Josa: “Skënderbeu, 90 minuta në sulm!”

492
Sigal

Presidenti Artan Takaj ka vendosur 100 mijë euro për kualifikimin kundër azerbajxhanasve të Nefçit

Skënderbeu është para një misioni historik, kur të përballen të martën kundër azerbajxhanasve të Neftçit, në ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminuat të Ligës së Kampionëve. Takimi i parë në Baku u mbyll në barazim pa gola, kështu që kampionëve të Shqipërisë u duhet patjetër fitorja për të kaluar në turin e tretë, atje ku priten të gjejnë fituesin e çiftit BATE Borisov-Shahktar Karagandy. Në dy pjesëmarrjet e para të Ligës së Kampionëve, katër herë kampionët e vendit u eliminuan nga qipriotët e APOEL Nikosisë dhe çekët e Debrecenit. “Ndeshja në Baku ishte e mirë përgjithësisht për skuadrën tonë. U zhvillua një ndeshje e hapur, të cilën edhe mund ta kishim humbur, por edhe mund ta kishim fituar”, tha trajneri Mirel Josa për mediat. Ish-trajneri i Tiranës ka besim te kualifikimi, por nuk dëshiron të bëjë aventurë, dhe pse luhet në Korçë. “Nuk do të thotë se kemi luajtur atje me skemën 4-1-4-1 dhe skuadra nuk sulmoi. Mund të luash sërish me këtë skemë, por të spostohesh përpara. Ne këtë duhet ta kemi shumë kujdes, sepse atyre po u le hapësira janë lojtarë të cilët ta bëjnë të keqen nga momenti në moment”, shtoi tekniku kryeqytetas. Pritshmëria është e madhe në qytetin juglindor dhe trajneri i kampionëve e ka të qartë këtë gjë. “Barazimi që morëm në Baku na rrit më tepër kërkesat që do të kenë drejtuesit e klubit karshi nesh, qoftë tifozëria karshi nesh”, – shton Josa. Trajneri Mirel Josa beson shumë te mbështetja e lojtarit të 12-të, tifozerisë, teksa priten të jenë në stadiumin “Skënderbeu” më shumë se 3500 veta. Biletat janë shitur plotësisht, ndërkohë që tifozeria po përgatit një koreografinë. Takimi do të gjykohet nga një katërshe polake me në krye Pavel Gil, ndihmës të tij janë Sadzhuk dhe Borkovski. Presidenti Artan Takaj ka vendosur 100 mijë euro për kualifikimin kundër Nefçit, ndërkohë që në Korçë besojnë te mrekullia.

  Kukësi

Kuksianët janë tani për tani, ekipi i vetëm shqiptar që ka kaluar një tur në Europë. Nënkampionët e Shqipërisë eliminuan në turin e parë Flora Talinin, ndërsa kanë shanse edhe ndaj Sarajevos.

 Teuta

Durrsakët u eliminuan nga moldavët e Daçia Kishianut. Fituan 3-1 në Durrës, por humbën 2-0 në Kishinau, në një ndeshje të vlerësuar nga kompanitë ndërkombëtare të basteve si e trukuar.

 Laçi

Laçi humbi 1-0 me luksemburgasit e Diferdanzhit në Korçë, dhe po të njëjtin fat pati dhe në Luksemburg, kur humbi 2-1, ndërsa tre lojtarë kurbinas dolën me karton të kuq. Ndeshje të dyshuara.

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë

17 korrik 2013

Neftçi-Skënderbeu    0-0

23 korrik 2012

Skënderbeu-Neftçi    20:00

LIGA E EUROPËS

Turi i parë

4 korrik 2013

Flora Talin–Kukësi   1-1

11 korrik 2013

Kukësi-Flora Talin   0-0

Turi i dytë

18 korrik 2013

Kukësi-Sarajevo      3-2

25 korrik 2013

Sarajevo-Kukësi      21:00

Partizani, faza përgatitore në Greqi dhe Itali

  Partizani do të zhvillojë pjesën e dytë të fazës përgatitore në Greqi, pikërisht në kompleksin stërvitor të Grevenasë, një qyteti që ndodhet rreth 50 km larg kufirit shqiptar. Lajmi është konfirmuar nga burimet pranë 15 herë kampionëve të Shqipërisë. “Demat” kanë zhvilluar një merkato të bujshme deri tani, ku spikasin afrimet nga Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë. Pikërisht, ish-futbollistët nga Prishtina janë bërë edhe pengesë për nisjen e Partizanit drejt vendit fqinj, pasi Labinot Ibrahimi, Besnik Krasniqi dhe Behar Maliqi ende nuk i kanë dorëzuar dokumentacionin e duhur në ambasadën greke për t’u pajisur me vizat hyrëse. Deri në mesjavë stërvitja do të vijojë në kryeqytet, ndërsa në fundjave besohet se do stafi teknik me në krye trajnerin Hasan Lika dhe grupi i lojtarëve do të udhëtojnë drejt Grevanasë, që ofron kushtet e përshtatshme klimaterike për stërvitje në këtë periudhë të nxehtë vere. Skuadra do të  grumbullohet në hotelin “Achilion”, ndërkohë që seancat stërvitore do të zhvillohen në një terren që ndodhet pak kilometra larg rezidencës greke të të kuqve. Në program janë parashikuar disa ndeshje miqësore. Pas kthimit nga Greqia, Partizani do udhëtojë drejt Italisë, ku është parashikuar të zhvillohet një turne miqësor me disa ekipe. Për sa i përket organikës, problemi më i madh mbetet reparti i avancuar, ku mungojnë afrimet cilësore. Malo dhe Lala janë elementët e vetëm me karkteristika sulmuese në dispozicion të trajnerit Hasan Lika. Presidenca e Partizanit shpreson ende te goditjet e orës së fundit, teksa sytë janë hedhur nga Kukësi, skuadra që po befason edhe në Europa League. Tre ish-futbollistë të Partizanit, Igli Allmuça, Rrahman Hallaçi dhe Gerhard Progni janë në fokusin e dyshes presidenciale Sallaku-Demi, dhe gjasat janë që ata ta veshin fanellën e kuqe, por gjithcka do të varet nga zhvillimet te skuadra verilindore në përfundim të aventurës europiane.

 Afrimet e kuqe

Labinot Brahimi      (mbrojtës, Kosovë)

Ertan Demiri    (mbrojtës, Shkup)

Alban Hoxha     (portier Tiranë)

Besnik Krasniqi (mbrojtës, Kosovë)

Behar Maliqi    (mesfushor, Kosovë

Mevlan Murati   (mbrojtës, Tetovë)

Julian Malo     (sulmues, Tiranë)

Elvis Prençi    (mbrojtës, Peshkopi)

 FSV Franfkurti i dy shqiptarëve humbet në ndeshjen e parë të Bundesligës 2

 Kapllani-Roshi, start fals kundër Karlsruhes

FSV Frankfurti i Edmond Kapllanit dhe Odise Roshit bënë një hap start fals në javën e parë të Bundesligës 2, duke humbur në shtëpi 1-0 me Karlsruhen. Edhe pse FSV Frankfurti e nisi me shumë optimizëm ndeshjen dhe pati disa raste të mira për shënim, golin e vetëm të takimit e shënuan miqtë më anë të Peitcit në minutën e 84-t. Ashtu siç edhe pritej, trajneri i FSV Frankfurtit, Beno Mëhleman, hodhi nga minuta e parë në fushë sulmuesin Edmond Kapllani, ndërkohë që mesfushori i Kombëtares sonë, Odise Roshi, u fut në lojë si zëvendësues në minutë e 65-të kur rezultati ishte 0-0. Në formacionin titullar të FSV Frankfurtit u aktivizuan nga minuta e parë katër nga tetë blerjet e merkatos verore. Rasti i parë i takimit i përket Edmond Kapllanit, pikërisht në minutën e 4-t, pas një goditje këndi, por sfera e goditur nga durrsaku nuk arriti të pushojë në rrjetë e për të ngritur “temperaturën” e tifozëve në “Volksbank Stadion”.  Kapllani, i cili luante kundër ish-skuadrës së tij, Karslruhes, për të cilën u aktivizua në 118 ndeshje dhe shënoi 26 gola midis viteve 2005-2009, u ndëshkua me karton të verdhë (23’). Në pjesën e dytë, nga minuta e 66-të u aktivizua Odise Roshi në vend të Teixeierës, por pa mundur dot të ndihmojë ekipin e tij të dalë më pikë nga ballafaqimi i parë sezonal në Bundesligën 2. Në javën e dytë, FSV Frankfurti do të udhëtojë drejt Bavarisë, në sfidën me TSV 1860 Munih.

Balaj

Të shtunën, Bekim Balaj debutoi me gol në kampionatin polak. Sulmuesi shkodran shënoi golin trepikësh në fitoren 1-0 të Jagiellonias në transfertën kundër Zavisza Bydgozh. Pas një kundërsulmi të shpejtë të Jagiellonias, Bekim Balaj realizoi në minutën e 78-të me një gjuajte brenda zonës. Takimi ishte i vlefshëm për javën e parë të T-Mobile Ekstraklasa.

Basha

Vullnet Basha, i thirrur për ndeshjen kundër Norvegjisë, luajti për disa minuta në barazimin pa gola të Sionit kundër Cyrihut, në javën e dytë të kampionatit zviceran. Trajneri Dekastel e hodhi në fushë Vullnetin nga minuta e 88-të, ndërkohë që titullar ishte kosovari me pasaportë zvicerane Big Ferati. Në stol për Sionin ishte edhe kosovari Benxhamin Kololli.

 

Mërgim Mavraj, asist serbit Xhurxhiç në fitoren e Fyrthit

Grojther Fyrthi i Mërgim Mavrajt dhe Ilir Azemit fitoi 2-0 kundër Arminias së Bielefeldit, duke regjistruar fitoren e parë qysh nga 13 prilli i vitit 2012 (2-1 kundër St.Paulit), ndërkohë që Mavraj dha asistin e golit të dytë të shënuar nga serbi Nikola Xhurxhiç.

Në formacionin titullar ishte dhe mbrojtësi gjigant i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, por ndryshe nga sezoni i kaluar në Bundesligës 1, kosovari nuk e mbante më shiritin e kapitenit, ndërkohë që tani ai është në krahun e Heslit. Nga minuta e parë në lojë ishte dhe sulmuesi i ri Ilir Azemi, i përfolur gjatë si një nga kandidaturat për të veshur fanellën e Kombëtares shqiptare. Azemi u zëvendësua në minutën e 89-të nga Hefele.

Prania e Mavraj në ndeshjen hapëse të Bundesligës 2 zbeh shumë pistat e mundshme të transferimit në një skuadër tjetër, edhe pse u fol gjatë për një interesim të disa skuadrave italiane, përfshirë dhe Lacion, ku aktivizohet kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana. Trajneri i Grojther Fyrthit, Frank Kramer, hodhi në fushë thuajse një formacion krejt të ri, pas 16 largimeve nga sezoni i kaluar. Pesë lojtarë të sapo blerë ishin në ekip nga dhjetë afrimet e verës. Grojther Fyrthi e mbylli ndeshjen brenda 11 minutave të para, kur gjetën rrjetën, fillimisht me anë të Vajland në minutën  e 3-të. Në minutën e 11-të, pas një krosimi nga e majta nga e Mërgim Mavrajt serbi Xhurxhiç nuk e pati të vështirë të shënonte nga një distancë e afërt prej gjashtë metrash duke fiksuar shifrat 2-0. Më pas kronika regjistron në numër të pafund rastesh për të shënuar golin e tretë të Grojther Fyrthit. Të premten e ardhshme, Grojther Fyrthi do të luajë në transfertë kundër VfR Aaelenit.

Plaku

Slask Vroklau e Sebino Plakut barazoi pa gola në transfertën kundër Korona Kielce, për javën e parë të kampionatit polak. Sulmuesi shqiptar luajti për 90 minuta, por pa mundur të shënojë. Pak ditë më parë, Plaku realizoi në Ligën e Europës kundër malazezeve të Rudarit.

Taipi

Gjelbërim Taipi, mesfushori kosovar i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, debutoi me gol në kampionatin zviceran. Ish-lojtari i Shkëndisë së Tetovës realizoi golin e parë në fitoren 3-0 të Vilit në transfertën kundër Kiasos, duke zhvilluar një paraqitje mbresëlënëse.

Ujkani

Samir Ujkani te Lacio, por vetëm në rolin e portierit të dytë.

Ky është opsioni që ofro klubi italian ku është drejtor sportiv Igli Tare. Kosovari, ende në pronësinë e Palermos, pritet të jetë rezervë i Frederiko Marketit. Ujkani u rikthye te Palermo pas dështimit te Kievo.