Java e gjashtë e Superligës, luhet më shumë se për tre pikë

506
Sigal

Kjo javë ofron ndeshje të veçanta, ku spikat mbi të gjitha Tirana-Partizani

Duket se me ndeshjet e kësaj jave, do të përmbushen pritshmëritë për një futboll të bukur dhe nivel të lartë loje, duke parë edhe sfidat që na presin, ku mbi të gjitha qëndron derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani që është një ndeshje që do të luhet brenda dhe jashtë fushe. Aktualisht derbi i kryeqytetit bën diferencën nga të gjitha ndeshjet e kësaj jave për faktin se luajnë dy skuadra të kreut që janë me pikë të barabarta dhe se luajnë skuadrat që kanë dhënë gjithmonë spektakël në kampionatin tonë. Por vëmendja kalon edhe tek ndeshjet e tjera, me Apolonia- Kukësi që do hapin javën të shtunën në ora 17:00 ku verilindorët e gjejnë veten në një gjendje jo të mirë në kampionat pas dy ndeshjesh të humbura rresht, ndaj Partizanit dhe ndaj Skënderbeut, të dy rivalë për titull. Këto humbje e larguan nga kreu me 3 pikë, duke u ndodhur në kuotën e 7 pikëve dhe ndeshja me Apoloninë nuk do jetë një shëtitje për ta, pasi fierakët e kanë treguar veten se janë një skuadër që dinë të marrin rezultat të mirë në shtëpi dhe pas asaj humbjes me Vllazninë që i dërgoi në vendin e parafundit, kanë nevojë që të largohen nga zona e rrezikut. Ndeshjet e ditës së diele do të hapen me Vllaznia-Elbasani, me shkodranët që luajnë ndeshjen e dytë rresht në shtëpi, sërish pa tifozë, dhe do të synojnë fitoren e dytë në seri pas asaj ndaj Apolonisë 2-0 dhe duke parë se përballë kanë skuadrën që akoma nuk ka grumbulluar asnjë pikë, nuk duket se do ta kenë aq të vështirë, pavarësisht se elbasanasit do të provojnë të arrijnë një rezultat pozitiv. Dy ndeshjet e tjera që mbyllin javën janë ato mes Teuta- Skënderbeu dhe Flamurtari – Laçi të dyja në ora 19:00. Ndeshje interesante mes Teutës dhe Skënderbeut, me durrsakët që vijnë pas humbjes me Partizanin dhe e shohin veten në vendin 8 të renditjes me 4 pikë, ndërsa Skënderbeu rikonfirmohet si pretendente për titull duke fituar ndeshjen delikate me Kukësin për të ndarë kreun me pikë të barabarta me tre skuadrat e tjera. Ndeshja e fundit e javës është një tjetër duel interesant mes Flamurtarit dhe Laçit, me vlonjatët që konfirmohen në krye të tabelës së renditjes dhe një fitore ndaj Laçit është domosdoshmëri për qëndrimin aty, por duke parë ecurinë e Laçit dhe cilësinë në mbrojtje që kanë si skuadër, kjo ndeshje jep garanci për lojë të bukur nga ana e të dy skuadrave. Kjo javë duket se, do të shpalosë më në fund pretendentët e vërtetë për titull, me Tiranën dhe Partizanin që ndeshen bashkë dhe me Flamurtarin e Skënderbeun që kanë ndeshjet deçizive përkatësisht me Laçin dhe Teutën.

Ndeshjet e datës 26

Apolonia 17:00 Kukësi

Tirana 20:00 Partizani

Ndeshjet e datës 27

Vllaznia 16:00 Elbasani

Teuta 19:00 Skënderbeu

Flamurtari 19:00 Laçi

 

 

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1. Flamurtari         5        10

2. Skënderbeu       5        10

3. Tirana               5        10

4. Partizani            5        10

5. Kukësi               5        7

6. Laçi                   5        6

7. Vllaznia             5        5

8. Teuta                 5        4

9. Apolonia           5        4

  10 Elbasani            5        0

 

Tirana-Partizani, pa tifozë pavarësisht dëshirës

‘Një ndeshje e tillë që do të luhet pa tifozë, dëmton sportin e bukur të futbollit’. Kështu shprehen dashamirët e këtij sporti,në rangun e tifozëve, që mendojnë se duhet të bëhet një lëshim në këtë rast për Tiranën dhe të lejohet që kjo ndeshje ndaj Partizanit të luhet me tifozë për nder të lojës dhe spektaklit që sjell kjo përballje. Por duket se nuk mendon kështu as Komisioni i Disiplinës dhe as Presidenti Duka. Ky i fundit është shprehur se është pro stadiumit me tifozë, por që nuk mund të thyejnë rregullat dhe të anashkalojnë vendimin e dhënë nga Komisioni. U besua se thirrja e gjerë që po bënin tifozët e këtyre dy skuadrave të ndikonte sadopak në ndryshimin e vendimit,por arsyetimi për ‘Jo’ ishte i thjeshtë: precedenti. Nëse do bëhej këtë herë një lëshim,do kërkohej lëshim edhe në raste të tjera (nëse do ketë) dhe do humbiste vlera e dënimit që jepet për thyerje të rregullave. Kështu që duket se kjo ndeshje do të shkojë të luhet pa ‘lojtarin numër 12’ në stadium, por kjo nuk do ndalojë tifozët që të mbështesin skuadrën e tyre jashtë stadiumit. Bëhet e ditur që tifogrupet e të dyja skuadrave do të organizohen në pika të ndryshme për të ndjekur ndeshjen në mbështetje të skuadrës. Kjo do jetë ndeshja e dytë që Tirana do luajë në stadium pa tifozët, pas asaj me Elbasanin të cilën e fitoi 2-1.