Java e Superligës rikthen Vllaznia-Tirana, skuadrat e 189 viteve histori në futboll

692
Sigal

 Java e 21-të e Kampionatit vjen me shumë sfida njëherësh, ku bien në sy Vllaznia-Tirana, Laçi-Kukësi dhe Partizani-Skënderbeu

 Kampionati Shqiptar i futbollit përjeton një javë të mbushur me ndeshje të mëdha, ku mbi të gjitha dallon ndeshja më historike e futbollit shqiptar, ajo mes Vllaznisë dhe Tiranës. Kur luhet kjo ndeshje, luhet e gjithë historia e futbollit shqiptar, me dy ndër klubet më të vjetra në Shqipëri, ku pak e nga pak filluan që të përhapnin edhe më shumë këtë sport në vend. Për vite e vite me radhë, kjo ndeshje ka qëndruar në majën më të lartë të futbollit në vend, me shumë sfida mes tyre, shumë gola, kampionate të ndare, kupa të fituara dhe mbi të gjitha rivalitet vetëm në aspektin sportiv. Ajo çfarë ndodhi në 2014-ën, në “Loro Boriçi” duhet t’i përkasë të shkuarës, pasi këto dy skuadra kanë treguar se kalojnë përtej asaj. Si të mos mjaftonte kjo ndeshje, kjo javë ka rezervuar edhe takime të tjera që do të mbajnë “frymën pezull” për të gjithë, ku Laçi-Kukësi dhe Partizani-Skënderbeu luajnë pjesën e tyre në aktin e radhës në kampionat.

Laçi-Kukësi- Ky është takimi që do të hapë ditën e diel, bashkë me Elbasani-Teuta, ku skuadrat do të përpiqen që të gjejnë rrugën e fitores, me Kukësin që i duhet të ruajë ritmin e renditjes dhe me Laçin që synon Kupat e Europës, duke qenë se Kupa e Shqipërisë dhe kualifikimi nëpërmjet kësaj rruge është pothuaj i mbyllur, nisur nga humbja që pësoi me Partizanin. Kukësi nga ana tjetër është skuadra me formën më të mirë aktualisht në futbollin shqiptar, ku në 2015-ën nuk e ka njohur akoma as humbjen dhe as barazimin, duke u fokusuar vetëm tek fitoret, që janë aq të domosdoshme që të vazhdojë të thellojë diferencën me ndjekëset më të afërta. Kjo ndeshje gjithmonë ka paraqitur interes për tifozët, ku edhe këtë herë pritet që të jetë një stadium i mbushur plot.

Elbasani-Teuta: Ndoshta nuk është një nga ato ndeshje që cilësohet si e “fortë”, por sa i përket fundit të renditjes dhe skuadrave që mund të qëndrojnë edhe vitin e ardhshëm në Superligë, ka një rëndësi të madhe. Janë përballë Elbasani dhe Teuta, skuadra që qëndrojnë përkatësisht në vendin 9 dhe 8 të renditjes dhe një fitore për elbasanasit do të ishte një shpresë më shumë për qëndrimin e tyre në elitë, ndërkohë që Teuta është një nga ekipet më të rrezikuara (nga 7 të tjerat të përfshira) sa i përket hetimit që po bën Komisioni i Etikës për “famëkeqen 19-të”. Shumë sy do të jenë edhe këtu të drejtuar, ku sigurisht do të luhet një ndeshje mes të barabartëve, për një vend “nderi”.

Flamurtari-Apolonia: Dy barazime morën këto dy ekipe në ndeshjet e Kupës, barazime të ndryshme, ku fierakët treguan më në fund se vlejnë dhe mund të bëjnë edhe surpriza, edhe pse deri tani vetëm në Kupë. Apolonia ka një rast të artë që të tregojë veten edhe në ndeshjen me Flamurtarin, ndoshta për të bërë një befasi edhe në Superligë. Nga ana tjetër, Flamurtari nuk është nga ato skuadrat “miqësore” që lë kundërshtarët të përfitojnë në fushën e tyre, e në qoftë se e bëjnë, nuk është pa vuajtje, çka e tregoi edhe ndeshja me Skënderbeun në Kupë. Mbetet vetëm për tu parë edhe kjo ndeshje, edhe pse ka pak të ngjarë që Flamurtari të humbë një shans të tillë që të grumbullojë pikë në shtëpi.

Vllaznia-Tirana: Ndeshja e orës 17:00, ku ka shumë për tu folur për të, pasi pritet një reagim i Vllaznisë, e ku më mirë se në “Loro Boriçi” e ndaj Tiranës mund të vijë një gjë e tillë. Këtë sezon, pavarësisht kampionatit jo të mirë që ka zhvilluar në tërësi Vllaznia, ka treguar se di të bëjë surpriza edhe ndaj skuadrave të kreut, siç e tregoi me Partizanin në Tiranë. Nga ana tjetër, Tirana shkon në Shkodër për të mos lënë pikë, në pritje edhe të gabimeve që mund të bëjnë kundërshtarët, duke qenë se edhe ato kanë takime delikate.

Partizani-Skënderbeu: Kjo ndeshje është vendosur që të luhet ditën e hënë, atëherë kur të gjitha takimet e tjera janë mbyllur dhe do jenë ekipet e vetme që “me laps e me letër” do të bëjnë llogaritë, duke luftuar vetëm për fitore, me shpresën që të marrin “dhurata” nga ekipet e tjera, ku humbja e Tiranës dhe Kukësit do ishte një shtesë e mirësisë. Por gjithsesi, pavarësisht rezultateve të ndeshjeve të tjera, kryesorja për këto dy ekipe është takimi i tyre dhe rezultati gjatë lojës.

  SKUADRA ND F B H P
1 Kukësi 20 14 2 4 44
2 Tirana 20 12 5 3 41
3 Skënderbeu 20 12 4 4 40
4 Partizani 20 12 4 4 40
5 Laçi 20 7 8 5 29
6 Flamurtari 20 6 7 7 25
7 Vllaznia 20 8 2 10 23
8 Teuta 20 6 1 13 19
9 Elbasani 20 3 0 17 9
10 Apolonia 20 2 3 15 9

08.02.2015

Laçi 14:00 Kukësi

Elbasani 14:00 Teuta

Flamurtari 17:00 Apolonia

Vllaznia 17:00 Tirana

09.02.2015

Partizani 18:00 Skënderbeu

Kupa e Europës U21/ Nuk na shqitet Portugalia, shorti na vë përballë tyre dhe Greqisë

 U hodh dje në Nion të Zvicrës shorti për eliminatoret e Kupës së Europës për U21 që do të luhet në vitin 2017. Shorti na vuri përballë ekipeve të Portugalisë, ashtu si edhe përfaqësuesja e madhe për Euro 2016, Greqisë, Izraelit, Lihtenshtejnit dhe Hungarinë. Grupi është padyshim një nga grupet më të vështira të këtij turneu, por nuk është i pakalueshëm, ku sa i përket futbollit të moshave ne mund të lëmë pas skuadrat e Izraelit, Lihtenshtajnit, Hungarisë, pse jo edhe Greqinë. Duket se Portugalia nuk na ndahet në çdo nivel të futbollit të Kombëtareve, dhe mjafton që përfaqësuesja e vogël, të ketë të njëjtin fat si Kombëtarja e madhe. Eliminatoret fillojnë në 23 mars të 2015 për të përfunduar me 11 tetor 2016.

Kategoria e Parë/ Besëlidhja-Tërbuni, një ndeshje për titull

Nesër fillon edhe faza e dytë e Kategorisë së Parë të futbollit në Shqipëri, ku në grupin A do të ndeshen as më pak e as më shumë sesa Besëlidhja dhe Tërbuni, dy skuadrat më në formë të këtij kampionati, pa anashkaluar as Mamurrasin. Takimi i nesërm vë përballë vendin e dytë me vendin e parë të renditjes, ku pukianët padyshim që shkojnë në Lezhë për të marrë edhe një fitore tjetër, për ta rritur edhe më shumë diferencën me kundërshtarët por edhe për të vazhduar serinë e pa të metë të fitoreve radhazi. Nëse i hedh një sy tabelës së renditjes vë re se është e vetmja skuadër që akoma nuk ka provuar të humbasë, nga të dy grupet, diçka që sigurisht tregon se ecuria e mirë e ekipit nuk është rastësore. Ndërkohë, se a do të vijë fundi i këtij rekordi në ndeshjen ndaj lezhjanëve, kjo mbetet për tu parë. Janë vetëm katër pikë që i ndajnë këto dy ekipe, katër pikë që nuk janë asgjë në këtë ndeshje direkt mes tyre. E sikur të mos mjaftonte ky takim, është edhe grupi B që sjell “dhuratën” e vet, me ndeshjen Lushnja-Dinamo, dy ekipet që kanë përkatësisht vendin e parë dhe të dytë në renditje, ku i ndan vetëm një pikë, me lushnjarët që prijnë të parët dhe një fitore nesër do të thotë më shumë siguri në këtë rrugë. Situata në grupin B vazhdon të jetë akoma e ngjeshur, ku ekipet e para i ndajnë vetëm pak pikë ndaj njëra-tjetrës, ndërkohë që do të shihet me vëmendje në të gjitha skuadrat se çfarë ndryshimesh kanë pësuar në këtë fazë shumë të gjatë pushimesh, dhe si do të reagojnë ekipet nga blerjet e reja dhe largimet e bëra.