Josa mban fjalën, nga dije fillon punën me Prishtinën si Drejtor Teknik

Ashtu si edhe deklaroi ditë më parë, dje Mirel Josa ka bërë realitet, pasi ka filluar me skuadrën e Prishtinës. Ai ishte i pranishëm në stërvitjen e skuadrës, ku një ditë më parë u emërua drejtor teknik, duke takuar të gjithë futbollistët me të cilët do të punojë. “Prishtina është klubi më me emër në Kosovë, jo vetëm tani në periudhën e formimit të shtetit të Kosovës, por edhe më përpara, duke pasur parasysh reputacionin që ka. E pranova me dëshirë ftesën e presidentit, dhe këtu nuk kam ardhur të vë në dukje gabimet që ka bërë skuadra, por çdo gabim që evidentohet është për të mirën e saj”, kështu deklaroi Josa dje për mediet kosovare. Ambiciet e Prishtinës janë që të ecë sa më para, që skuadra të ketë përfaqësim dinjitoz në të gjitha drejtimet, jo vetëm për fitimin e kampionatin në Kosovë.