Juventus përballë Manchester United, a do ta prishë “agjërimin” Ronaldo?

433
Sigal

Massimiliano Allegri do të nënshkruante në verë për të arritur me këtë numër pikësh në këtë moment të Ligës së Kampionëve. Tri ndeshjet e para në grup, pa përfshirë sfidën e mbrëmjes së sotme kundër Manchester United, e vendosin Juventusin të parin në grup, me 9 pikë të plota. E thënë ndryshe, bardhezinjtë kanë 5 pikë më shumë se “Djajtë e Kuq”.

Një rrugë e qartë, pa asnjë pengesë deri më tani, kjo e Juventusit në Ligën e Kampionëve. Një demonstrim i faktit që “Zonja e Vjetër” është pjekur si skuadër edhe në Europë, e gatshme të shkojë sa më larg, me ndihmën e Cristiano Ronaldos.

Megjithatë, ylli portugez mbetet ende “thatë” në Ligën e Kampionëve, me fanellën bardhezi. Por, jo vetëm kaq, sepse “agjërimi” i tij ndaj golit vazhdon qysh nga çerekfinalet e sezonit të kaluar, kur ai shënoi penalltinë aq shumë të diskutueshme në fund, kundër Juventusit.

Që nga ai moment kanë kaluar 389 minuta, një “përjetësi” për një lojtar si ai, që shënon praktikisht në çdo lojë, veçanërisht në Ligën e Kampionëve. Tifozët e Juventusit janë duke pritur që Ronaldo të shënojë dhe festojë golin e tij të parë në Europë me kampionët italianë, me shpresën për të larguar kujtimin e asaj “rrjete” të hidhur në “Bernabeu”, që eliminoi skuadrën e tyre të zemrës.

Nëse analizojmë ecurinë e tij me Juven, duhet të themi se në ndeshjen kundër Valencias u dërgua jashtë fushe me karton të kuq, që në pjesën e parë. Për pasojë, kundër Young Boys nuk luajti dot, sepse ishte i skualifikuar. Me pak fjalë, CR7 humbi kohën në dispozicion të tij. Por, sonte do të tentojë të bëjë me dhembje ish-skuadrën e tij. Objektivi momental i Juventusit mbetet kalimi në raundin tjetër të Champions-it. Nëse fiton sonte, bëhet i sigurtë vendi i parë në grup, nëse barazon, kualifikohet.

Sa i takon formacionit, Allegri pritet të konfirmojë modulin 4-3-3, me Cuadrado dhe Mandzukic, që luftojnë për lojtarin e tretë ofensiv, që do t’i bashkohet Dybala dhe Cristiano Ronaldos. Në mesfushë, edhe pse Matuidi është rikuperuar, Khedira mund të zërë vendin e francezit. Mund të luajë edhe Cancelo, por pritet ta zëvendësojë De Sciglio. Kapiteni Chiellini rikthehet në vendin e tij. Douglas Costa dhe Bernardeschi, si dhe Emre Can dhe Kean, nuk do të jenë në dispozicion.

Disa lajme kanë rrjedhur edhe nga seanca e fundit e trajnimit të Jose Mourinhos. Portugezi pritet të formojë një treshe mbështetëse (Martial, Pogba dhe Mata) pas sulmuesit të vetëm, që mund të jetë Rashford, duke pasur parasysh problemet fizike të Lukaku. Herrera kthehet në mesfushë së bashku me Matic, pas testit të mirë në Premier League.

Formacionet e mundshme

JUVENTUS (4-3-3): Szczesny; De Sciglio, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro; Khedira, Pjanic, Bentancur; Cuadrado, Dybala, Ronaldo.

MANCHESTER UNITED (4-2-3-1): De Gea; Young, Smalling, Lindelof, Shaw; Herrera, Matic; Mata, Pogba, Martial; Rashford.