Jorgji PURAVELI/Futbolli përmetar në vite dhe kulmet e tij

762
Sigal

Nga “Leka i Madh” i viteve 1930, te skuadra që u ngjit në Kategorinë e Parë në sezonin 1980-1981

Të flasësh për futbollin e futbollistët përmetarë është kënaqësi e njëherësh një detyrim falënderimi. Po, faleminderit atyre që na falën kënaqësi e dhuruan emocione të papara në fushën e blertë të stadiumit të qytetit tonë.

“LEKA I MADH”

Në fëmijërinë time, në Përmetin e zhuritur nga lufta, ne, fëmijët shpesh harroheshim pas topit të leckës, por të dielave pasdite vërshonim në fushën e futbollit të qytetit, për të parë lojën e të rriturve. Jehona e skuadrës së hershme të futbollit përmetar “Leka i madh” ishte e freskët, por dhe pasioni i djalërisë përmetare për të luajtur futboll nuk ka munguar kurrë, si dhe sportdashësit e emancipuar e inkurajues.

YJET E PARË

Në vitet e para të pasluftës vazhdimisht zhvilloheshin takime miqësore me ekipin e ushtrisë, si dhe me ekipet futbollistike të qyteteve të jugut të vendit. Në ato vite të vështira e shprese, kënaqësi na dhuruan me lojën e tyre shumë futbollistë përmetarë të vetorganizuar, si: Androkli Popli, Taqi Kristidhi, Gogo Manxhari, Apostol Adhami, Ndreko Kllapi, Fore Topoviti, Nesti Jani, Palok Zhamo, Cene Dakollari, Mosko Xhillari, Cane Mersini, vëllezërit Tarka, Llambro Proko… etj.. Na emociononte loja e kapitenit simpatik të skuadrës Koço Qirici (i ndarë tragjikisht nga jeta), qendërsulmuesi i ri e i talentuar Thoma Thimjo (Çomiku i mamasë), si dhe “motori” i skuadrës Aleks Vasili (Leksi i Atës).

BREZ I TALENTUAR

Këtë kënaqësi e ndjeva veçanërisht kur luante vëllai im i madh, Arqilea 15-vjeçar, me ekipin përfaqësues të qytetit bashkë me shokët e tij Vangjush Angjeli e Pirro Kosova. Më vonë ndoqa me ëndje të gjithë ekipet pasardhëse të qytetit, duke u entuziazmuar nga loja e mësuesve të mi: Petrit Hasekiut nga Elbasani, Pandi Ballit nga Korça, Sotir Dodes nga Gjirokastra e përmetarit Fore Saqellari. Në atë fushë të blertë pashë të luanin futbollistët e brezit tim: Bori Faniko, Vangjush Popli, Muharrem Roçi, Llazar Qirici, Jani Faniko, Novrus Duralliu, Fore Josifi, Kristaq Budo, Spiro Londo, etj.. Po aty pashë kolegët e mi, mësuesit Aristotel Diamandi, Fore Manxhari, Avram Tyto, Ramadan Kamberi, Dine Bajrami, Ilir Hasimi, Koço Koçollari, etj. Pashë nxënësit Ilir Lame, Astrit Beollari, Ladi Sanxhaku, Engjëll Nebiaj, Gjeno Nako, Piro Duri, Ilir Tundo, Spartak Tonini, etj..

“EKIPI E ËNDRRAVE”

Mbresa të pashlyera kam për ekipin përfaqësues të qytetit tonë në sezonin futbollistik 1980-1981. Ky ekip dinjitoz me lojërat e tij të bukura bindshëm doli në krye të kategorisë së dytë dhe në vitin në vazhdim na dhuroi kënaqësinë që në stadiumin tonë të shihnim ekipet elitë të vendit si: Partizanin, Dinamon, Vllazninë, 17 Nëntorin, etj.. Ishte ekipi që luante një futboll kolektiv, po me individualitete të spikatura. Loja e tij qe sa korrekte, po dhe aq luftarake. Mbi të gjitha në fushën e lojës rrezatonte qytetaria përmetare. Edhe pse kanë kaluar 30 vjet, desha të shpreh mbresat e mia me dashamirësi e pa ndonjë qejfmbetje për kënaqësinë e emocionet që na falën futbollistët e këtij ekipi.

TRAJNERËT E PASIONUAR

Trajner i ekipit ishte i pasionuari i futbollit Agim Qypi. Ishte ai që e ngriti lart shpirtin luftarak të këtij ekipi dhe që e udhëhoqi me sukses në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Kategorisë së Parë. S’e mbante vendi gjatë gjithë lojës duke mos u lodhur së nxituri e mobilizuari futbollistët në çdo moment, por veçanërisht në situata të vështira. Shkrihej totalisht me lojën aq sa përgjegjësia e emocioni e “sëmurte” e i ngjirte zërin në fund të lojës. Dua të vë në dukje punën pasionante të trajnerit të të Rinjve, Bujar Myrtezai, që furnizoi ekipin e të

rriturve me mjaft lojtarë cilësorë. Ai qe për futbollin përmetar të kohës si Xhevit Demneri për 17 Nëntorin e Tiranës.

KAPITENI NDREU

Emblema e ekipit ishte kapiteni Koli Ndreu mbrojtësi i pakalueshëm, elegant që me goditjen e topit e pasin e tij të saktë në nisjen e aksioneve sulmuese. Inteligjent në organizimin e përpunimin e mbrojtjes, gjithmonë pozicional në kohën e vendin e duhur, triumfues në duelet me sulmuesit e shpejtë kundërshtarë. Kapiteni që, ndërhyrjeve brutale të kundërshtarëve, gjithmonë u kundërvinte buzëqeshjen e tij imponuese. Është thënë se “magjia” e lojës së futbollistit legjendar Pele, veç të tjerave kishte të bënte edhe me inteligjencën e tij në përpunimin e situatës në pjesë të sekondës para kundërshtarit, gjë që e bënte triumfues në duelet e lojës. Në këtë paralele ka vend për të parë suksesin e qendërmbrojtësit të papërsëritshëm Koli Ndreu që nuk do ta teproja nëse do ta quaja legjenda e futbollit përmetar.

“LEV JASHINI”

Në portë qëndronte i gatshëm, i vëmendshëm dhe gjithnjë i sigurt e i suksesshëm në pritjen e topit, Aleko Kristani. Porta e futbollit përmetar prej kohësh kishte pasur portierë të mirë që nga Llazi Kllapi, Sokrat Cullufja, Albert Saqellari, Gigo Kosova, Qerim Mullarai, etj., por Lekoja na dha emocione të veçanta me kërcimet e daljet e tij të sigurta, duke zgjidhur mjaft situata të rrezikshme në portë. Loja e tij inkurajonte të gjithë lojtarët e ndikonte në rezultatet pozitive në jo pak ndeshje, aq sa ne shpesh e etiketonim si “Lev Jashin”, (portierin e famshëm rus të kohës). Dy mbrojtësit e krahut, Naim Qypi e Robert Dhimitri, gjithmonë luftarakë e të pakalueshëm për kundërshtarët. Mesfushorët Avni Lapaj, Kleo Sevo, Arben Xhakolli, që me fishkëllimën e parë të arbitrit “ndiznin motorët” dhe të kudondodhur në fushë deri në përfundim të ndeshjes.

GOLAT E DURIMIT

Këtij ekipi të madh nuk i munguan individualitetet e spikatura e të papërsëritshme. Sulmuesi Durim Qypi iku i ri nga kjo jetë, por ai na ka mbetur në kujtesë si golashënuesi më i suksesshëm. Vazhdimisht na ngrinte në këmbë me golat e tij, njëri më i bukur se tjetri. Sulmuesi Josif Lipe, i shkathët dhe nuhatës i golit te porta kundërshtare. Polikron Andonin nuk e kemi më, por

“predhat” e lëshuara prej tij drejt portës kundërshtare nuk harrohen. Do të desha të perifrazoja një thënie të humorit shkodran: “Unë bëj golat që bën gjithkush, por bëj golat që nuk i bën askush”.

INTELIGJENCA E KONINIT

Emocione na krijonte jo vetëm me golat, por edhe me driblimet e zhonglimet me top. Edmond Konini, inteligjent në lojë e i papërsëritshëm me driblimet e kundërshtarit me belin e tij “mashtrues”. I suksesshëm në lojën në ajër me kërcimet e tij atletike e për golat e bukur me kokë. Ashtu siç nuk harronte t’i merrte disa minuta lojës për kënaqësinë e vet.

SPEKTATOR I EMANCIPUAR

Magjia e lojës së futbollit është e pandarë nga “amokoja” që kap spektatorin e emancipuar, gjë që i vogël e në vazhdim më ndoqi dhe mua. Me kureshtjen e fëmijës kisha vënë re se një mësuesi im i dashur e i respektuar i fillores Eftim Kosta, vazhdimisht e ndiqte lojën i vetëm në një cep të fushës. Me ndrojtje iu afrova një të diel dhe u befasova kur pashë që ai, edhe pse i heshtur, dridhej i tëri. Më vonë e kuptova dhe e ndjeva “amoko” e futbollit. Shumë sportdashës atë e mbajnë përbrenda, por ka shumë të tjerë që bëhen euforikë e të zhurmshëm. Përmeti nuk e harron Vaskë Argjirin, që gjithë lojën ishte në këmbë duke i ardhur fushës vërdallë duke mbështetur e inkurajuar skuadrën me korin e improvizuar të fëmijëve, të organizuar prej tij.

 SPORTDASHËS TË ZJARRTË

Në kohë nuk kanë qenë të paktë sportdashësit që e ndiqnin skuadrën edhe në ndeshjet që zhvillonte në rrethet fqinjë. I veçantë ishte në vitet ’80 sportdashësi Maliq Metushi! Në një takim në Gjirokastër pas golit që bëri skuadra jonë heshti kori i tifozerisë gjirokastrite. Këtë heshtje e prishi tingëllima e ziles e këmborës së madhe që tundte Maliqi i ngritur në këmbë. Një miku im gjirokastrit më tha si me shpoti: “Mirë ne gjirokastritët, por edhe ju përmetarët me zile?”. Ia ktheva me dashamirësi: “Duhen ndonjëherë për veshët e tifozëve gjirokastritë”.

 HISTORI TIFOZËSH

Nuk harrohen sportdashësit e zjarrtë, zetoristi Nako Mihali e Gogo Dhima nga Lipa. Nakoja nuk kursehej se sillte herë pas here zetorë me dhe, për të rregulluar fushën, kurse tani tregohet si barsoletë një e vërtetë e ndodhur shumë kohë më parë me Gogon. I ndodhur një të diel në malin e Dhëmbelit, për të mbledhur bar, papritur Gogoja dëgjoi jehonën e brohoritjeve që vinin nga fusha e futbollit. E la gomarin me bar në mal dhe “u bë erë” për të arritur në qytet për të parë ndeshjen. Sportdashësi i emancipuar përmetar vazhdimisht ka ndjekur e inkurajuar lojën e futbollistëve të tij në fushën e blertë. Uroj që këtë arritje ta ndjejë, vlerësojë e kremtojë edhe qytetari i sotëm përmetar, sepse është nder, respekt e detyrim i qytetarisë përmetare për këtë ekip të madh, që shkëlqeu e iku si meteor në jetën e qytetit tonë.

  “Xhaketat e zeza”, gjykime korrekte

 Edhe gjykimi i ndeshjeve ka “spunton” e vet në lojën e futbollit kur gjykojnë arbitra pasionantë e kompetentë. Fillimisht gjykonin vullnetarisht lojtarët autoritarë që, vit pas viti, mosha i bënte të hiqnin këpucët e futbollit dhe të vinin bilbilin në gojë. Kujtoj gjykimet korrekte e me kompetencë të Llazi Kllapit, Nesti Janit, Gigo Kosovës dhe të pasionuarit Simo Tamburi (xhaxhi). Vite më vonë u aktivizuan edhe mësuesit e papërtuar Astrit Turtullushi e Kiço Mboqe. Me rritjen e veprimtarive sportive u rrit dhe numri i gjyqtarëve tashmë të certifikuar, ku dallonte treshja me kryesorin Ilir Hasimi, gjyqtar i Kategorisë së Parë.