Juventusi i ngjan akoma Alegrit, statistikat për golat e shënuar nxjerrin zbuluar Sarrin

416
Sigal

Pritej të ishte më spektakolar Juventusi i Mauricio Sarrit. Tekniku toskan njihet për lojën sulmuese që zhvillon, ndërsa ekipet e tij të kaluara si Çelsi dhe Napoli dinin të shënonin një tufë me gola. Ndryshe po ndodh me bardhezinjtë të cilët në shumicën e rasteve i kanë fituar ndeshjet me cinizmin e ish-trajnerit Alegri.

Janë plot tetë raste kur ‘Zonja e Vjetër’ i ka fituar takimet me vetëm një gol më shumë se kundërshtari. Dy herë janë suksese 1-0 dhe plot gjashtë të tjera me rezultatin 2-1. Këtu përfshihet edhe Liga e Kampionëve. Në vetëm një rast, torinezët kanë shënuar katër gola dhe ajo ka qenë në fitoren 4-3 kundër Napolit. Sakaq, në vetëm dy raste nga 14 ndeshje kanë arritur suksesin me më shumë se dy gola nga kundërshtari.

Mesa duket, Sarri nuk e ka më kot kur thekson se Juventusi i tij do ende disa muaj kohë para se të marrë formën e plotë. Për momentin, bardhezinjtë ngjasojnë më shumë me karakteristikat e Alegrit, të cilat nuk mund të harrohen kaq shpejt pasi janë punuar për plot pesë vite. Megjithatë, ndryshimet e Sarrit pavarësisht se nuk janë ndjerë në numrin e golave të shënuar, janë dalluar në kontrollin e topit dhe aftësinë e skuadrës për të krijuar raste të rrezikshme.