Juve fiton Kupën e Italisë, bardhezinjtë mposhtin Lazion në finale

475
Skuadra e Juventusit ka hedhur hapin e parë në kërkimin e tripletës këtë sezon duke fituar Kupën e Italisë. Bardhezinjtë mposhtën në finale Lazion me rezultatin e pastër 2-0.

Ekipi i Allegrit bëri një paraqitje mbresëlënëse në pjesën e parë, në të cilën shënuan dy gola. Alex Sandro dërgoi një harkim të mrekullueshëm në zonë, të cilin e priti Dani Alves dhe me të parën e dërgoi topin në rrjetë (12’).

Pas disa pritjeve të mrekullueshme të Thomas Strakoshës, Leonardo Bonucci shënoi golin e dytë për Juven (25’). Qendërmbrojtësi italian u gjend në vendin e duhur pas një tjetër harkimi nga Sandro.

Lazio rrezikoi në pjesën e dytë me anë të Felipe Anderson e Ciro Immobile, por nuk ishin të aftë që t’i shkaktonin telashe kundërshtarit që bënte lojë të sigurt.

Kjo është hera e tretë radhazi që bardhezinjtë e fitojnë Coppa Italia dhe ata mbajnë rekord trofesh në këtë garë, me 12 të tillë.

Tani “Zonja e Vjetër” është në kërkim të triumfit në kampionat dhe Champions për të kompletuar tripletën sezonale.
Sigal