Sigal

Bayern Munich nuk do ta blejë mesfushorin kolumbian, James Rodriguez, në fund të sezonit, sipas marrëveshjes që përmban huazimi i tij nga Real Madridi. Sipas akordit të arritur në verën e vitit 2017, Bayerni do ta huazonte për dy vite në këmbim të 5 milionë eurove dhe 42 milionë euro për blerjen e plotë të kartonit të tij.

Opsioni më i mundshëm është që kolumbiani të kthehet te Real Madridi, klub i cili e bleu në vitin 2014 për 80 milionë euro te Monaco. Por, sipas medias italiane, nuk do të ishte e habitshme që mesfushori t’i bashkohet Juventusit.

Bardhezinjtë do të përpiqen të shfrytëzojnë kontaktet me agjentin e tij, Jorge Mendes, i cili mbron edhe të drejtat e Cristiano Ronaldos, mes të tjerëve. Në qoftë se Bayern Munich ka vendosur për ta larguar James, do të jenë jo pak përcaktuese marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy klubeve.

Gjithashtu, flitet për një interes të gjermanëve për Paulo Dybala, që konsiderohet nga bavarezët si lojtari i duhur rreth të cilit të rindërtonin mesfushën dhe fazën ofensive, pas vështirësive që po e karakterizojnë sezonin aktual të gjigantëve nga “Allianz Arena”.