.it” ka bërë me dije se, gjatë dy ditëve të fundit, ka pasur një linjë bisedimesh mes Juventusit dhe Napolit. Sipas informacioneve të përcjella, bëhet me dije se drejtorët e Juventusit dhe Napolit kanë pasur një bisedë mes tyre. Paratiçi dhe Xhiuntoli kanë diskutuar rreth mbrojtësit të Kombëtares shqiptare të futbollit.

Bardhezinjtë kanë qenë të gatshëm për të nisur një bisedë rreth transferimit të mundshëm të Hysajt në Torino, mirëpo entuziazmin e ka ulur menjëherë përfaqësuesi i napolitanëve.

“Hysaj nuk preket!”, ka qenë një ultimatum i drejtuesve të Napolit që duket se gjen fillesa te vetë presidenti i skuadrës, i cili ishte i gatshëm të vendoste një klauzolë prej 50 milionë eurosh në kontratën e Hysajt, duke treguar qartë se është një futbollist tek i cili pritshmëritë janë shumë të larta.
Sigal