Juventus pret matematikën, Serie A në “luftë” për Champions

427
Sigal

Me Juventusin që pret vetëm matematikën për të zyrtarizuar titullin kampion për vitin e tetë radhazi, Seria A po jeton një garë të fortë mes skuadrave që kërkojnë një biletë për në Champions sezonin e ardhshëm. Pikërisht në këtë mision, Milani mori një tjetër goditje me humbjen e së shtunës 2-1 në fushën e kampionëve në fuqi të kampionatit italian.

Pavarësisht kësaj ndalese të rëndë, e treta në katër ndeshjet e fundit, skuadra kuqezi vazhdon të jetë në zonën Champions. Por asgjë nuk do të jetë e lehtë për skuadrën e Gatuzos në tetë ndeshjet e mbetura të sezonit. Vendi i tretë që deri pak javë më parë dukej shumë i mundshëm, tashmë duket pronë e rivalëve të përjetshëm të Interit që kanë thelluar në pesë pikë diferencën pas barazimit pa gola në ndeshjen kundër Atalantës.

Një rezultat që i bën punë të dyja skuadrave, pasi edhe ajo bergamaske mban gjallë ëndrrën për të luajtur mes më të mirëve të Europës, teksa me pikë të barabarta me Milanin mban vendin e pestë në klasifikim.

Kthehet te suksesi edhe Roma, që mbylli me tri pikë javën e 31-të në Serie A, pas fitores 1-0 në transfertën kundër Sampdorias. Skuadra e Klaudio Ranierit përfiton edhe nga ndalesa e rivalëve direktë për të ngushtuar në vetëm një pikë diferencën nga zona Champions. Ndërkohë, largohet më shumë Lacio, që në sfidën e saj nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në “Olimpiko” kundër Sasuolos. Vendimtare në objektivin sezonal të skuadrës laciale është sfida direkte kundër Milanit që do të luhet të shtunën në mbrëmje.